Në tentativë për t’u arratisur, arrestohet në mesnatë autori i dyshuar i vrasjes së Luan Hushit

118
Sigal

Arrestohet gjatë orëve të para të së premtes në tentativë për të kaluar kufirin me Greqinë, Klodian Keqi, autor i dyshuar i vrasjes së Luan Hushi, raporton Euronews.

Në momentet e arrestimit, Keqit nuk i është gjetur armë, ndërkohë vijon puna për kërkimin e kallashnikovit që kreu vrasjen e bashkëfshatarit të tij.

55-vjeçari i identifikuar si Luan Hushi është vrarë paraditen e së mërkurës (10 gusht) në Fushë-Krujë. Mësohet se ai është qëlluar me kallashnikov nga fqinji i tij, Klodian Keqi, i cili u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Sipas burimeve nga Policia, vrasja paraprakisht dyshohet të ketë ndodhur për konflikte të vjetra për një pyll në fshatin Zgërdhesh të Fushë-Krujës.

Kanë qenë banorët e zonës që kanë dëgjuar të shtënat e armës dhe kur janë afruar kanë gjetur të plagosur rëndë bashkëfshatarin Luan Hushi, të cilin e transportuan drejt Spitalit të Traumës në kryeqytet, por pak minuta më vonë 55-vjeçari ndërroi jetë.

“Rreth orës 09:45, në fshatin Zgërdhesh, Krujë, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi L. H, rreth 55 vjeç, është plagosur me armë zjarri nga shtetasi K.Q, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes. Shërbime të shumta policie kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të bërë të mundur kapjen e autorit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe sekuestrimin e të gjitha provave me qëllim dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje”, tha Policia, e cila nisi hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Menjëherë në vendin e krimit shkuan forca të shumta policie ku menjëherë si autor të dyshuar identifikuan Klodian Keqin. Pavarësisht përpjekjeve, ende nuk është bërë e mundur kapja e tij, ndërsa dhjetëra forca të policisë prej orësh janë duke krehur zonën.

Burimet bëjnë me dije se dy bashkëfshatarët prej kohësh kishin konflikte me njëri-tjetrin e ndërsa mëngjesin e së mërkurës, Keqi kishte parë që 55- vjeçari Hushi ndodhej në zonën e pyllëzuar ku ishte afruar për të sqaruar edhe debatet që ata kishin me njëri-tjetrin.