Gjatë fjalës së saj në AMF, që organizon Konferencën Ndërkombëtare, “Zhvillimi i Sektorit të Sigurimeve – Mundësitë dhe Sfidat në Europën Juglindore”, Drejtoresha Ekzekutive në detyrë e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Mimoza Kaçi, tha se zbatimi i ligjit të ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit ka sjellë një sërë zhvillimesh pozitive në këtë segment të tregut. Kjo konferencë zhvillohet dy ditë pas Samitit të Procesit të Berlinit, të zhvilluar në Tiranë, për herë të parë në një vend jashtë Bashkimit Evropian. Në këtë klimë optimiste për Ballkanin Perëndimor, edhe ky event sot, bën bashkë të gjithë aktorët me rol kyç në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të sigurimeve – nëShqipëri, por dhe më gjerë në rajonin tonë. Tregu shqiptar i sigurimeve, në vazhdimësi ka shfaqur tendenca në rritje, në terma të të ardhurave, numrit të kontratatave, aseteve nën menaxhim, dhe dëmeve të paguara. Dua të nënvizoj një tregues, primi bruto për frymë të popullsisë. Në një periudhë 8 vjeçare primi për frymë është rritur mbi 83 %, që flet për rritjen e tregut dhe ndërgjegjësimin e popullsisë. E megjithatë, tregu i sigurimeve ende mbizotërohet nga produktet e sigurimit të detyrueshëm. Ky treg, ka treguar qëndrueshmëri ndaj ngjarjeve madhore të viteve të fundit, si ngjarjet e tërmeteve të vitit 2019, pandemia COVID-19, por edhe ndaj efekteve të mjedisit makroekonomik botëror. Autoriteti, në rolin e tij si mbikqyrës dhe rregullator i tregut të sigurimeve, ka monitoruar dhe është kujdesur për një mbikqyrje efektive, në mbrojtje të interesave të konsumatorëve dhe ruajtjes së treguesve financiarë. Arritje për Autoritetin shënoi vlerësimi gjithpërfshirës i bërë nga Organizata Ndërkombëtare e Mbikqyrësve në Sigurime (IAIS), nga ku rezultoi një nivel i lartë përputhshmërie me Parimet Themelore në Sigurime, ICP. Ky është një sinjal pozitiv në mbështjetje të zhvillimit dhe zgjerimit të tregut të sigurimeve në vend, dhe krijon premisa për rritjen e pranisë së investitorëve ndërkombëtarë, por edhe zgjerimin e aktivitetit të aktorëve aktualë të tregut. Dhe në vijim të këtyre vlerësimeve, kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin e mirë, që në vitin 2025 Shqipëria do të jetë vendi pritës i Konferencës Vjetore të IAIS, aktiviteti më i rëndësishëm vjetor i sektorit të sigurimeve në nivel global.