Meta për skandalin “MC Gonigal”: Rama korruptoi zyrtarët e huaj për të minuar demokracinë

95
Sigal

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar sërish për skandalin “MC Gonigal”, lidhur me ish-zyrtarin e FBI të arrestuar në SHBA, i cili akuzohet ndër të tjera se ka marrë 225 mijë dollarë amerikanë për çështje të lidhura me Shqipërinë dhe ka zhvilluar takime të fshehta me kryeministrin Edi Rama.

Meta shkruan në Facebook se Rama ka shkelur rëndë Kushtetutën e vendit duke shfrytëzuar postin e Kryeministrit dhe përdorur korrupsionin ndaj zyrtarëve të huaj për të minuar demokracinë dhe goditur opozitën.

Ndër të tjera, Meta u bën thirrje deputetëve “që të mos sillen si kukulla për të mbuluar skandalet e Edi Ramës”, por duhet që një komision hetimor të nisë punën për të zbardhur rastin.

Postimi i plotë:

Përdorimi i McGonigal në mënyrë të paligjshme dhe korruptive nga Edi Rama në postin e Kryeministrit të Shqipërisë kundër opozitës dhe kundërshtarëve të tij politikë është shumë flagrant. Ndaj hetimi i kësaj çështje nga SHBA është shumë i rëndësishëm për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë.

Edhe më i domosdoshëm është hetimi i veprimeve antikushtetuese, të paligjshme dhe mafioze nga Edi Rama, i cili e përdhosi zyrën e Kryeministrit duke joshur e korruptuar zyrtarë të lartë të huaj për të porositur investigime ndaj kundërshtarëve politikë me qëllim shkatërrimin e pluralizmit politik dhe instalimin e plotë të narkoshtetit dhe kleptokracisë.

Edi Rama nuk është vetëm në konflikt interesi me detyrën e Kryeministrit por ka shkelur rëndë Kushtetutën e vendit duke shfrytëzuar postin e Kryeministrit dhe përdorur korrupsionin ndaj zyrtarëve të huaj për të minuar demokracinë dhe pluralizmin politik në vend.

Bllokimi i komisionit hetimor parlamentar është një përpjekje e pashpresë për të relativizuar këtë komplot të tij kundër demokracisë dhe pluralizmit politik.

U bëj thirrje deputetëve të mos sillen më si kukulla për të mbuluar skandalet e Edi Ramës por të shpëtojnë dinjitetin e tyre duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Asgjë nuk do ta ndalë zbardhjen e “Ramagate” në vendin tonë dhe vendosjen para ligjit të kësaj bande manipulatorësh!

Ja dhe zyrtarët “antikorrupsion” që u kthyen në ortakë të regjimit më të korruptuar në Europë dhe u përdorën kundër opozitës dhe demokracisë në Shqipëri!