Nga Serbia në Kosovë hynë mbi 80 maune me vlerë gjysmë milioni euro

396
Sigal

Nga 1 prilli me vendim të Qeverisë në detyrë, mallrat me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë liruar nga tarifa prej 100%. E tash kur kanë kaluar vetem dy ditë nga ky vendim, Serbia dhe Bosnja kanë nisur me dhjetëra maune drejtë Kosovës. Për dy ditë nga Serbia kanë hyrë  në Kosovë 84 maune e që kapin vlerën e rreth gjysmë milioni euro.

Dogana e Kosovës ka dhënë statistikat pas ditës së dytë kur Qeveria në detyrë e Kosovës ka hequr taksën duke vendosur masën e reciprocitetit me Serbinë.

Sipas Doganës gjatë ditës së djesme janë shtuar produktet e lëndës së parë dhe artikujve tjerë që janë futur nga Serbia në Kosovë.

“Ditën e parë nga Serbia në Kosovë kanë hyrë rreth 16 maune, ndërsa dje ka pasur një vëllim më të madh të mallrave me mbi 84 maune e që kapin vlerën e rreth gjysmë milioni euro”.

Kurse, sot ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt ka përshëndetur futjen e kamionëve të parë me mallra nga Bosnja e Hercegovina në Kosovë që nga heqja e tarifës ndaj këtij shteti më 1 prill.

Heldt ka thënë se është i lumtur për arritjen e kamionëve nga Bosnja dhe Hercegovina në Kosovë dhe do të ishte edhe më i lumtur nëse do të ndodhë e njëjta gjë edhe anasjelltas.

“Pajtohem plotësisht. Madje edhë më i lumtur kur shpresoj që të shoh edhe lëvizjen anasjelltas shumë shpejt. Nuk duhet të jetë e një anshme kur flasim për bashkëpunim. Poashtu njerëzit të kenë mundësi të udhëtojnë dhe të vizitojnë pas krizës me COVID-19. Takimet personale fillojnë ta bëjnë ndryshimin”, ka shkruar Heldt në Të itter.

Nga ora 12 e mesnatës së 31 marsit, me vendim të Qeverisë në detyrë, mallrat me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë liruar nga tarifa prej 100%.

Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka reaguar të mërkuren, pas hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifave dhe zëvendësimin e tyre me reciprocitet. Sipas saj, SHBA-ja ka qenë e qartë rreth heqjes së të gjitha tarifave.

“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet t’i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja sepse këto politika lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngulfatin ekonominë e vetë Kosovës”, shkruan në njoftimin e kësaj ambasade. Kurse, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova ka thënë sot se marrëdhëniet e mira midis fqinjëve janë thelbësore për të luftuar pandeminë COVID-19.

Apostolova në një postim në Të itter duke iu referuar heqjes së taksës ndaj produkteve të Serbisë, ka shpërndarë edhe deklaratën e përfaqësuesit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrel, i cili ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës.

Taksës 100 për qind e kishte vendosur qeveria e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018.

Taksa 100 për qind për importet nga Serbia ka ndikuar që dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërpritet.

Kundër kësaj takse, që nga vendosja e saj, ishin deklaruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pasi që nga ajo kohë, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë.

Një masë reciprociteti ndaj Serbisë, Kosova e kishte aplikuar edhe në korrik të vitit 2011.

Ky reciprocitet në atë kohë ishte marrë pasi që Serbia për tre vite pas shpalljes së pavarësisë, kishte bllokuar mallrat nga Kosova për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.