Milionat për inceneratorin nuk e shpëtojnë Fierin nga tymi i djegies së plehrave

84
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Inceneratori i Fierit, një koncesion i debatuar, që u kushtoi taksapaguesve 28 milion euro, duhej të kishte filluar punë prej muajsh, por në vend të tij qyteti dhe rrethinat janë mbuluar prej tymit toksik të krijuar prej zjarrit të rënë në venddepozitimin e mbetjeve në Sheq.

Për të tretën ditë me radhë qyteti i Fierit, rrethinat dhe bashkitë e tjera kufitare janë mbuluar nga tymi prej zjarrit, që ra në fushën e mbetjeve që ndodhet në fshatin Sheq të Madh. Zjarri filloi paraditen e së martës, ndërsa tymi mbuloi qytetin e Fierit dhe bashkitë fqinje.

Sipërfaqja që është nën flakë, apo që është djegur tashmë është tepër e madhe, ndërsa vijon pa shkëputje puna e makinerive të rënda dhe zjarrfikësve të të gjithë qarkut, për vënien nën kontroll të flakëve dhe normalizimin e situatës.

Problemi më i madh është ai i qytetarëve, jo vetëm të zonës përreth, por edhe të të gjithë qytetit të Fierit, pasi tymi ka shkaktuar një situatë aspak të mirë, ku dëmet në shëndet janë të konsiderueshme, duke pasur parasysh se tashmë po thithin tymin prej tre ditësh.

Ndërkohë, në lidhje me këtë problematikë, mësohet se janë vënë në dispozicion disa bote, të cilat po kryejnë dezinfektimin e rrugëve kryesore të qytetit, si pasojë e ndotjes që ka përfshirë këto dy ditët e fundit.

Pas akuzave të opozitës, por edhe denoncimeve në media se inceneratori i Fierit ishte një vepër fantazmë që thithte para publike, në tetor të vitit të kaluar kompania koncesionare u detyrua të reagojë publikisht.

Në të njëjtën ditë, Edi Rama u shfaq në emisionin Opinion në Klan, ku dha dhe afatin e përfundimit të inceneratorit. Dhjetori kaloi. Por as landfilli dhe as impianti i djegies nuk u vunë në punë. Megjithatë disa muaj më pas kryeministri u shfaq sërish tek inceneratori i Fierit, në kulmin e fushatës elektorale.

Arjan Ndreu, drejtor i Ndërmarrjes së Pastrimit në Fier, i tha BIRN se zjarri ishte pasojë e temperaturave të larta. Ai shpjegoi se fusha e mbetjeve çlironte gaz metan dhe se një shkëndijë ishte e mjaftueshme për t’i vënë zjarrin mbetjeve.

Në venddepozitimin e mbetjeve në Sheq të Madh është shpallur emergjencë mjedisore që përpara 10 vitesh. Ajo është hapur 50 vjet më parë dhe shërbente për grumbullimin e mbetjeve urbane të qytetit – në atë kohë me 20 mijë banorë. Tani kjo ‘bombë’ mjedisore grumbullon mbetjet e një bashkie me 200 mijë banorë, ç’ka ka bërë që të dalë jashtë funksionit.

Situata në Fier nuk është e para krizë menaxhimi mbetjesh këtë verë. Më herët bashkitë bregdetare të Kavajës dhe Durrësit, u përballën me probleme të mungesës së venddepozitimeve, ndërsa mbetjet mbetën të papastruara në rrugë për ditë me rradhë.

Koncesionet e inceneratorëve po hetohen nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhr Korrupsionit, SPAK.