Shqiptarët kërkojnë fatin tek “Lotaria Amerikane”

657
Përparim HALILI

Shqiptarët me sytë nga fati në “Lotarinë Amerikane”, dyndja paralajmëron afro 500 mijë aplikime
Shkak i “arratisjes popullore” deri në Australi dhe Zelandën e re është papunësia dhe varfëria që po shtohen
Si të mos ikin shqiptarët, kur gjenden përballë një shteti dhe politike që pengon, sulmon e zhvat bizneset, që shton taksat, që miraton ligje për sundimin dhe bizneset e veta, që burgos të varfrit për mospagimin e 1 kilovati energjie elektrike e të 1 metri kub uji dhe fal miliarda evazion fiskal që bëjnë shtetarët dhe të pasurit e lidhur me ta?!

Emigrimi ekonomik i shqiptarëve, pasi u bllokua prej qeverive të vendeve të BE, i ka drejtuar sytë nga “Lotaria Amerikane”, e cila nis në datën 3 tetor 2017. Është një mundësi “shpëtimtare”, që shqiptarët kanë menduar ta shfrytëzojnë masivisht, duke hedhur letrat në “kutinë magjike” të kësaj lotarie. Edhe pse “Lotaria Amerikane” nis pas 10 ditësh, shqiptarët kanë nisur parapërgatitjen e të dhënave që përcakton aplikimi, si dhe janë vërsulur në studiot e specializuara për të bërë fotografitë personale. Sipas vëzhgimit dhe testimit të bërë nga “Telegraf”, konstatohet një dyndje e madhe në studiot fotografike dhe një interes i madh për të aplikuar jo si “sport” por si “ëndërr” për të ikur nga Shqipëria, ku nuk ofrohet e nuk u garantohet asnjë kusht për jetë minimale! Kjo “ëndërr”, në fakt është “shpëtim” nga varfëria dhe papunësia, nga denigrimi dhe pasiguria. Shansi për të fituar në “Lotarinë Amerikane” është tepër i vogël, por në Shqipëri ka një përfshirje shumë të madhe aplikimesh. Dyndja “popullore” e shqiptarëve të mbetur në Shqipëri për aplikime, nuk ka lidhje me afatin 34 ditor që i është vendosur kësaj lotarie, mbasi koha është e mjaftueshme dhe mundësitë e aplikimit elektronik janë të plota e të shpejta për çdo individ e familje, por ka lidhje me “urgjencën” dhe domosdoshmërinë për të ikur nga Shqipëria! Kjo arrati masive, përfshin të gjithë moshat. Të rinjtë ikin për të siguruar jetën dhe punën normale e të vlerësuar. Prindërit ikin, për të ardhmen e fëmijëve. të moshuarit ikin me familjet mbasi vetmia e tyre në Shqipëri është e shpërfillur nga shteti! Shkak i ikjes nuk është turizmi apo eksplorimet gjeografike e historike, por gjendja e rrënuar ekonomike që sundon dhe vepron ashpërsisht në Shqipëri prej 25 vitesh. papunësia dhe varfëria, pamundësia për të shkolluar, për të ushqyer, veshur dhe kuruar fëmijët në spitale, kanë detyruar shumë prindër të vetëvriten e të vriten brenda familjeve. varfëria në familje, ka kthyer mijëra fëmijë e adoleshentë në skllevër punësh të zeza, në lypsarë e kontingjente të botës së krimit! Mungesa e një pune për të pasur të ardhura financiare, ka detyruar mijëra të rinj të përfshihen në vrasje me pagesë, në grabitje, në vjedhje banesash e dyqanesh, në trafiqe e tregti droge dhe armësh! Kjo ikje masive, ka lidhje me jetën e vështirë, deri në pamundësi për të mbushur barkun me bukë e për të blerë një “pikë qumësht” për foshnjat! 

-Si të mos ikin shqiptarët, kur prej 27 vitesh po gjenden përballë një klike politike-shtetërore që nuk pyet për hallet e popullit?! Që vjedh pasuritë e financat kombëtare dhe me to kanë ngritur perandorinë e jetës së tyre luksoze! 

-Si të mos ikin të rinjtë dhe specialistët, kur gjenden përballë faktit, që shtetarë e politikanë të lidhur në pazare e kanë kthyer administratën dhe shërbimet publike në “pushtet familjar”! 

-Si të mos ikin shqiptarët, kur gjenden përballë një shteti dhe politike që pengon, sulmon e zhvat bizneset, që shton taksat, që miraton ligje për sundimin dhe bizneset e veta, që burgos të varfrit për mospagimin e 1 kilovati energjie elektrike e të 1 metri kub uji dhe fal miliarda evazion fiskal që bëjnë shtetarët dhe të pasurit e lidhur me ta?!
Në 3 vitet e fundit, drejt vendeve të zhvilluara të BE janë nisur 250 mijë shqiptarë, aq sa vendosën rekord emigrimi! Në “Lotarinë Amerikane” të vitit të kaluar, aplikuan 200 mijë shqiptarë. Sipas “shenjave” që po jepen këto ditë pas njoftimit zyrtar të Ambasadës së SHBA në Tiranë, parashikohet që në këtë Lotari të aplikojnë afro 500 mijë shqiptarë si individë e familje, ndërkohë që numri total që do pranohen me këtë lotari është 50 mijë persona nga e gjithë bota, ose sa 10% e aplikimeve që parashikohet të bëhen vetëm nga Shqipëria. 
A mund të qëndrojnë në Shqipëri, 100 mijë familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, lëmoshë?
Realiteti social ekonomik që ka ofruar dhe realizuar qeverisja për familjet dhe individët që jetojnë në varfëri, duket haptazi që është tepër tallëse. Politika dhe qeverisjet në këto 25 vite, i kanë varfëruar e grabitur ekstremisht shqiptarët dhe premtimet për mirëqenie të lartë vazhdojnë. Shqiptarët po ikin, mbasi premtimet nuk mbahen as në 1% të numrit dhe as në 000.1% të masës së tyre! Kjo ka ndodhur e vazhdon të ndodhë me familjet e mjeruara, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike mujore prej buxhetit të shtetit. është nën pagesë ditore lëmoshë që nuk ka as fuqinë blerëse të një bukë, duke zbritur vlera e saj deri në 30 lekë në ditë për të varfrit deri në moshën 18 vjeç! E po kështu për femrat e trafikuara, për të moshuarit e braktisur e deri në 8000 lekë në muaj për familjet pavarësisht numrit të anëtarëve që kane, deri në 10 e mbi 10 anëtarë, secili duhet të ushqehet me 800 lekë në muaj, ose me 27 lekë në ditë, që është baras me një banane në ditë! A mund t’u premtohet “Rilindje” ekonomike këtyre familjeve e personave, të cilët janë zhytur në mjerim?! 
Statistikë/ Forca aktive për punë në Shqipëri, vetëm 30% e punësuar
– Janë 123 mijë e 100 të rinj të aftë për punë, të moshës 18-20 vjeç.
– Janë 101 mijë e 342 të rinj të aftë për punë, të moshës 21-30 vjeç.
– Janë 179 mijë e 259 të rinj të aftë për punë, të moshës 31-35 vjeç.
– Janë 366 mijë e 878 persona të aftë për punë, të moshës 36-45 vjeç.
– Janë 234 mijë e 220 persona të aftë për punë, të moshës 46-55 vjeç
– Janë 109 mijë e 873 persona të aftë për punë, të moshës 56-65 vjeç.
Sigal