Mistika hyjnore e 28 Nëntorit, Ditës Kombëtare të Shqiptarëve

553
Sigal

Prof. Dr. Lush SUSAJ

Platoni (427-347 p e r) thoshte: “Të duash të vërtetën para pikëpamjes tënde”. Ndërsa Ogyst Konti (1789-1857), ka shkruar: “Duhet të përpunohet një moral shoqëror i bazuar në shkencën e së vërtetës dhe të mirës shoqërore”. Për të vërtetën dhe të mirën shoqërore nuk është kurrë vonë për të korrigjuar gabimet e bëra me ngjarjet, objektet dhe personazhet historike. Kurrë nuk është vonë për të ndriçuar të vërtetat historike që përmirësojnë dhe zhvillojnë moralin, etikën dhe elementët përbashkues të shoqërisë. Në këtë kontekst, hedhja dritë mbi të vërtetën e simboleve të përdorura, mbi ngjarjet që përgatitën shpalljen e pavarësisë, mbi personazhet, mbi atmosferën dhe mbi diskutimet e datës 28 Nëntor 1912, i shërben vetëm përbashkueses dhe zhvillimit të qëndrueshëm të një morali e sjellje shoqërore pozitiviste ndaj historisë, trashëgimisë dhe vlerave tona shoqërore e politike. Më konkretisht, në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë, paraqesin interes disa të reja të cilat flasin për atë mistikën hyjnore (në dukje rastësi), nga ku merr përgjigjen pyetja se si ka mundësi që pas 469 vitesh të pushtimit otoman, ka një nëntor të dytë të shqiptarëve në të cilin, përsëri me ndihmën e Zotit dhe amanetit të Gjergj Kastriotit, është përdorur një flamur kombëtar i lënë amanet nga Kastrioti dhe me lejen e Isma Qemal Vlorës, është ngritur po nga dora e një pasardhësi tjetër i Kastriotit. Lidhur me këtë fakt, nga njëra anë kemi ato që për vite e dekada me radhë janë shkruar në tekstet e historisë dhe në krijimtarinë letrare e muzikore në të cilat thuhet se flamuri i përdorur në ditën e pavarësisë në Vlorë është qëndisur nga Marigoja. Ndërsa nga ana tjetër kemi dëshmitë dhe faktet e shkruara nga personazhet më të ditura e më të rëndësishme të kohës të cilët tregojnë se me datën 28 Nëntor 1912, shqiptarët janë bashkuar përsëri rreth flamurit të tyre hyjnorë të lënë amanet nga pasardhësit e Skënderbeut, Aleandro Kastrioti. Kontributi i Ismail Qemal Vlorës dhe firmëtarëve të tjerë të pavarësisë, pavarësisht nga falsifikimet monstruoze të historiografisë komuniste dhe persekutimeve të pashembullta të familjeve të tyre, do të vlerësohen dhe kujtohen në jetë e breza, sidomos në përvjetorët dhe festat tona kombëtare dhe familjare.

Për të mos u zgjatur në këtë pjesë, për lexuesin po sjell në kujtesë një përfundim nga hulumtimi shkencor i Blendi Fevziut (Tiranë, 2012), në të cilin tregohet shumë çartë mënyra se si janë trajtuar personazhet dhe ngjarjet e rëndësishme historike. Në këtë punim, Blendi Fevziu nënvizon se: “Nga 40 firmëtarët e pavarësisë së shënuar në procesverbalin e datës 28 Nëntor 1912, një u pushkatua (Lef Nosi), 3 delegatë vdiqën në burgjet komuniste, 4 delegatë u arratisën jashtë Shqipërisë, 6 delegatë u burgosën, ndërsa 15 delegatë të tjerë të kuvendit të Vlorës u dëbuan dhe vdiqën me mall në emigracion”. Duket që falsifikimi dhe fshehja e origjinës së vërtetë të flamurit të pavarësisë ka lidhje me një përpjekje mjerane të sundimtarëve antikombëtarë për të anashkaluar kontributin e real të arbëreshëve, të rilindësve si De Rada dhe të pasardhësve të Gjergj Kastriotit. Megjithatë, me faktet e marra nga arkivat austriake, do të hedhim pakëz dritë mbi faktin se si Alenadro Kastrioti (që i ka kontribuar aq shumë pavarësisë së Shqipërisë), pavarësisht se për arsye të moshës së thyer nuk arriti ta përjetojë këtë ditë, flamurin dhe amanetin e arbëreshëve dhe rilindësve të tjerë diti ta lërë amanet tek burrat e shquar të familjes Vlora, familja më elitare dhe më e madhe e shekujve XVIII-XIX. Mbi origjinën e flamurit të ngritur me 28 Nëntor 1912, Eqerem Vlora pohon se ai flamur është ruajtur në shtëpinë e tij në Vlorë dhe i ka qenë lënë amanet që në vitin 1904 nga Aleandro Kastrioti. Ndërsa për Aleandro Kastriotin, Eqerem Vlora ka shkruar: “Don Alandro ka qenë një burrë i kulturuar dhe i arsimuar. E vetmja gjë që e bënte disi qesharak ishte mania e tij, thuajse fëmijërore, për t’u quajtur shqiptar dhe për të bërë diçka të madhe për Shqipërinë që të kishte kështu të drejtë mbi fronin shqiptar. Sidoqoftë, ai ka qenë një burrë fisnik, i ngeshëm dhe i pashëm, i cili me maninë e tij, jo vetëm nuk dëmtoi askënd, por i bëri shërbim të madh popullit shqiptar, sepse propaganda e tij (që i kushtoj jo pak para) zgjoi interesin për Shqipërinë në shumë rrethe politike dhe gazetareske”. Dihet se si Aleandro Kastrioti për shkak të moshës së madhe, nuk arriti që ta shohë të realizuar ëndrrën shekullore të arbëreshëve dhe të familjes së tij. Për fatin tonë të keq, për vite e dekada me radhë, Aleandros iu mohua edhe kontributi, edhe shpenzimet dhe lidhja me flamurin e lënë amanet në një familje dhe në një dorë të sigurt në Vlorë. Për flamurin dhe amanetin e Aleandro Kastriotit, Ekrem Vlora (Kujtime, 1885-1925, f 15-16), ka shkruar: “Don Alandro na ftoi për darkë në vilën e madhe si pallat, të një kushëriri të tij, ku na njohu me shoqërinë e lartë të pranishme. Pasi përfundoi darka, një shërbëtor solli një kuti kadifeje të kuqe mbi një tabaka argjendi dhe e vendosi para Don Aleandros” dhe më poshtë ai vazhdon: “Unë jam plak, nuk e di a do të jetoj deri në ditën që Shqipëria do të shpallet e pavarur. Vetëm se jam i bindur se ajo ditë po afrohet me hapa viganë. Pastaj Aleandro hapi kutinë e kadifenjtë, nxori prej aty një flamur shqiptar dhe ma dha mua duke më thënë: “Ditën që do të plotësohet ëndrra ime, po ju ngarkoj ta ngrini këtë flamur dhe të mendoni për mua”.. Në këtë mënyrë, Aleandro Kastrioti ka meritën e pakontestueshme që projektin, amanetin dhe flamurin kombëtar diti ta adresojë në dorë të sigurt të një familje të madhe patriotike dhe të një intelektuali të ditur e të respektuar. Koha e provoi faktin që amanetin nuk e tretë as dheu dhe se Zoti nuk ia humb askujt emrin, nderin as kontributin e dhënë ndaj atdheut. Më poshtë Ekrem Vlora ka shkruar se: “Pesë vjet rresht e ruajta këtë flamur në dhomën time të gjumit, varur në një gozhdë anash krevatit derisa erdhi dita që kishte profetizuar don Aleandro i gjorë dhe krejt pa pritur e krejt rastësisht, ky flamur u ngrit vërtet si symbol i Pavarësisë së Shqipërisë” Me datën 28 Nëntor duket që është bërë vullneti i zotit. Në këtë hyjnore për kombin shqiptarë, nuk mund të ngrihej asnjë flamur tjetër pos atij të Kastriotit. Ky realitet nuk mund të falsifikohet kurrë sepse këtu qëndron pjesa hyjnore e përsëritjes së datës dhe flamurit tonë identitar pas 469 vitesh. Historianë servilë dhe sipërfaqësorë, për vite e dekada me radhë kanë dezinformuar opinionin me sajesa të tilla sikur pavarësia e Shqipërisë është kurorëzuar duke ngritur një flamur të qëndisur nga Marigo Pozio që sipas tyre na ishte qëndisur brenda natës. Kjo është e pamundur edhe nëse bazohemi në faktin e thjeshtë e të ditur, sipas të cilit Ismail Qemal Vlora dhe ata që e shoqëronin kanë arritur në Vlorë në natën e 27 Nëntorit, kur të gjithë kishin rënë në gjumë. Ndërsa flamuri është varur në derën e Vlorajve rreth orës 16 të datës 28 Nëntor. Për lidhjen e drejtpërdrejtë midis Kastriotëve dhe flamurit të ngritur në ditën e pavarësisë, na dëshmon edhe libri me kujtime i Maria Godin (Amelie Freein von Godin) i botuar në vitin 1913 dhe i ribotuar në vitin 1914. Në librin me titull “Aus Dem Neuen Albanien”, Maria Godin, e dashura e Ekrem Vlorës, tregon se si me datën 28 Nëntor, ajo është gjendur në Vlorë, saktësisht në shtëpinë e Xhemil Vlorës ku dhe janë zhvilluar diskutimet dhe ngjarjet e pavarësisë. Ndërsa Ekrem Vlora, atë ditë ndodhej në krye të 100 luftëtarëve në mbrojtje të Himarës dhe Vlorës nga sulmet e ushtrisë greke. Në këtë libër, Maria Godin ka shkruar: “Më në fund arriti në Vlorë natën e datës 27 Nëntor, kur të gjithë ishin në gjumë. Të nesërmen me 28 Nëntor….nuk isha zgjuar akoma kur më thirren në Selamllek. Atje takova Hydaj Efendiun, njërin nga agatë më të ndershëm të Vlorës. Ne e dimë baroneshë, me tha ai mue, se Ekrem Vlora e ka një flamur shqiptar. Ma jepni ju lutem se ai sot do të ngrihet, pasi do ta shpallim pavarësinë e Shqipërisë. Në të njëjtën ditë vërtet u ngrit flamuri shqiptar në derën e hyrjes së Xhemil Vlorës” Në vazhdim, Maria Godin ka shkruar: “Në dritare ishte Ismail Qemal Bej me të gjithë delegatët e qyteteve të Shqipërisë veriore, të cilët kishin ardhur me të….Abdi Bej Toptani, Murat Bej Toptani, Sali Efendi Gjuka, Midat Bej Frashëri, Don Nikolla Kaçorri, Riza Bej Gjakova dhe shumë të tjerë”.

Në kujtimet e saj, Maria Godin ka treguar me hollësi edhe faktin se si në orën 16-të, Ismail Qemal Vlora ia ka dhënë flamurin Murat Bej Toptanit për ta ngritur me dorën e tij në derën e hyrjes së shtëpisë së Xhemil Bej Vlorës. Duket që asgjë nuk ka qenë spontane dhe as e rastit. Përkundrazi edhe tek ky fakt, shohim që ka një tjetër element të mistikës hyjnore po të kemi parasysh origjinën e familjes Toptani nga Prend Topia që ka qenë djali i motrës së Gjergj Kastriotit. Sipas gjenealogjisë (Vjenë, 2012), Toptanët janë pasardhës të Prend Topisë, djalit të vogël të motrës së Gjergj Kastriotit. Në këtë gjenealogji është shkruar se si gjatë një beteje në mbrojtje të Kalasë së Krujës, në fillim është vrarë nga osmanët dhëndri i Gjergj Kastriotit dhe më pas janë masakruar edhe gruaja me dy djemtë e tij. Ndërsa djali i vogël i quajtur Prend Topia është shpëtuar nga një jeniçer i quajtur Osman Bogdani me origjinë nga Rahica. Për ta fshehur, Osmani e quajti Prendin me emrim e ri Ali Toptani dhe e ndihmoi shumë në karrierën e tij ushtarake. Për shkak të meritave luftarake, sulltan Bajaziti (Ilderim) e rehabilitoi Aliun duke e njohur atë si trashëgimtar të familjes Topiaj. Me këtë rast, sulltani ia ktheu Aliut (Prendit) tokën dhe pasurinë e të parëve të tij. Në këtë mënyrë, me datën 28 Nëntor 1912, nuk ka pasur asgjë të rastësishme dhe asgjë të padëshiruar. Në këtë datë hyjnore, pasardhësit e drejtpërdrejtë të Gjergj Kastriotit, rreth 444 vjet pas vdekjes së tij, kanë ringritur në Vlorë flamurin kombëtar, duke kurorëzuar kështu projektin dhe amanetin e Gjergj Kastriot-Skënderbeut.