Ndryshimet në Ligjin për ndërtimet, Totozani kërkesë Kushtetueses për shfuqizim

343
Avokati i Popullit ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për ndërtimet duke kërkuar shfuqizimin dhe shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të dispozitës ku parashikohet se ankimimi gjyqësor kundër vendimit të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe atij të njësisë vendore nuk pezullon ekzekutimin e tij. Pra në bazë të kësaj dispozite ligjore, edhe nëse një qytetar çon çështjen në gjyq, IKMT mund të vazhdojë prishjen e ndërtimit pavarësisht se si do të jetë vendimi i drejtësisë.
“Institucioni i Avokatit të Popullit, në ushtrim të kompetencës së tij, në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e shoqërisë civile: Qendra Res Publica, Civil Right Difenders, Shërbimi LigjorFalas Tiranë, Qendra për Nisma Ligjore dhe Qytetare, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë-SOROS, duke marrë shkas nga ndryshimet më të fundit që i janë bërë dispozitave të Ligjit “Për inspektimin e ndërtimit” dhe bazuar në disa ankesa individuale, ka paraqitur një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkohet shpallja si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe shfuqizimi, «Për disa ndryshime dhe shtesa, “Për inspektimin e ndërtimit”, të ndryshuar». 
Me ndryshimet që ka pësuar ligji “Për inspektimin e ndërtimit”, ndër të tjera parashikohet se: “Ankimi gjyqësor kundër vendimit të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe atij të njësisë vendore nuk pezullon ekzekutimin e tij”. Në vlerësimin e institucionit të Avokatit të Popullit, kjo dispozitë shkel një sërë të drejtash të njeriut dhe parimesh kushtetuese dhe më konkretisht: Parimin e sigurisë juridike, Parimin e ligjshmërinë e pritshme, Të drejtën e sigurisë së banesës, si pjesë e të drejtës për një jetë familjare, Parimin e mosdiskriminimit, Parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, Parimin e një procesi të rregullt ligjor dhe ankimit efektiv.
Për këto arsye, të detajuara në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Avokati i Popullit ka kërkuar shfuqizimin si të papajtueshëm të kësaj dispozite ligjore, me Kushtetutën, duke qëllimuar kështu respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos të shtresave vulnerabël, përmes realizimit të një procesi të rregullt ligjor, sa i takon veprimtarisë qëlidhet me objektin e punës së Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe atij të njësisë vendore”, përfundon kërkesa e Avokatit të Popullit.