Nafta për TEC-et lundruese, KESH pret shprehjet e interesit, sasia 100 mijë ton në vit

77
Sigal

Teksa marrja e licencës për nisjen e prodhimit nga TEC-et lundrues në Vlorë do të kalojë pas një seancë dëgjimore të vendosur nga Enti Rregullator i Energjisë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka kërkuar të sigurojë sasinë e nevojshme me naftë për nisjen e punës.

Në një procedurë të njoftuat në faqen e tij KESH bën me dije se kompanitë e interesuara duhet të dërgojnë shprehjen e interesit.

“Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (“KESH” ose ndryshe “Klienti”) e Republikës së Shqipërisë, aktualisht është duke zhvilluar projektin e prodhimit të përkohshëm të energjisë elektrike termike, në qarkun e Vlorës. Aseti gjenerues i përkohshëm termik përbëhet nga dy asete prodhimi lundruese me fuqi totale të instaluar prej 110 MW dhe përdor lëndë djegëse HFO, si lëndën kryesore të djegshme për prodhimin e energjisë.

KESH sh.a, është e interesuar të mbledhë shprehjet e mundshme të interesit nga pjesëmarrësit e tregut dhe gjithashtu të mbledhë pyetjet që mund të lindin nga palët e interesuara për furnizimin e një sasie të lëndës HFO për asetet lundruese të energjisë, për një afat kohor prej 2 (dy) vitesh” thuhet në njoftimin e KESH.

Po kështu sipas sqarimit kjo thirrje për Shprehje interesi synon të mbledhë nga tregu, aplikimin nga çdo palë e interesuar për të marrë pjesë në procesin e ardhshëm konkurrues dhe gjithashtu të mbledhë çdo kërkesë paraprake, pyetje ose informacione nga palët e interesuara, që mund të kontribuojnë dhe lehtësojnë procesin konkurrues. Kjo shprehje interesi nuk ka për qëllim përzgjedhjen e palëve të interesuara, por vetëm për studimin e tregut dhe njohjen me pyetjet nga çdo pale të interesuar.

Sqarim mbi produktin e kërkuar

KESH ka bërë ndër të tjera edhe një sqarim mbi produktin e kërkuar ku nënvizon se është i interesuar për furnizimin me lëndë djegëse të llojit HFO, konkretisht naftë me përmbajtje të ulët squfuri, në nivel max. 0.5%, RME 180 cts, sipas ISO 8217, për një periudhë kohore maksimumi prej 2 (dy) vjet. Produkti do t’i dorëzohet KESH-it në kapacitetet magazinuese, të cilat do të sqarohen në fazën e tenderimit.

“Furnizimi me VLSFO në vend, do të bëhet me kërkesë nga kompania e furnizuar. Sasia minimale që do të dorëzohet sipas kontratës do të jetë 100,000 (njëqind mijë) ton VLSFO në vit me një dërgesë të shumëfishtë prej maksimumi 25,000 mijë ton VLSFO, brenda intervaleve prej 60-90 ditë. Kontrata e furnizimit do të jetë një kontratë CIF, Shqipëri. KESH është gjithashtu i interesuar që VLSFO të dorëzohet në magazinën e aseteve gjeneruese në bazë ditore për periudhën maj-korrik ose gusht, për një sasi të caktuar që do të përcaktohet nga klienti në procedurën e tenderit.

Të gjitha specifikimet përfundimtare mbi produktin, sasitë, çmim – formimin dhe specifikimet tjera, do të paraqiten në procesin e tenderit që do të publikohet pas kësaj thirrjeje për Shprehje Interesi” vlerëson KESH.

TEC-et lundrues

Kriza e energjisë, që nisi nga fundi i verës 2021 arriti kulmin në vitin 2022 duke ekspozuar Shqipërinë ndaj çmimeve të çmendura në importe. KESH vendosi që të merrte me qira gjenerues termikë energjie dhe në finale pas zhvillimit të procedurave konkurruese u siguruan dy gjenerues termikë lundrues. Anijet janë të vendosura në Triport të Vlorës. Këto të fundit do të prodhojnë energji përmes naftës sipas nevojës. Kapaciteti i dy njësive është 110 MW.

Në një skenar për situatën energjetike gjatë 2023 të dhënat zyrtare tregonin se prodhimi i energjisë nga këto njësi do të kushtonte 165 milionë euro. Gjeneruesit parashikohej të prodhonin 884 GWh me një kosto prodhimi prej 185 euro/MWh.