Miliona euro evazioni fiskal me ilaçet në trekëndëshin Kinë-Shqipëri-Itali

445
Sigal

Evazion fiskal, miliona euro të ilaçeve në trekëndëshin Kinë – Shqipëri – Itali

Tre kompani biznesi që operojnë në sektorin e prodhimit e tregtimit të produkteve mjekësore, njëra prej të cilave me seli në Tiranë e dy të tjera në Cosenza të Italisë akuzohen nga Policia Financiare italiane për mashtrim fiskal në fryrje të faturave të tyre të tregtimit të ilaçeve me qëllim uljen e taksës tatimore. Ilaçet, të cilat bliheshin me çmim mjaft të lirë në Kinë e Pakistan, tregtoheshin në Shqipëri e më pas mbërrinin në Itali të papërpunuara e me një vlerë të dyfishuar nga çmimi i tyre i vërtetë. Operacioni i Financës italiane i koduar “Trekëndëshi” ka zbardhur një skemë mashtrimi fiskal me vlerë mbi 800 mijë euro ndaj tre kompanive me pronarë dy sipërmarrës italianë banues në Kozenca e anëtarë të së njëjtës familje. Hetimet e drejtuara nga prokurorët Pier Paolo Bruni e Maurizio De Franchis, kanë zbardhur se këto kompani që operojnë në sektorin e “Prodhimit e tregtimit të produkteve mjekësore”, me anë të një mekanizmit të sofistikuar mashtrimi në mbifaturimet fiskale, kanë kryer një evazion tatimesh në vlerë monetare mbi 800 mijë euro. Në detaje financierët italianë kanë zbuluar se kompania e ilaçeve e ngritur e me bazë në Tiranë, blinte mallra nga furnizuesit në Kinë e Pakistan. Ilaçet tranzitoheshin në portin e Gioia Tauros me destinacion final dy kompanitë motra të ilaçeve në Cosenza të Italisë. Mallrat shoqëroheshin nga fatura shitje me shifra të fryra, të falsifikuara e jo me çmimin e tyre real. Në sintezë, kompania shqiptare blinte produkte mjekësore nga furnizues në vende jo të Bashkimit Evropian e i shiste më pas në Itali pa iu nënshtruar asnjë procesi përpunimi e duke dyfishuar vlerën e tyre. Në këtë mënyrë, me anë të këtij mashtrimi fiskal, dy kompanitë e ilaçeve në Itali rrisnin koston e mallrave që tregtonin duke ulur vlerën e tyre tatimore me përfitime ekonomike të paligjshme e të pajustifikueshme. Skema mashtruese u zbardh falë një ekzaminimi të detajuar të librave të llogarive të kompanive e materialeve të regjistruara në sistemin informatik të blerjeve të kryera nga to. Dy sipërmarrësit italianë janë vënë nën hetim për mashtrim fiskal, emetim e përdorim faturash fiskale për transaksione që nuk ekzistojnë. Me urdhër të Gjykatës së Paolo në provincën e Kozencas janë bllokuar llogaritë bankare të kompanive në vlerë 226 mijë euro. Nga autoritetet përkatëse të Shqipërisë ende nuk ka asnjë reagim, por as edhe ndonjë hetim, nëse kompania shqiptare ka kryer evazion fiskal me ilaçe edhe në Shqipëri.