Mimoza Hafizi: Kërkojmë satelitë, por njerëzit po na ikin

116
Sigal

Astrofizikantja Mimoza Hafizi, ka folur për satelitët që do të monitorojnë Shqipërinë, të propaganduara nga kryeministri Rama, si një “epokë e re” për Shqipëri, që sipas tij, pas 32 vitesh, do të luftojnë krimin dhe korrupsionin. Hafizi, shpjegoi disa detaje nga satelitët që ka kontraktuar qeveria, por shprehu keqardhje që nuk investohet te “njerëzit dhe dija”, duke iu referuar faktit se shumë të rinj po largohen nga vendi dhe se në shumë degë kanë mbetur fare pak studentët dhe ato po mbyllen.“Nga njëra anë kërkojmë të kemi satelitë, por nga ana tjetër nuk kemi njerëz. Mendja prodhon progres dhe ide. Një shtet i zgjuar duhet të prodhojë mendje. 6 milionë euro janë goditëse, ndërkohë që në arsim mund të ishin mjaft të dobishme dhe të vlefshme. Unë i shoh studentët e mi dhe e di që nëse investohet te ata, ata mund të prodhojnë shumë. Por, ata ikin dhe në Shqipëri nuk ka njerëz, jo për të ngritur satelitë, por as për të kuptuar”, -tha Hafizi. Pedagogia shpjegoi çfarë janë konkretisht satelitët e kontraktuar nga Shqipëria.“Njerëzit hedhin satelitë prej shumë dekadash. Janë arritjet spektakolare të njerëzimit, për komunikimin dhe të mirat që kemi në shekullin e 21. Satelitët e blerë nga Shqipëria, janë dy mikro satelitë. Edhe unë kam gërmuar shumë për t’i gjetur. Nuk ka të dhëna zyrtare nga qeveria dhe shteti, por u detyruam të gërmojmë lidhje pas lidhjes për të kapur disa copa, për të plotësuar mozaikun se çfarë janë këto objekte. Kompania e kontraktuar ka rreth 35 satelitë, që bashkërisht mund të japin një kartografi të globit. Të kesh satelitë vetëm për Shqipërinë është absurde, sepse do të kalonte vetëm një minutë në vendin tonë. Nuk mund të rrijë më shumë sesa 1 minutë. Duke qenë një konstelacion, që janë pronë e kompanisë, këto bashkë e bëjnë më interesant, sepse rritet probabiliteti që pikat e interesit të vizitohen edhe më shpesh.