Moti i keq, bashkia sistemon rreth 100 persona në 4 qendra sociale

496
Sigal

Plot 100 persona nga të
cilët 20 janë të mitur, të cilët kanë kërkuar ndihmë për të përballuar të
ftohtin e madh, janë strehuar nga Bashkia e Tiranës në 4 qendra sociale.

Shumica e këtyre
personave në situatë rruge apo në nevojë janë ndihmuar edhe me veshmbathje,
shtretër, batanije dhe ushqime. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj,
ishte në Qendrën Multidisiplinare në Njësinë Nr. 9, ku janë strehuar rreth 40
persona.

Veliaj: Kemi 4
qendra të hapura aktive në Tiranë: në Laprakë, në Kombinat, një këtu në Brakë
dhe një tjetër në Shkozë. Në 24 orët e fundit kemi strehuar rreth 100 persona,
në të gjitha qendrat tona. Disa janë në situatë rruge, disa kanë ardhur nga
qytete të tjera, nga komuniteti rom, që kanë jetuar në barake ose janë
transferuar në një nga zonat pranë Tiranës.

Veliaj ndërsa u bëri
apel qytetarëve që të tregohen bashkëpunues në përballimin e kësaj situate
emergjente, paralajmëroi heqje të kujdestarisë për ata prindër që nxjerrin
fëmiëjt në rrugë.

Veliaj: I bëj
thirrje të gjithë qytetarëve të ndihmojnë të moshuarit dhe fëmijët. Mbrëmë kemi
patur raste ku kemi gjetur fëmijë në rrugë, ndërkohë që e kanë pasur familjen
në Tiranë, dhe i kemi kthyer sërish në familje. Megjithatë, nuk do hezitojmë të
kërkojmë heqjen e kujdestarisë prindërore për ata prindër të papërgjegjshëm, që
për një sherr të vogël në shtëpi dhe për një mosmarrëveshje nxjerrin fëmijët e
tyre në rrugë. Rezulton që pjesa më e madhe e atyre që jetojnë si të pastrehë,
në fakt i kanë familjet e tyre, ose në Tiranë, ose shumë afër, në Durrës apo në
Elbasan.

Bashkia e Tiranës dhe
strukturat e tjera shtetërore në vijim të masave për përballimin e situatës së
motit kanë filluar hedhjen e kripës dhe të skorieve në periferi të Tiranës,
kryesisht në Krrabë dhe Dajt.