Grupi ‘Sakati’, tre vëllezërit shqiptarë që po bëjnë kërdinë në Peqin

1938
Sigal

Pesë viktima dhe dy të plagosur rëndë, është ky bilanci 1 vjeçar i ndodhur në territorin juridiksional mes zonës së Peqinit dhe Elbasanit. Pas këtyre vrasjeve dyshohet se qëndron hija e një grupi kriminal, tepër të sofistikuar që vepron në këtë zonë, dhe që njihet ndryshe si grupi i “Sakatit”.

Dyshohet se anëtarët e këtij grupi kriminal qëndrojnë pas tre atentateve mafioze në Peqin por dhe armatimit të rëndë, që u gjend në ambientet e karburantit në pronësi të biznesmenit, Ilir Beko në Papër. Të dhënat e grumbulluara nga policia kriminale ngrenë dyshime se një grup djemsh që veprojnë në zonën e Peqinit, janë të dyshuar si autorë të katër ngjarjeve shumë të rëndë, të ndodhur në këtë zonë të vogël. Grupi drejtohet nga tre vëllezër, ku njëri prej tyre është invalid dhe thirret me nofkën “Sakati”.

Për momentin ky person ndodhet në burg në Itali për akuzën e trafikut të drogës, por anëtarët e tjerë që qëndrojnë në Peqin, Belgjikë, Holandë dhe Itali, veprojnë pa u penguar nga askush, nën rregullat dhe urdhrat e dy vëllezërve të tjerë, që ndodhen jashtë. Ky grup mban kontakte të vazhdueshme me persona të dënuar me burg përjetë dhe që vuajnë dënimin në burgun e Peqinit dhe Bradasheshit, në Elbasan.

Burime pranë policisë së Elbasanit thanë se grupi vepron më tepër jashtë shtetit, ku në Angli, Belgjikë, Hollandë dhe Itali, kryen trafik të lëndëve narkotike, kryesisht të kokainës. Por konfliktet e para që sollën krisjen e anëtarëve të këtij grupi, lidhen me humbjen e një sasie prej 50 kg kokainë, çka solli, që krerët e grupeve kriminale të mos e gjenin gjuhën e përbashkët për të zëvendësuar mallin ose vlerën financiare të tij. Si rezultat i këtyre përplasjeve, dyshimet e para për ekzekutime mafioze mbi grupin e “Sakatit”, ranë në 29 dhjetor 2018, kur në Bradashesh u qëlluan për vdekje tre persona. Në këtë atentat humbën jetën Endrit Alibej 34-vjeç, Arben Dylgjeri 56 vjeç, si dhe një shtetas turk Erdal Duranay. Të tre këta persona sapo kishin ardhur nga Belgjika, për të festuar Vitin e Ri në Peqin.

Një vit më pas, në dhjetor të 2019 në fshatin Përparim në rrugën nacionale Elbasan-Peqin, Andi Zylyfi, djali i hallës së Endri Alibej, është qëlluar për vdekje. Vetë, Andi Zylyfi kishte pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi. Ndërkohë sipas burimeve të policisë asnjëri prej dy të rinjve që ndodheshin në makinë, nuk rezultojnë me precedentë të mëparshëm penal. Ndërsa konfirmohet se objektivi i atentatit ka qenë, Andi Zylyfi, ndërsa shoku i tij, Ardit Uruçi, është plagosur dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Hija e grupit të “Sakatit” qëndron dhe pas atentatit të bërë ndaj dy vëllezërve Baho në Peqin, ku njëri prej tyre Klevi Baho, mbeti i vrarë në mesnatën e 1 korrikut 2019 ndërsa vëllai tjetër, Aldo Baho, u plagos rëndë.

Të treja atentat kanë të njëjtën dinamikë, pasi në tre ngjarje të kryera brenda një rrafshi kohor 1 vjeçar, objektivi është sulmuar në orët e vona të natës, ku prezenca e policisë dhe dëshmitarëve nuk ekziston. Ndërkohë informacionet e mbërritura në rrugë operative në polici tregojnë se armatimin dhe municionet e sekuestruara në korrik 2019 në një bodrum të karburantit “Eldio Petrol” në Papër, dyshohet se i përkasin anëtarëve të grupit të “Sakatit”.  17 armë të kalibrave të ndryshëm, armë të cilat u gjetën shumë pranë vendit të atentatit ndaj vëllezërve Baho dhe që tashmë janë sekuestruar nga policia e Elbasanit,dyshohet se i përkasin këtij grupi kriminal. Disa prej anëtarëve të këtij grupi, qëndronin herë pas herë në ambientet e karburantit që është në pronësi të Ilir Beko, dhe ka shumë gjasa që dhe armatimin ta kenë fshehur pikërisht në godinën që nuk përdorej nga ky karburant.