Nga 691 ndërtesa në të gjithë Këlcyrën, bashkia kërkon të shembë 4.5% të tyre

669
Sigal

Qyteza e Këlcyrës ndodhet në jug të vendit, në afërsi të qytetit të Përmetit. E konsideruar si një prej vendeve më të varfra në Shqipëri, Këlcyra po përballet edhe me një projekt të bashkisë që drejtohet nga Klement Ndoni, i cili kërkon të shembë 27 banesa nga 619 të tilla që e gjithë qyteza.

Shtëpitë e 27 familjeve janë planifikuar të shemben për të ndërtuar një shesh me kosto 200 milionë lekë.

I kontaktuar me telefon nga BIRN, kryetari i bashkisë së Këlcyrës, Klement Ndoni tha se  “shembja e objekteve vjen si pasojë e dëgjesave publike të kryera ku banorët kërkojnë më shumë hapësira të gjelbërta.”

Por banorët e kundërshtojnë shpjegimin e dhënë nga Ndoni duke ironizuar kryebashkiakun.

“Nëqoftëse do të bëhej këtu një shkollë, nëse do të kalonte një rrugë, nëse do të bëhej një çerdhe, një kopësht, një spital, jam dakord le të prishesh, le të ishte prona ime. Po jo të prishet se do mbillen pemë, bar dhe lule, e kupton? Duke e ditur që neve këtu vetëm lule e pemë kemi dhe asgjë tjetër s’ka në qytetin e Këlcyrës,” tha Ismet Lile, një banor i Këlcyrës.

Disa nga banorët e Këlcyrës të prekur nga projekti e kanë kallëzuar penalisht Kryetarin e Bashkisë Klement Ndoni, për “shpërdorim të detyrës” dhe kanë dhënë dëshmi në prokurorinë e Përmetit në lidhje me këtë çështje.

Por Prokuroria e Përmetit vendosi më 16 prill mosfillim të hetimit ndaj kryebashkiakut bazuar në kallëzimin e banorëve. Sipas prokurorisë “nuk ka indicie për shpërdorim detyre dhe përfitim personal”.

Shumë prej tyre e kundërshtojnë projektin, jo vetëm për çmimet e shpallura të shpronësimit të ndërtesave, të cilat i konsiderojnë si qesharake, por edhe sepse shumë nga këto ngrehina strehojnë biznese të vogla me të cilat sigurojnë jetesën.