Nga klubet vijmë, në klube shkojmë

354
Ismail H. XHAFERRI
Nga klubet vijmë, në klube shkojmë,
Raki e rrushit të na rrojë!
Me një kafe 10 gota pimë,
Gjithë botën heqim nëpër gojë.
Në klub e shtyjmë gjer në mesnatë,
Mungesa s’marrim asnjëherë
Edhe po s’pati raki rrushi,
Të rrojë rakia me sheqer!
Gjithë ditën rrimë mbi karrige,
Nga klubet s’dalim vetëm hyjmë,
Gjithë kohën bëjmë politikë,
Të gjithe pa lekë e të gjithë pimë!
I duam klubet mbi gjithçka,
Se pimë raki, por dhe konjak,
Shumë herë që s’kemi të paguajmë,
Shënojmë emrin në banak.
Na shkoi jeta nëpër klube,
Ku pije dashur derdhet lumë,
Askush prej nesh nuk e do punën,
Të gjithë ankohemi se ska punë.
Fatmirësisht ka klube plot,
Në këtë pikë s’jemi zhgënjyer,
Në çdo godinë, në çdo pallat,
Kati i parë në klub është kthyer.
Me klubet jemi dashuruar,
Nuk ka më mirë, sesa të pish,
Por vonë në mbremje pisk e kemi,
Se s’gjejmë derën e shtëpisë.
Ne klubet kurrë nuk i braktisim,
E kemi ndarë mendjen top,
Ku shajmë Berishën 200 breza,
Dhe Edin me gjithë sorollop.
Nga klubet ne s’kërkojmë shumë,
Raki, turshi e kastravec,
Dhe shajmë me rradhë deputetët,
Dhe shtojmë radhët me pijanecë.
Nga klubet kurrë nuk heqim dorë,
Shpesh me kuvendin bëjme garë,
Se shpesh dhe sallë e parlamentit,
Na ngjan si klub me pijetarë.
Në klube hyjmë me qejf të madh,
Në gojë mbajmë gjithë dynjanë,
Nuk dimë të bëjmë punë tjetër,
Si lum familjet që na kanë!
Nuk jemi pak, po jemi qindra,
Nëpër karrige të rreshtuar,
Atdheu dhe familjet tona,
Të ardhmen kanë të garantuar.