Municionet e ushtrisë po shiten me fatura fallco

562
Sigal

MAKSIM TUFA


Një skandal i radhës ka nisur të denoncohet nga ushtarakët e Ministrisë Mbrojtjes në rrethe. Bëhet fjalë për shitjen e municioneve, mënyrën se si ato merren, ngarkohen, dërgohen, dhe dalin nga tunelet dhe depot e ish-Ushtrisë Popullore, duke përdorur marifete të cilat bien erë korrupsion i pastër. Në rrëfimet e tij të radhës, një ushtarak nga Elbasani i tha “Telegraf” se “ushtria është katandisur sikur të ishte ajo e Haxhi Qamilit, nuk ka as rregull, as transparencë, as rregullore, dhe nuk zbatohen as ligje, por vetëm abuzohet, falsifikohet, vidhet, dhe askush nuk flet, askush nuk denoncon hapur fare sepse ikën nga puna, dhe ndoshta rrezikon edhe jetën. Kjo pasi bëhet fjalë për miliona e miliona, ku janë të lidhur me fijet lart në qeveri, me rrjete personash që punojnë me ministrat dhe u mbushin atyre xhepat”.

 Duke vazhduar rrëfimin e tij që nuk është i pari, ushtaraku nga Elbasani tha se “pas atyre që kam denoncuar, pasi më dhimbset ushtria dhe detyra, siç janë largimeve të paligjshme, shfrytëzimit të punës dhe abuzimit me detyrën nga komandantët tanë dhe eprorët e tyre lart, pas marrjes në punë të dhjetëra militantëve duke i veshur ata me uniformën lara-lara të ushtarakut, vjen skandali radhës, ai i shitjes me faturat e dubluara të qindra e qindra tonë municioneve nga tunelet e Elbasanit, Librazhdit dhe Gramshit, një grabitje e pastër nën dritën e diellit dhe hënës, pasi më shumë “punohet” natën duke tentuar tu hedhin hi syve efektivave të përgjegjshëm, pasi për militantët duket sikur nuk ndodh asgjë”. Sipas ushtarakut “çdo natë kur jemi me shërbim, vijnë kamionët ushtarakë, shpesh edhe me targa të panjohura nga ne, ngarkohen me municione, shoferët e tyre marrin në dorë faturat e mbushura para kohe, sepse faturat e tjera dhe dokumentacioni tjetër mbushet dhe plotësohet po atë natë ose të nesërmen, dhe ky marifet ka disa muaj që ka nisur dhe po vazhdon, madje dy personat që merren me “magazinimin” e municioneve dhe armëve të dala sipas tyre, “jashtë përdorimit”, janë thjeshtë figurantë, por që kanë nisur të zgjohen dhe tu kërkojnë kompetentëve edhe llogari, pasi mendojnë se nesër ata do të jenë të parët që do të futen në burg”. Në tunelet e Elbasanit, të cilat nisin nga Mengli, Labinoti dhe mbarojnë deri në Librazhd dhe Gramsh, ndodhen akoma tonelata me municione, dhe fillimisht ato janë dorëzuar dhe ç’montuar në Uzinën e Mjeksit, qysh para 8 vitesh, por së fundi, edhe atje kanë dalë fakte të reja lidhur me korrupsionin e ish-drejtuesve të ndërmarrjes, dhe ish-kupolës së Ministrisë së Mbrojtjes. 
Ushtaraku nga Elbasanit tha se “abuzimet me municionet kanë vite që vazhdojnë, ka vite që vjedhja e tyre përmes shfrytëzimit të postit, po mbush xhepat e qeveritarëve, por së fundi ustallarët kanë gjetur një mënyrë të re, që ndoshta kanë menduar se do ti shpëtonte nesër nga zbulimi fakteve nga organet kompetente, shitja me dy fatura, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra tjetrën, pasi ndryshojnë sasia dhe lloji municioneve të marra natën në tunelet tona”. Muajin e kaluar nga kompania e Ministrisë Mbrojtjes, u larguan disa ushtarakë me motivacionin “për shkelje të rregullores ushtarake”, kur ajo as nuk zbatohet dhe as nuk njihet nga asnjë drejtues, i ardhur kryesisht nga fushatat elektorale. Abuzimi me çmontimin dhe shitjen e municioneve mbetet një skandal sa i vjetër aq edhe i ri, sepse deri sot në Prokurori janë 6 ish-drejtues të Mjeksit, 2 ish-zyrtarë të Ministrisë Mbrojtjes, dhe pritet të shtohen edhe dhjetëra të tjerë, në rast se organet e hetimit dhe kontrollit, do ta marrin seriozisht çdo informacion dhe denoncim që vjen përmes shtypit nga ushtarakët dhe ata pak profesionistë të mbetur që u dhimbset akoma ushtria, pasi çdo armë dhe municion, është blerë edhe gjatë 50 viteve me paranë e popullit. Vjedhja e milionave me armët dhe municionet e ushtrisë, mbetet faqja më e zezë e viteve të tranzicionit në këtë vend, dhe natyrisht mbetet çështja më serioze ku duhet të ndalen gjatë organet e drejtësisë, për të zbardhur të gjitha grabitjet e ish-qeveritarëve dhe qeveritarëve aktualë, dhe për ti kthyer dinjitetin e munguar ushtrisë shqiptare.