Miratohet programi i pagesave për të papunët

664
Përcaktohen kategoritë që përfitojnë, përjashtimet, dokumentacioni dhe kërkesat për secilin aplikant
Qeveria miratoi dje programin e pagesës të së ardhurës nga papunësia. Nga ky program do të përfitojnë të ardhura nga papunësia të gjithë personat e siguruar, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara në ligjin “Për sigurimet shoqërore”.

Nuk përfitojnë të ardhura nga papunësia personat, të cilët:
a) ndërpresin aktivitetin si punëdhënës dhe të vetëpunësuar;
b) largohen nga puna me dëshirën e tyre;
c) plotësojnë kriteret për pension pleqërie, invaliditeti apo familjar, paaftësi të përkohshme në punë apo sëmundje profesionale.
Personave, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara në pikën e mësipërme, u paguhet e ardhura e pagesës së papunësisë në varësi të periudhës së kontributit në sigurimet shoqërore, derdhur nga punëdhënësi, si më poshtë vijon:
a) 3 muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën, 1 vit;
b) 6 muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën, 3 vjet;
c) 9 muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën, 5 vjet;
ç) 12 muaj, për personat me një periudhë kontributi mbi 10 vjet;
d) Personat gra mbi 55 vjeç dhe burra mbi 60 vjeç përfitojnë pagesë papunësie 12 muaj, me kusht që të kenë kontribuar 1 vit në sigurimet shoqërore, për çdo rast përfitimi.
Për rastet e paraqitjes së kërkesave të përsëritura për përfitim, llogaritja e periudhës së kontributeve fillon me përfitimin e fundit të pagesës të të ardhurave nga papunësia.
Personat, të cilët aplikojnë për të përfituar të ardhura nga papunësia, duhet të paraqesin dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Kërkesë për aplikim;
b) Librezë pune;
c) Dokument identiteti (fotokopje);
ç) Vërtetim për ndjekjen e arsimit të mesëm, për fëmijët në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, dhe për personat që ndjekin arsimin e lartë apo janë të paaftë (KMCAP), deri në moshën 25 vjeç.

Zyrat e punësimit kanë përgjegjësinë të sigurojnë, për secilin aplikues, dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Certifikatë të gjendjes familjare;
b) Vërtetim nga dega e tatim-taksave se personi nuk është subjekt i regjistruar pranë këtyre organeve;
c) Vërtetim nga dega e tatim-taksave ose e sigurimeve shoqërore se personi ka derdhur kontribute për periudhën e kërkuar, përkatësisht sipas shkronjave “a, “b”, “c” dhe “ç”.
Personave përfitues të pagesës të së ardhurës nga papunësia u ndërpritet përfitimi kur: 
a) refuzojnë të punësohen ose të ndjekin një program punësimi të përshtatshëm, të ofruar nga zyra e punësimit;
b) refuzojnë të marrin pjesë në kurse trajnimi dhe kualifikimi, të ofruara nga zyra e punësimit;
c) nuk paraqiten një herë në muaj;
ç) plotësojnë kriteret për pension pleqërie, invaliditeti apo familjar.
Personat duhet të njoftojnë brenda 5 ditëve zyrën përkatëse të punësimit nëse gjatë periudhës së përfitimit të pagesës të së ardhurës nga papunësia:
a) punësohen ose vetëpunësohen;
b) kanë ndryshime në gjendjen familjare (lindje apo vdekje);
c) personat që ka në ngarkim të tij kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe ata që studiojnë apo janë të paaftë (KMCAP) kanë mbushur moshën 25 vjeç.
Në të kundërt, ata duhet të kthejnë shumën e të ardhurave që kanë përfituar gjatë kësaj periudhe në mënyrë të padrejtë, në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore.
Masa e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia për çdo përfitues është 50% e pagës minimale në shkallë vendi.
Personat, të cilët plotësojnë kushtet për përfitimin e së ardhurës nga papunësia, kanë të drejtë të marrin të ardhura shtesë familjare mbi masën e nivelit bazë, në masën 5% të të ardhurave nga papunësia, për çdo fëmijë në ngarkim, deri në moshën 18 vjeç, si dhe për personat që janë duke vazhduar studimet ose janë të paaftë (KMCAP), deri në moshën 25 vjeç. Shtesa familjare për çdo fëmijë, në masën 5% të nivelit bazë, nuk duhet të jetë më shumë se 30%.
Fëmijët mbi moshën 15 vjeç (mosha minimale sipas Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë), të cilët janë në ngarkim të personit përfitues të së ardhurës nga papunësia dhe që nuk janë të përfshirë në sistemin arsimor, nuk do të përfitojnë shtesën familjare prej 5%.
Kur prindërit janë të divorcuar me vendim gjykate, shtesën familjare e merr prindi që ka fëmijën në ngarkim.
Në rastet e punësimit të përkohshëm gjatë periudhës së përfitimit të pagesës të së ardhurës nga papunësia, e ardhura e papunësisë merret me ndërprerje, si më poshtë vijon:
a) Brenda 6 muajve, për personat që e përfitojnë pagesën për 3 muaj;
b) Brenda 12 muajve, për personat që e përfitojnë pagesën për 6 muaj;
c) Brenda 18 muajve, për personat që e përfitojnë pagesën për 9 muaj;
ç) Brenda 24 muajve, për personat që e përfitojnë pagesën për 12 muaj.
Përfituesi i pagesës të së ardhurës nga papunësia është i detyruar të paraqitet në zyrën e punësimit një herë në muaj për të konfirmuar prezencën e tij ose sa herë thirret nga kjo zyrë, me qëllim punësimin e tij.

Rastet e përligjura, kur përfituesi është i justifikuar për mosparaqitje, janë:
a) sëmundje, e vërtetuar me dokumente (fletë-shtrimi në spital);
b) vdekja e një pjesëtari të familjes, e vërtetuar me certifikatë vdekjeje;
c) ndalimi nga organet e drejtësisë.
Për të gjitha rastet e përmendura më sipër, pagesa e së ardhurës nga papunësia nuk do të regjistrohet në listëpagesën e muajit. Kjo e ardhur do të paguhet në momentin që personi paraqitet në zyrën e punësimit me një nga dokumentet justifikuese. Në rast të kundërt, kjo pagesë do të derdhet në buxhetin e shtetit dhe është e pakthyeshme.
Pagesa e së ardhurës nga papunësia është mujore dhe paguhet përpjesëtimisht me numrin e ditëve kalendarike, për kohën që përfituesi ka të drejtë ta marrë këtë të ardhur. Pagesa merret një herë në muaj, pranë bankës përkatëse.
Periudha, gjatë së cilës përfituesi merr pagesën e së ardhurës nga papunësia, njihet si vjetërsi pune, e siguruar për efekt pensioni pleqërie, familjar dhe invaliditeti.
Në rast se gjatë kohës së përfitimit të së ardhurës nga papunësia përfituesi largohet me banim (leje banimi) në një vend tjetër, zyra e punësimit dërgon zyrtarisht dosjen me dokumentacionin përkatës në zyrën e punësimit të rrethit ku ai është transferuar.
Punëkërkuesi i papunë, i cili qendrën e fundit të punës e ka në juridiksionin e një zyre tjetër punësimi nga vendbanimi aktual, pasi të ketë konfirmuar formularin e dyfishtë në organet e sigurimeve shoqërore, ku ka qenë qendra e fundit e punës së tij, fillon procedurën e aplikimit. Caktimi i përfitimit bëhet në zyrën e punësimit ku ka vendbanimin aktual.
Financimi i programit të pagesës të së ardhurës nga papunësia mbulohet nga fondet vjetore të buxhetit të shtetit, në zërin 606, “Pagesa e së ardhurës nga papunësia”, miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
Të papunët, pagesë për kurset profesionale
Qeveria vendosi të japë një pagesë të veçantë për të gjithë të papunët, të cilët pranojnë të marrin pjesë në një kurs të formimit profesional. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që përcakton se të papunët që ndjekin këto kurse mund të përfitojnë një pagesë deri në nivelin 50 % të të ardhurës nga papunësia. 

Vendimi
1 – Punëkërkuesit e papunë, të cilëve u është ofruar dhe kanë pranuar të marrin pjesë në një kurs të formimit profesional (kurse profesionesh), mund të përfitojnë një pagesë pjesëmarrjeje në kurs, në masën 50% të së ardhurës nga papunësia, me kusht që ata të mos përfitojnë gjatë kësaj periudhe ndihmën ekonomike ose pagesën e papunësisë.
2 – Pagesa jepet për ndjekjen vetëm të një kursi, gjatë gjithë kohëzgjatjes së tij.
3 – Punëkërkuesit e papunë, sipas pikës 1, përfitojnë një herë të vetme nga ky program.
4 – Në zyrën e punësimit ngrihet komisioni i vlerësimit, i përbërë nga, të paktën, tre persona, i cili vlerëson rast pas rasti punëkërkuesit të cilët do të marrin këtë pagesë, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren përkatëse.
5 – Pagesa kryhet nga zyra përkatëse e punësimit, pas dërgimit të një konfirmimi nga institucioni ofrues i kursit që pjesëmarrja në programin e formimit profesional është e rregullt.
6 – Drejtoritë rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit informojnë çdo muaj drejtoritë rajonale të shërbimit social shtetëror për personat që kanë përfituar nga programet e formimit profesional, shoqëruar me listën emërore dhe programin, nga i cili kanë përfituar.
7 – Në rastet kur vendbanimi i punëkërkuesit të papunë është mbi 2 km larg institucionit ofrues të kursit të formimit profesional, zyra e punësimit paguan një kosto mujore transporti, në masën e përcaktuar në kuadrin ligjor për tarifat e transportit të udhëtarëve.
8 – Financimi i këtij programi mbulohet nga fondet vjetore të buxhetit të shtetit, zëri “Nxitja e punësimit”, miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
9 – Shërbimi Kombëtar i Punësimit monitoron ecurinë e programit dhe përgatit raporte vjetore, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës, të cilat ia paraqet strukturës së ndihmës shtetërore në ministrinë përgjegjëse.
10 – Programi të fillojë të zbatohet gjatë vitit 2018 dhe kohëzgjatja e tij të jetë 5 vjet.
Sigal