“MOS na PREK fjalën”, gazetarët kundër paketës anti-shpifje: Sot protestojmë, të anulohet ligji

414
Sigal

Gazetarët, shoqatat e mediave vendase dhe të huaja si dhe aktivistë të shoqërisë civile do të protestojnë sot para Parlamentit në orën 09:30, kundër miratimit të paketës anti-shpifje.

Për më shumë se një vit kjo paketë është kundër shtuar nga dhjetëra shoqata të gazetarëve, si dhe nga ndërkombëtarët, por qeveria nuk ka marrë parasysh kritikat dhe sot kërkon miratimin e ligjit në Kuvend.

“MOSnaPREKfjalën”, ky do të jetë slogani i protestës, ku kërkohet që të mos cënohet liria e shprehjes, pasi sipas tyre paketa anti-shpifje bëhet me qëllim që të mbyllet goja e mediave.

Një ditë më parë, vet Kryeministri Edi Rama publikoi draftin final të paketës, ku ishin propozuar disa ndryshime nga kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, kur sërish nuk ishin reflektuar të gjitha kritikat.

KiE në një deklaratë u shpreh se ishte ende e shqetësuar dhe i kërkoi qeverisë që të tërhiqej, ndërsa OSBE tha se ishte dakord me draftin final.

15 organizatat mediatike që kundërshtojnë këtë projekt-ligj u shprehën se ata kërkojnë rrëzimin e plotë të ligjit dhe prandaj sot janë në protestë para Kuvendit.

Pak ditë më parë Komisioni i Ligjeve, miratoi në parim paketën e cila do të kalojë në Kuvend më 18 dhjetor, me disa ndryshime të papërfillshme, siç është përzgjedhja përmes konkurrimit, e Bordit të Ankesave, një këshill i cili do të ketë fuqi për të gjobitur dhe mbyllur portalet.

Ndërkohë që tek “Media”, anëtarët vendosën të ulnin gjobën për portalet në maksimumi 4 milionë lekë të vjetra, por socialistët janë tërhequr dhe nga ekzekutimi i gjobës para vendimit të gjykatës.

Është kjo një nga pikat më të nxehta të paketës anti-shpifje, e njoftuar prej 2 vitesh nga Rama, me arsyetimin se mediat online duhet të funksionojnë në bazë të rregullave.

Komuniteti i gazetarëve, intelektualëve dhe organizatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut, kanë dalë kundër draftit, pasi sipas tyre bie në kundërshtim me Konventën për të Drejtat e Njeriut.

Me këtë paketë, Shqipëria bëhet vendi i parë në Evropë që gjobit gazetarët me vendime administrative, dhe i jep fuqi të plotë AMA-s, si një gjykatë për mediat.