Nga fshehja e pasurisë, te korrupsioni i pushtetarëve dhe abuzimet me tenderët, zbulohen dosjet që ka në dorë SPAK

140
Sigal

 

Nga fshehja e pasurisë, te korrupsioni i pushtetarëve dhe abuzimet me tenderët, një numër i lartë hetimesh janë për abuzime me tenderat. SPAK ka marrë të pandehur 30 persona. Po ashtu një vepër tjetër është fshehja dhe mosdeklarimi i pasurisë ku janë nën hetim 6 zyrtarë të niveleve të larta…

Prokuroria e Posaçme ka në dorë një numër të madh dosjesh korrupsioni, të cilat duket se lënë pa gjumë mjaft pushtetarë. Në raportin vjetor të SPAK për punën gjatë vitit që lamë pas dhe sipas këtij raporti, gjatë 2022-shit janë hetuar gjithsej 712 procedime penale, nga të cilat 455 procedime penale janë mbartur nga viti 2021, ndërsa 257 procedime penale janë regjistruar gjatë vitit 2022 si procedime penale të reja.

Por cilat janë dosjet që ka në dorë SPAK? “Pamfleti” ka siguruar të dhënat dhe bie në sy se numri më i madh i personave që po hetohen janë për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” me 64 të pandehur. Ndërkohë bie në sy fakti se nën hetim janë 3 zyrtarë të niveleve të larta, pra ministra, ish-ministra, deputetë, ish-presidentë, etj.

Një numër i lartë hetimesh janë për abuzime me tenderët. SPAK ka marrë të pandehur 30 persona. Po ashtu një vepër tjetër është fshehja dhe mosdeklarimi i pasurisë ku janë nën hetim 6 zyrtarë të niveleve të larta.

Sipas të dhënave të SPAK, për hetimin e këtyre veprave penale janë përdorur dhe metoda proaktive, kryesisht përgjime. Pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi, e kryesojnë çështje të hetuara për veprën penale të korrupsionit (nenet 244, 245, 245/1, 258, 259, 319, dhe 319/ç, 328) me 69 procedime penale/1023 pajisje fundore.

Çështjet e korrupsionit që po heton SPAK:

Neni 144/a- Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar, 12 të pandehur.

Neni 244- Korrupsioni aktiv i personave, që ushtrojnë funksione publike, 7 të pandehur.

Neni 245- Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, 12 të pandehur.

Neni 245/1- Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave, që ushtrojnë funksione publike, 35 të pandehur.

Neni 248- Shpërdorimi i detyrës, 37 të pandehur.

Neni 257/a- Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, 6 të pandehur.

Neni 258- Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, 30 të pandehur.

Neni 259- Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, 64 të pandehur.

Neni 260- Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë, 3 të pandehur.

Neni 312- Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit, 2 të pandehur.

Neni 319- Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, 7 të pandehur.

Neni 319/ç– Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, 4 të pandehur.

Neni 328- Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve, 3 të pandehur.