Mjekët refuzojnë bonusin 100 mijë lekë në ditë punë në zona, nuk ikin nga “thes-ari” i spitaleve të Tiranës e rajoneve

921
Përparim HALILI
Oferta u bë para 2 vitesh por dështoi, “shëndetësia e rilindur dhe falas” ka lënë pa shërbim mbi 1 milionë banorë në fshatrat e 29 rretheve 
Shqipëria është i vetmi vend në rajon, që mbulohet vetëm në masën 40% me shërbim shëndetësor, përveç 30 qyteteve e qendrave zonale të banuara që janë pa spitale, janë edhe krejt zonat rurale në fshatra e ish-komuna të 29 rretheve skajore, të cilët detyrohen të shkojnë në spitalet rajonale ose në Tiranë 
Mbetja e 60% të zonave të banuara të vendit pa shërbim mjekësor, ka detyruar kryeministrin e “Rilindjes”, që t’i rikthehet edhe njëherë një vendimi të miratuar prej tij afro 2 vite më parë, nëpërmjet të cilit tentoi të “joshte” financiarisht mjekët e specialiteteve të QSUT dhe të spitaleve të tjera rajonale, me bonus ditor financiar mbi vlerën e pagës mujore që ata marrin! Sipas këtij vendimi, çdo mjek specialist nga Tirana që do të pranonte të shkonte për vizita, konsulta e shërbime të tjera mjekësore deri kirurgjikale në zonat e largëta, do të paguhej me një bonus shtesë, në vlerën 100 mijë lekë të vjetra, për çdo ditë shërbimi që mjeku do të kryente në zonat rurale, apo në spitale qytetesh e zonash pa mjekë specialistë! Ndërsa për mjekët e spitaleve rajonale të 11 qarqeve të tjera, të cilët do të shkonin për konsulta në zonat rurale, do të jepeshin 50 mijë lekë të vjetra bonus për çdo ditë shërbimi në zona, mbi pagën bazë mujore. Por, prej këtij vendimi me bonos 100 mijë lekë të vjetra në ditë, nuk u josh asnjë mjek specialist i Tiranës dhe asnjë mjek i spitaleve të rajonale. 
Oferta “1 milionëshe” u përsërit edhe ditën e prezantimit të ministres Manastirliu
Ditën e prezantimit të ministres së re të Shëndetësisë në QSUT, konkretisht në datën 13 mars 2017, duke përmendur “arritjet e mëdha të shëndetësisë falas”, “kontributin e çmuar për rilindjen e shëndetësisë e luftën kundër korrupsionit të bërë prej ish-ministrit Beqja” dhe garancinë e shtimit të sukseseve prej ministres Manastirliu nën shembullin e Beqjes”, kryeministri Edi Rama u kujtoi mjekëve, se është ende në fuqi oferta me bonusin “100 mijë lekë” mbi pagën ditore, për çdo ditë që mjekët specialistë do të shkojnë në zonat ku mjekësisë i kanë rënë “bomba”! kreu i qeverisë, duke pranuar heshturazi mungesën e plotë të shërbimit shëndetësor minimal dhe të shërbimit të specializuar mjekësor në zonat jashtë Tiranës dhe qendrave të qyteteve e prefekturave, u bëri edhe njëherë thirrje atyre, të shkojnë për vizita, konsulta e operacione në zonat ku mungojnë edhe infermierët e që punën e mjekëve e kryejnë veterinerët ose “mjekët e zotit” që vetëm yshtin të sëmurët e braktisur! Krahas ofertës 10 mijë e 50 mijë lekëshe si bonos ditor, kryeministri u premtoi se do të bëhet edhe një rritje me 25% për pagën e atyre që punojnë në “Riaminacion” dhe të atyre që punojnë në “Urgjencë”. Po kështu, premtoi se do dyfishohet paga në shërbimin e mjekëve roje dhe do të ketë rritje 20% bonusi ditor, për mjekët që do të shkojnë në qendrat shëndetësore dhe spitalet e zonave! Kujtojmë, që mjekët specialistë, pavarësisht se bonuset 100 mijë lekë e 50 mijë lekë të vjetra në ditë mbi pagën mujore, iu garantua me VKM të posaçme, nuk u nxitën të shkojnë për të shërbyer në spitalet bashkiake e rajonale. Sipas të dhënave, konfirmohet zyrtarisht se në muajin gusht 2015 nënshkruan kontrata vetëm 6 mjekë, nga 90 mjekë që nevojiten në spitalet e 24 rretheve, për 11 specialitete të ndryshme, por që edhe këta shkuan vetëm 2-3 ditë. Aktualisht, spitalet e rretheve vazhdojnë të jenë [a mjekë specialist, mbasi ata janë përqendruar në Tiranë, në spitalet rajonale kryesore ose kanë ikur jashtë Shqipërisë, ku natyrisht paguhen shuam herë më tepër, ku punojnë në kushte me komode e ndihen të lirë në profesionin dhe të drejtat e tyre si qytetarë! Mungesë mjekësh specialistë ka në Tepelenë, Vlorë, Sarandë, Korçë, Shkodër, Berat, Mat, Kukës, Pogradec, Dibër etj., pa përmendur 36 qytete ku ish-spitalet janë kthyer në ambulanca, që shërbejnë vetëm me ritualin formal “pritje-përcjellje” pacientësh drejt spitaleve të rretheve e qarqeve! Ka edhe një fakt: Janë 63 mjekë specialistë, të cilët paçka se paguhen në spitalet e zonave, nuk shkojnë në vendet e punës por e ushtrojnë profesionin në spitalet private në Tiranë! A do të joshen mjekët, nga thirrja dhe ofertë e përsëritur e kryeministrit Rama, bërë fillimisht në korrik 2015, por që dështoi?!
Mjekët shpërfillin bonusin ditor, nuk lënë asnjë sekondë “thes-arin” që kanë në Tiranë e prefektura
Tashmë është fakt, që thirrja e kryeministrit nuk u përfill, ashtu siç është fakt që afro 2 milionë banorë në shumë zona, nuk kanë shërbimin e specializuar për urgjencat dhe trajtimet mjekësore e madje as konsultat! Mjekët e përgjithshëm të qendrave shëndetësore, ambulancave, poliklinikave e spitaleve të rretheve, detyrohen t’i nisin pacientët drejt spitaleve rajonale, ose drejt Tiranës, pa llogaritur ata mijëra qytetarë që dynden përditë drejt Tiranës në QSU “Nënë Tereza” dhe qendra të tjera mjekësore shtetërore! Duke parë dyndjen drejt Tiranës apo drejt spitaleve qendrore rajonale dhe duke të gjendur faktit që asnjë mjek nuk joshet të shkojë në zona as me 100 mijë lekë e as me 50 mijë lekë në ditë mbi pagën mujore, shtohet një pyetje logjike: Çfarë mesazhi përcjellin mjekët e Tiranë, me shpërfilljen e bonusit ditor 100 mijë lekë në ditë që është sa vlera e 1 pensioni mujor invaliditeti, sa vlera e 1 pensioni fshati, sa vlera financiare e 3 muajve ndihmë ekonomike, sa 50% e pagës minimale zyrtare në Shqipëri?! E po kështu shpërfillja prej mjekëve të spitaleve rajonale, të bonusit 50 mijë lekë të vjetra në ditë që është sa 1 kuintal miell, sa 30% e pagës së një kamerieri, sa 40% e pensionit mujor që i jepet fëmijës së një polici të vrarë në krye të detyrës?! Mjafton t’i referohesh denoncimeve të shumta që bëjnë qytetarët për ryshfetet e majme që kërkojnë mjekët e qendrave spitalore për pranime, për vizita, për kontrolle në aparaturat elektro-mjekësore, për konsulta, shtrime e operacione dhe “bilanci” i fitimit të tyre bëhet shumë lehtë dhe qartë! Mjekët vazhdojnë ta refuzojnë bonusin 100 mijë lekë e 50 mijë lekë të vjetra në ditë mbi pagën mujore, për çdo ditë punë të bërë në zona, mbasi nuk mund të largohen nga “thes-ari” i spitaleve të Tiranës e prefekturave kua ta punojnë dhe komandojnë, veprojnë e sillen edhe hajdutërisht e brutalisht ndaj pacientëve! Komentet janë të tepërta!
Ja VKM nr. 685, datë 29.7.2015 
1. Në vendimin nr. 932, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm: Pas pikës 16 shtohet pika 16.1, me këtë përmbajtje: “Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, ministri i Shëndetësisë, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë, por jo më shumë se 200 mjekë në vit”. 

2. Këta mjekë të specialiteteve të ndryshme, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus në masën 100 000 lekë në muaj. 

3. Ky bonus, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, trajtohet sipas shkronjës “e”, të pikës 2, të kreut II, të vendimit nr. 77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”. 
“Mjekësia e rilindur”, mbi 1 milionë banorë në fshatrat e 29 rretheve janë pa shërbim mjekësor
Kryeministri foli për projektet e mëdha “rilindëse” në shëndetësi! Po cilat janë këto projekte, të cilat nuk duken gjëkundi në shërbimin ndaj qytetarit?! Nuk foli për shërbimin mjekësor shtetëror, që në këto afro 4 vite e ka katandisur në biznes koncesionesh për klientë të përzgjedhur. Nuk foli se përse shqiptarëve u shiten ilaçe të skaduar dhe me çmime 3-7 herë më të larta se në vendet e BE! Nuk foli, se përse në spitale të lënë të vdesësh nëse nuk paguan ryshfet. Nuk foli, se përse në spitale mungojnë edhe shtretërit dhe uji. Se përse në urgjencat mjekësore, njerëzit shtrihen korridoreve, se përse auto-ambulancat shkojnë me vonesë tek qytetarët dhe janë pa asnjë pajisje mjekësore të ndihmës emergjente, tamam si furgonët e mallrave. Kryeministri nuk foli, se përse shqiptarëve u janë hequr ilaçet me rimbursim se përse nuk ka mjek e shërbim mjekësor në fshatra, ku banon afro gjysma e popullsisë! Ata që banojnë në fshatra kanë nga 1 mjek e nga 1 infermier në komuna, sa për vizita formale e për injeksione dhe asgjë tjetër, mesatarisht 1 mjek dhe 1 infermier për 13 mijë banorë. Fshati shqiptar është pothuajse krejt pa shërbim mjekësor, vetëm në 6% të zonave të banuara ekziston ky shërbim jetik. Mjeku i zonës (në ato zona ku ka), për shkak të largësisë gjeografike nga një fshat e lagje në tjetrën, mund të shkoj pranë tyre vetëm 1 herë në 3 muaj. Pa llogaritur faktin, që mjekët e fshatrave e të zonave banojnë në qytet dhe 30% të ditëve të muajit, siç rezulton nga investigimi, rezulton (sipas tyre) se e kalojnë “nëpër mbledhje” në drejtoritë rajonale dhe në qendrat shëndetësore të rretheve, prej nga janë në varësi. Nuk e kemi fjalën për cilësinë dhe kompletimin spitaleve e të shërbimit shëndetësor, por për mos ekzistencën e këtij shërbimi në gjithë zonat. Shqipëria është i vetmi vend në rajon e në Evropë, që mbulohet vetëm në masën 45% me shërbim shëndetësor. Përveç 30 qyteteve e qendrave zonale të banuara që janë pa spitale, janë edhe krejt zonat rurale në fshatra e ish-komuna të 29 rretheve skajore, të cilat nuk kanë jo vetëm shërbim spitalor e ambulator, por as një lloj shërbimi mjekësor. Këtë shërbim, banorët detyrohen ta kryejnë në qendrat e rretheve, ose të prefekturave. Është fakt, që aktualisht në të gjithë qytetet e madje edhe rrethet e vendit mungojnë mjekët e specialiteteve, ndërkohë që qytetarët sëmuren edhe më keq se sa janë të sëmurë, duke udhëtuar qindra kilometra drejt spitaleve në qendrat e prefekturave. 
Sigal