Nesër protesta e pedagogëve, sindikata: Ta bëjmë këtë profesion misionar të mirëpaguar

463
Sigal

Do të zhvillohet nesër në orën 11:00 protesta e pedagogëve përballë Universitetit Politeknik të Tiranës.

Nga ana e saj Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka bërë me dije se do të mbështesë protestën e paralajmëruar, ndërsa bën thirrje që pedagogët të bëhen bashkë dhe të qëndrojnë larg interesave politike të ditës.

Deklarata:

Përshëndetje të nderuar Kolegë!

Siç jeni informuar dhe nga mediat për ecurinë e bisedimeve me Ministren e Arsimit dhe Sportit, dhe për mosdakordësinë për çështjen e vlerësimit të pedagogut me një pagë dinjitoze, Sindikata ka vendosur vijimin e veprimeve sindikale deri në realizimin e kërkesave tona minimaliste. Në këtë kontekst, ju dërgojmë informacionin  me sqarimet si mëposhtë:

-Thirrjen për protestën e radhës të Stafit Akademik, Ndihmës Akademik dhe Administrativ të Institucioneve të Arsimit të Lartë Publik, që do të mbahet të Mërkurën, më datë 05 tetor 2022, ora 11.00, para Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës.

-Një Skedë me shtesat e kërkuara nga Sindikata, sipas kategorive për stafin akademik dhe ndihmës akademik e administrativ. Shtesa është llogaritur mbi pagën neto mesatare të secilës kategori, të ndara në shtesa e parë me 30% dhe shtesa e dytë me 20%. Aty do të shikoni se profesorati e stafi ndihmës edhe pas kësaj rritje të propozuar nuk i arrin pagat e Universiteteve të Kosovës. Pra, nuk po kërkojmë “qiqra ne hell”. Ndaj do të qëndrojmë fort në këtë kërkesë, se nga eksperienca, për 20 vite kështu rrinë.

Le të bëhemi këtë herë të gjithë bashkë në emër të misionit tonë akademik. Të gjithë profesorët që dëshirojnë që studentët nesër të vazhdojnë misionin e tyre, sot duhet të bëhen bashkë për ta bërë këtë profesion misionar të mirëpaguar.

Le të jemi të gjithë bashkë në këtë protestë për dinjitetin tonë dhe larg interesave politike të ditës.

Ata që nuk patën mundësi të ishin prezent në protestën e 15 shtatorit do të kenë mundësinë që të shprehin solidarizimin me pjesëmarrjen në protestën e radhës të 5 tetorit, ora 11.00, para UPT.

Vetëm të bashkuar do ia dalim të vëmë në vend dinjitetin tonë dhe synimin tonë për një arsim të lartë publik cilësor.

3.U bëhet thirrje drejtuesve të IAL-ve publike, të çdo niveli, të qëndrojnë në lartësinë e detyrës/funksionit të tyre akademik, duke mos penguar apo intimiduar pjesëmarrjen në këtë protestë të stafit.

– Në vëmendjen tonë është mbrojtja e të drejtave të çdo pjesëmarrësi në protestë. Në anën tonë kemi vetëm të drejtën dhe ligjin. Sipas nenin 197, pika 4, të Kodit të Punës “Ndalohet çdo veprim që përfshin shtrëngim, cënim ose diskriminim ndaj punëmarrësve për shkak të pjesëmarrjes apo jo në grevë”.

4. Ju informojmë se kemi përgatitur informimin e Ambasadave të BE dhe shteteve anëtare, në veçanti Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Francës e Hollandës, SHBA dhe Britanisë së Madhe, si sponsorizueset kryesore të zhvillimit demokratik të vendit, por dhe të Universiteteve me programet e tyre të vazhdueshme. Procesi i Necociatave të Anëtarësimit, sidomos kapitulli i 25 dhe 26 që kanë të bëjnë me shkencën dhe kërkimin si dhe arsimin dhe kulturën, duhet të shërbejë për një tërheqje vëmendje ndaj qeverive shqiptare për keqfinancim të arsimit të lartë në vend.

Ndërkohë, do të vijojë nënshkrimi i Peticionit.