Shtohen përdoruesit e drogës, ja bazat kryesore në Durrës

562
Sigal

Objektet më të frekuentuara nga drogmenët janë vagonët e braktisur të trenave në Durrës e Shkozet, periferitë e stadiumit, etj..

Policia e Durrësit ka arritur të zbulojë dhe godasë disa nga bazat, ku konsumohet dhe tregtohet droga dhe ka gati aksionin për goditjen dhe asgjësimin e tyre, si dhe arrestimin e drejtuesve të grupeve të trafikut. Por në qytetin e Durrësit, ka kohë që përdoruesit e drogës kanë gjetur edhe vendet për ta konsumuar atë. Sipas specialistëve të Antidrogës, “kontingjenti ndahet në dy kategori, në përdorues drogash të lehta, të cilat konsumohen me cigare dhe në përdorues drogash të forta, të cilat injektohen në shiringa apo me anë të thithjes, por gjithsesi të dy grupimet janë të rrezikshëm për të infektuar dhe ofruar të tjerë rreth tyre”.

 PËRDORUESIT E DROGAVE TË LARTA

Burime policore dhe nga shoqata që merren me kontingjente të tilla, shprehen se, “të rinjtë që e marrin pluhurin e bardhë me anë të cigareve gjenden me shumicë në Durrës”. Ata tymosin buzëmbrëmjes dhe pas mesit të natës dhe vendet më të preferuara prej tyre janë lagjet periferike, ku mungon ndriçimi si dhe hyrjet e pallateve. Dëshmi e konsumit të drogave prej tyre janë grumbujt me bishta cigaresh që gjenden me shumicë në këto vende çdo mëngjes nga banorët dhe fshesaxhinjët e qytetit. Po në këto zona bredhin edhe shpërndarësit e këtyre narkotikëve ku gjenden edhe klientët e tyre.

PËRDORUESIT E DROGAVE TË FORTA

Kontingjenti që e përdor drogën me anë të injeksionit në damarë kanë të tjera vende të preferuara- sipas specialistëve antidrogë. Objektet më të preferuara prej tyre janë vagonët e vjetër të trenave në si në stacionin e Durrësit ashtu edhe në Shkozet, objekti antik që gjendet në themelet e Pallatit të Kulturës, pjesa veriore e stadiumit të futbollit “Niko Dovana” si dhe objekte të braktisura, në të cilat ata kanë mundësi të kalojnë orët e ekstazës pas veprimit të lëngut të injektuar. Ata nuk është e vështirë t’i gjesh, por edhe shiringat e një përdorimshe të tyre në ato vende të errëta. Ndërsa ata që përdorin kokainë janë një pakicë vogël për shkak të çmimit të kripur të saj. Ata shfrytëzojnë hotele luksoze për të kryer aktin e thithjes me hundë të këtij lloj pluhuri.

POLICIA NIS GODITJEN

Policia e Durrësit disponon jo vetëm statistika të sakta, por ajo ka gati edhe aksionin e goditjes së këtyre grupimeve të rrezikshme. Blutë e qytetit bregdetar, disponojnë statistika për numrin në rritje të përdoruesve të drogës në Durrës dhe sipas saj janë të identifikuar rreth 1700 përdorues drogash. Ata janë kryesisht të rinj nga Durrësi dhe Shijaku, por edhe rrethinat e qyteteve. Policia ka kërkuar ndihmën e shoqatave dhe të komunitetit për ta ndalur këtë të keqe që ka përfshirë një numër të madh të rinjsh. Aksionin ka synim t’i paraprijë periudhës shkollore, e cila shfrytëzohet nga shitësit e drogave dhe përdoruesit.