Naftëtarët e Ballshit në karantinë përballen me urinë: Nuk përfitojnë shpërblimin financiar të qeverisë

57

Naftëtarët e Ballshit janë duke u përballur me urinë për shkak se në kushtet e karantinës nuk mund të kryejnë asnjë punë tjetër.

Gazetarja Valbona Davidhi në një lidhje për “Abc-ja e mëngjesit” raporton se është një situatë ndoshta e paparashikuar, por nga ana tjetër ata kanë humbur të drejtën e asistencës sociale.

Njëri prej naftëtarëve sqaroi se fakti që janë të papunë nuk kanë pasur kohë të regjistrohen te zyra e punës si të papunë dhe tani nuk përfitojnë pagën e luftës, të parashikuar në aktin normativ.

“Nga data 1 janar nuk përfitojmë më asnjë lloj pagese sepse jemi të papunë. Normalisht nga 1 janari ne duhet të ishim regjistruar te zyra e papunësisë, por nuk mund të regjistrohemi për arsye të kalimit të afatit kohor. Sepse nuk na është dhënë mundësia që të merrnim dokumentacionin e nevojshëm për ta dorëzuar te zyra e punës.

Ky dokumentacion duhet të dorëzohet brenda 60 ditësh, na dita kur është ndërprerë aktiviteti i kompanisë. Mundësia është e humbur sepse muaji dhjetor nuk janë paguar sigurimet shoqërore dhe po të fillojnë numërimin nga 1 dhjetori sipas ligjit ne duhet të kishim bërë dokumentet deri më 29 janar.

Nis do të fillonim nga 1 janari duhet ti dorëzonim deri në 29 shkurt. Tani shumë nga naftëtarët nuk kanë mundësi financiare, nuk kanë mundësi të punojnë në vend tjetër. Nga data 9 mars që u dha urdhri për karantinë nuk kemi mundësi të punojmë.

Nuk përfitojë edhe nga akti normativ që nxori kryeministri për personat që janë të papunë, të marrim atë ndihmë ekonomike. Ligjërisht nuk e përfitojmë sepse kjo është për biznesin e vogël. Duhet të jesh i regjistruar te zyra e papunësisë që ta përfitosh këtë shpërblim”, deklaroi naftëtari.