Ministri i Drejtësisë Manja: Antikorrupsioni, 7 zyrtarë të kadastrës në SPAK dhe Prokurori

226
Sigal

Ministri  Ulsi Manja, ka bërë publike punën e Drejtorisë Antikorrupsion, dhe ecurinë e saj në përballje me abuzimet nga zyrtarët si dhe me denoncimet e qytetarëve kundrejt tyre. Më poshtë, deklarata e plotë e Ministrit të Drejtësisë: Sot fillojmë me kallzimet e rasteve të para që lidhen me abuzimet në Kadastër. Dy rastet e para që do të bëjmë publike sot, për njërën do të bëjmë kallëzim në SPAK dhe për tjetrën do t’i drejtohemi prokurorisë së Tiranës.

Rasti i parë, i përket Drejtorisë së Zonave Turistike. Është një rast flagrant, një ndërtim pa leje, brenda territorit të një ndërtese publike, më saktë, një ndërtim pa leje mbi një objekt publik. Sot që po flasim së bashku, është kopsht publik, mësojnë fëmijët në atë kopsht. Rasti ka të bëj me Njësinë Administrative Ishëm, në Bashkinë Durrës. Është legalizuar një objekt pa leje brenda territorit të këtij kopshti publik, i cili përdoret edhe si ambjent shtesë për shkollën e këtij fshati. Madje ndërtimi pa leje është bërë direkt mbi kopshtin, pa një studim, pa një projektim është shtuar një kat në kopshtin ku aktualisht shkojnë mësojnë fëmijët e kësaj njësie. Legalizimi është kryer në mënyrë abusive, pasi ligji përjashton nga procedurat e legalizimit, objektet e ndërtuara në territorin e ndërtesave publike, aq më tepër që ky objekt sot, vazhdon të jetë në pronësi të Njësisë Administrative Ishëm, pra i ka kaluar me Vendim të Këshillit të Ministrave, Njësisë Administrative Ishëm, ndërkohë që zyrtarët përkatës që do të denoncohen sot në SPAK, e kanë disponuar këtë objekt me legalizim fillimisht për privatin dhe më pas e kanë hipotekuar më pas për privatin. Për këtë vepër penale kemi vendosur të dërgojmë në Prokurori 6 persona, mes të cilëve ish punonjës dhe punonjës aktual të Drejtorisë së Zonës Turistike dhe të ASHK Vendore Durrës, të cilët me veprimet e tyre, që nga matjet në terren dhe deri tek legalizimi i objektit kanë shpërdoruar detyrën në mënyrë flagrante. Rasti i dytë ka të bëj me regjistrimin e një prone pa kërkesë dhe pa dokumentacion. I përket Drejtorisë së Tiranës Rurale 2 në Agjencinë Vendore dhe është rasti klasik se si shteti, zhvishet nga pronësia, nëpërmjet veprimeve fiktive, nga punonjës shtetëror të Kadastrës. Në kartelën manuale të pasurive, prona rezulton shtet, ndërsa në sistem, pasuria rezulton në emër të një qytetari, pa dokumentacionin përkatës të fitimit të pronësisë dhe më flagrant  është fakti se qytetari nuk ka bërë as kërkesë për regjistrimin e kësaj prone. Gjithashtu në listën e trojeve kjo pasuri figuron me tre cilësi të ndryshme. Një herë është në emër të një qytetari, herën e dytë kartela manuale është shtet, ndërsa herën e tretë po kjo pasuri në sistem është regjistruar në emër të një qytetari tjetër pa dokumentacionin e fitimit të pronësisë. Në total janë kryer veprime të paligjshme në tjetërsimin e një mijë metër katror tokë dhe njëqind e dyzet metër objekt. Të gjitha këto veprime janë kryer vetëm nga një person, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për kadastrën, është i njëjti person që i ka bërë të treja këto si procese pune: Pra edhe specialistin, edhe përgjegjësin edhe drejtorin për firmën, për të administruar pronën. Për këto raste, si Koordinator kundër Korrupsionit, kam firmosur kallzimet respektive edhe në SPAK, edhe në Prokurorinë e Tiranës.