Mijëra gjoba dhe arrestime/ Policia ‘hakmerret’ pas aksidentit, reprezalje në rrugët e Tiranës

142
Sigal

Rreth 3 mijë gjoba e dhjetra drejtues automjetesh në pranga është bilanci i reprezaljes disa orëshe në rrugët e vendit, pas aksidentit të rëndë që ndodhi të dielën në Tiranë.

Policia ka bërë ndalime masive të makinave nëpër rrugë, në shumë raste edhe pa motiv, pas urdhërit të marrë nga drejtori Gledis Nano, ndërsa bilanci i ndëshkimeve thyen rrekordin e dhjetë viteve të fundit.

2874 masa administrative, 79 leje drejtimi të pezulluara, 16 drejtues mjetesh të arrestuar, nga të cilët 10 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 6 për drejtim mjeti pa leje drejtimi është bilanci i një zbarkimit të policisë në të gjithë vendin.

Shifra të tilla janë të pazakonta në 10 vitet e fundit, në harkun kohorë të disa orëve.

Forcat e Policisë Rrugore, patrullat e përgjithshme, të mbështetura nga reparti “Shqiponja” surprizuan drejtuesit e mjeteve në shumicën e akseve kombëtare.

Një angazhim i tillë erdhi pas aksidentit tqë të dielës në rrugën e Kavajës në Tiranë, ngjarje e cila shkaktoi reagim të ashpër publik.

Pavarësisht se Policia e Shtetit këmbëngul që kontrollet janë rutinë, shifrat dhe ajo çfarë ka ndodhur në terren përgjatë orëve të fundit të të dielës dhe mëngjesit të të shtunës, tregojnë të kundërtën.

Pas aksidentit ku mbetën të plagosur çifti i bashjkëshortëve dhe foshnja e tyre 3 mu8ajshe, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gledis Nano shpërndau një urdhër për të gjitha rrethet që të zbrisnin në terren dhe merrnin masa për parandalimin e aksidenteve.

Edhe ky reagim, erdhi si një përpjekje për të treguar angazhimin e strukturave të policisë, ndërsa qytetarët që udhëtonin brenda rregullave ligjore, u desh të ndalonin në çdo orar dhe pa asnjë arsye në disa raste, për verifikim.

Policia Rrugore ndërkohë paralajmëroi se në të gjithë vendin do të intensifikojë akoma më shumë kontrollet me mjetet inteligjente, radarët automatikë dhe lexuesin automatik të targave, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë.