“Në Kryekuq-Lushnje mbas 47 vjetësh”

888
Tomorr SHASHO

Reportazh
Makina rrëshqet me shpejtësi mbi asfaltin e rrugës automobilistike. Jemi nisur për në Divjakë e për t’u shtyrë ca më tutje – në Kryekuq. Gëzimin dhe emocionet tona i shton muzika që ka vendosur Rushit Kuçi në kasetofonin e makinës së vet. Rushit Kuçi është një ish-oficer madhor, babaxhan e gojëmjaltë! Kënga “Për ty, Atdhe” vërtet na emocionon. Krenohemi me të drejtë, se kemi punuar në të katër anët e Atdheut. Tani jemi pensionistë, por themi ngaherë: “A e bëmë punën si duhet? A i shërbyem ashtu si e meriton Atdheu?” Rushiti thotë: 

– Kemi punuar, por gjaku që derdhën dëshmorët për çlirimin e atdheut nuk ka të çmuar. Ata do të kujtohen brez pas brezi. 

– Këtë jetë që kemi gëzuar e gëzojmë në liri, e kemi nga gjaku i tyre!

-Ndaj populli, i madh e vogël, vendos lule mbi varret e dëshmorëve,- ndërhyn Ilmi Qazimi, edhe ky një ish oficer madhor i Ushtrisë sonë Popullore, i cili ka shërbyer në disa detyra të larta në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Flet secili për vitet e punës së vet. Dhimitër Shtëmbari, nismëtari kryesor i këtij udhëtimi, pak kohë shërbeu mësues, por edhe pse në aq pak kohë përmend disa fshatra. Përmend edhe Divjakën, ku nisi së pari detyrën si mësues. Pastaj vetëm sa përmend faktin, se bën plot dyzetegjashtë vjet që vazhdon të punojë si gazetar profesionist. 

– Këtë ditë do t’ia kushtojmë Tomorit, – thotë Dhimitri, – sepse edhe në Amerikë ku ishte me banim, mendjen e kishte edhe te Kryekuqi. Teksa e dëgjojnë të flasë kështu, brenda makinës ndizet muhabeti. Shoku tjetër me të cilin udhëtojmë, Vangjeli Pina, ka drejtuar për 25 vjet shkollën e mesme, në Gorre. E tani pensionist, dëgjon t’i thonë: “Drejtor, si jeni?” Nga ish-nxënësit e tij ka nga ata që janë bërë gjyshër e gjyshe, por nuk i thërrasin dot Vangjel, por drejtor. Koha ka kaluar pa u kuptuar. Makina merr kthesën në drejtim të Divjakës. Ilmiu e ka për të parën herë që kalon këtyre anëve dhe interesohet për emrat e fshatrave. Dhimitri e Vangjeli, të gatshëm për t’ia plotësuar dëshirën. Unë hesht. Hesht, por në mendje kaloj vitet e mësuesisë në rrethin e Lushnjes. E fillova mësuesinë në Hysgjokaj. E kujtoj me shumë mall, por nuk kam pasur rast ta shoh pas largimit, në vitin 1964. Po mbushet gjysmë shekulli! E përfytyroj ashtu si e kam jetuar. Por jo, jo! Edhe Hysgjokaj duhet të ketë ndryshuar, siç po shoh ndryshimet rrënjësore të dy Çermave. Po Kryekuqi?! Po Divjaka?! Për t’u çmallur me Kryekuqin, fshatin ku punova gjashtë vjet si mësues, u organizua ky udhëtim. Gëzimit tim i shtohet edhe gëzimi i shokëve të mi. Ndërsa jemi duke u futur në Divjakë, nuk na besohet se jemi duke shkuar në atë fshatin e dikurshëm, me ato dyqanet e thjeshta radhë – radhë, përballë Shtëpisë së Kulturës. Zbresim nga makina dhe … përpara nesh një shesh i gjatë dhe i gjerë. Shumë i bukur e, për më tepër, interesant. Rreth e qark – pallate e vila. Shkolla e re… Kalojmë minuta të këndshme me shokun tonë, intelektualin e mirënjohur, ish-drejtorin e shkollës së mesme të Divjakës, Isuf Liço. Pyesim për shokët e shoqet. Isufi përgjigjet. Hidhërohemi për ata kolegë e kolege që janë ndarë nga kjo jetë! Urojmë shëndet e jetë të gjatë shokëve e shoqeve, të cilët tani janë pensionistë si ne. Mbas një vizite të shpejtë në plazhin e Divjakës, udhëtojmë përsëri. Xengu, Miza, Zharrneci… Asgjë nga e kaluara. Vila të ndërtuara rishtas, ara të punuara, biznese… I afrohemi Kryekuqit. Zemra më rreh fort. Kthejmë majtas dhe i ngjitemi një të përpjete të lehtë. Fshati duket si i mbuluar prej një çarçafi gjigant gjelbërimi. Ja edhe shkolla! Jo ajo një-katëshja e dikurshme, ku shërbeva, por tashmë një godinë e re dy-katëshe. Në oborr – nxënës e mësues kërcejnë së bashku. Edhe Kryekuqi sa shumë paska ndryshuar! 

– Po të presin me këngë e valle, – bën humor Ilmiu. Qeshim. 

– Sot kishim ditë aktiviteti për përvjetorin e Heroit tonë Kombëtar. Viti 2018 është shpallur viti i Skënderbeut, – na thotë një mësuese, e cila sapo shkëputet nga rrethi i nxënësve valltarë. 

– Kam punuar para 47 viteve si mësues në këtë shkollë. Erdha që të çmallem, – i drejtohem asaj. 

– Mirë se erdhët! – më uron. Respekti duket në buzëqeshjen e saj. Afrohet një mësues. E vështroj e më vështron. Ai më njeh. Ishte Jashar Lushka, ish-nxënësi dhe miku im. Kënaqësi! Rrethohemi nga disa mësuese. Të gjitha fytyrëqeshura. Fillojmë bisedën sikur njihemi prej kohësh. Ngjisim shkallët për në katin e dytë. Bukur! Korridoret shkëlqejnë nga pastërtia. Në mure – punimet më të bukura të nxënësve. Hyjmë në drejtori. Fjala e buzëqeshja e drejtorit, Josif Kruti, e ëmbëlsojnë atë mjedis zyre. Kudo rrezatohet kulturë. Po, po! U takuam e biseduam me një trup pedagogjik shembullor. Në largim bëjmë një fotografi si kujtim i asaj dite me plot emocione. Përshëndetemi dhe largohemi, duke lënë mbas një kolektiv mësuesish të mrekullueshëm! E s’mund të ishin ndryshe, kur në krye kishin një drejtor si Josif Kruti, i cili fliste me aq pasion për punën në tërësi e për çdo mësues në veçanti! Pas një dreke të shijshme në Muçias, largohemi drejt Tiranës. Një udhëtim me plot emocione, çmallje e gëzim për tërë ato ndryshime të jashtëzakonshme! Por qershia mbi tortë ishte mikpritja që gjetëm midis mësueseve e mësuesve, të cilët do t’i quaja, krenaria e fshatit Kryekuq. Faleminderit!