Në Shqipëri janë 29 bashki ”Covid free”, dy javë pa të infektuar

222
Sigal

Mallakastra, Selenica, Divjaka, Himara, Vora, Mirdita, Klosi dhe disa të tjera, prej dy javësh nuk kanë asnjë rast të infektuar nga Covid-19. Epidemiologu Artan Simaku thotë se pavarësisht faktit që nuk ka të infektuar, nuk do të thotë se në ditët në vijim nuk do ketë raste sporadike.

“Janë 29 bashki dhe qytete të vogla që nuk kanë raste ditore të të infektuarve me Covid, ndërsa kjo llogaritet me incidencë dy javore. Pra, nuk mund të themi se meqë një ditë nuk pati raste, jemi Covid-free sepse mund të ketë një nesër”.

Shqetësim mbesin variantet e reja dhe mutacionet që po pëson ky virus. “Qarkullojnë edhe variante të reja në botë, kryesisht varianti indian. Mund të lindin edhe variante të reja, nuk përjashtohet mundësia, pra nuk flitet më për shpërthim ose për valë, por mund të ketë shpërthime të kufizuara ose prekje të individëve të ndryshëm”, tha Simaku.

Të infektuarit aktivë në vend janë ulur në rreth 700 persona. Tirana vijon të ketë numrin më të lartë me pothuajse gjysmën e rasteve, më pas renditet Korça dhe Shkodra.