Në kërkim për vrasje, arrestohet 45-vjeçari nga Maqedonia e Veriut, tentoi të kalonte në portin e Durrësit me pasaportë false

36
Sigal

Një shtetas 45-vjeçar nga Republika e Maqedonisë së Veriut është ndaluar në Portin e Durrësit, pasi dyshohet se po tentonte të largohej nga Shqipëria me një pasaportë me ngjashmëri të një shtetasi nga Serbia.

45-vjeçari mësohet se ishte shpallur në kërkim më herët nga autoritetet e RMV-së, për vrasje.

Arrestimi i tij është bërë i mundur vetëm pas një bashkëpunimi me organet e Interpolit.

Ndërsa thuhet nga uniformat blu se “ky shtetas ka tentuar të dalë nga Republika e Shqipërisë dhe t’iu shmanget autoriteteve, duke përdorur një pasaportë me ngjashmëri, të një shtetasi nga Serbia, me rekorde kriminale.”

Njoftimi i Policisë:

Tentoi të dilte nga Shqipëria, me pasaportë me ngjashmëri, të një shtetasi nga Serbia, pas verifikimeve të thelluara nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me Interpolin, vihet në pranga 45-vjeçari nga Maqedonia e Veriut. 45-vjeçari, i shpallur në kërkim nga autoritetet e RMV-së, për vrasje. Krahas angazhimit të përditshëm për të ofruar shërbim cilësor për qytetarët në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit kanë intensifikuar kontrollet dhe verifikimet, me qëllim ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pikë doganore.

Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Policisë Kufitare të portit të Durrësit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, si dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës, Interpol Shkupit dhe Interpol Beogradit, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Maqedonisë së Veriut, shtetasi D. S. alias D. I., 45 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.

Ky shtetas ka tentuar të dalë nga Republika e Shqipërisë dhe t’iu shmanget autoriteteve, duke përdorur një pasaportë me ngjashmëri, të një shtetasi nga Serbia, me rekorde kriminale. Pas verifikimeve të thelluara të kryera nga Policia, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, ka rezultuar ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet e RMV-së, pasi Zyra e Prokurorisë i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, parashikuar nga Kodi Penal i këtij shteti.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët, vijon procedurat për ekstradimin e 45-vjeçarit.