Prokuroria, gati për rrafshimin e bregdetit

553
Sigal

Prefektura: Inspektim njëmujor me 4 grupe pune, bregut të Durrësit, Rrashbullit, Katundit të Ri, Manzës dhe Sukthit

“Dosjet e subjekteve dhe personave me dhe pa poste zyrtare, që kanë guxuar të shkelin ligjet e shtetit dhe kanë ndërtuar apo kanë nisur të ndërtojnë pa leje, do të nisen drejt Prokurorisë, ndaj tyre asnjë lëshim”. Kjo ka qenë  deklarata e bërë nga një burim zyrtar i Prefekturës të Qarkut Durrës –Krujë për “Telegraf”  lidhur me shqetësimet për rritjen e numrit të objekteve pa leje në zonat bregdetare.

INSPEKTIM I INUK

Gjithë gjatësia bregdetare e Durrësit, prej 1 muaji ka nisur të inspektohet nga INUK, në bashkëpunim me strukturat e Prefekturës bashkive e komunave për të parandaluar e evidentuar ndërtimet e paligjshme. Informacionet e ardhura nga terreni, kanë shtyrë këtë strukturë të kalojë të gjithë vijën bregdetare të shfrytëzuar për pushime në rërë dhe të ndalojë apo prishë objekte që më pas dëmtojnë zhvillimin e turizmit. Riorganizimi i strukturave të Inspektoratit  Ndërtimor në nivel njësie vendore ka kërkuar ndërhyrjen e  kreut të ri të Prefekturës. Ky institucion ka ulur në një tryezë drejtuesit e bashkisë së Durrësit, Komunave Rrashbull, Katundi Ri, Manzës dhe Sukthit duke u lënë atyre edhe një sërë detyrash. Katër grupe pune janë ndarë në dy drejtimet duke synuar të kenë brenda një afati të shkurtër kohor  një njohje të plotë për gjenden në terren. Në bazë të informacioneve që ka marrë Prefektura përgjatë bregdetit ka  qindra  ndërtime, të cilat nuk janë të ligjshme. Burime zyrtare nga Prefektura  u shprehën se,  “ndërtimet e paligjshme në  bregdetin e Durrësit, por edhe nga Bisht Palla deri në Kepin e Rodonit janë bërë problem për zbatimin e projekteve të zhvillimit, ndaj ne po evidentojmë çdo rast dhe sipas ligjit çdo objekt i paligjshëm do të shembet”.

VERIFIKIMET

Aktualisht bregdeti që administron bashkia e Sukthit dhe e Manzës dhe komuna e Katundit të Ri paraqesin shqetësime të vogla por jo serioze.  Por ndryshe paraqitet gjendja nga Currilat në Plepa dhe nga Shkëmbi i Kavajës deri në Golem, pjesë kjo e territorit të Prefekturës së Durrësit dhe që administrohet nga bashkia dhe nga Komuna e Rrashbullit. Për shkak të dyndjeve të mëdha të pushuesve gjatë stinës së verës, në këtë pjesë të bregdetit, janë bërë ndërtime me dhe pa leje dhe se përgjithësisht këto objekte akomodimi e argëtimi nuk janë pjesë e masterplaneve të zhvillimit perspektiv të zonës. Pikërisht  ndërtimet  sidomos  tek Shkëmbi i Kavajës kanë tërhequr edhe vëmendjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili disa vite më parë ka përgatitur dosje për Prokurorinë e qytetit bregdetar. Bëhet fjalë për firmosjen nga Komuna e Rrashbullit të një numri të konsiderueshëm leje ndërtimi për objekte 2 ose 3-katëshe, të cilat në fakt janë kthyer në ndërtime shumëkatëshe në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Prefektura e Durrësit ka depozituar  në organin e akuzës dhjetëra denoncime dhe se bëhet fjalë për ndërtime, të cilat i përkasin periudhës së  viteve të fundit. Ndërtimet duke filluar nga ish-komanda e NATO-s, deri tek Përroi i Agait kanë kaluar në rivlerësim nga komisioni përkatës për të parë procedurën e ndjekur nga komuna. Sipas materialit denoncues,  ka bashkia e komuna që akuzohen për vendime që nuk janë dërguar në Prefekturën e Qarkut Durrës për miratim, për  dosje në të cilave u mungon dokumenti i pronësisë së truallit ku është bërë ndërtimi si dhe për dosje të tjera në të cilat ndërtimet 2-3-katëshe që parashikoheshin në lejen e miratuar, janë kthyer të ndërtime që nuk kanë respektuar këto kondicione. Me të tilla probleme ndeshet edhe bashkia Durrës, pasi në sipërfaqen që ajo administron ka shumë objekte të ndërtuara pa leje. Prefektura i ka bërë të qartë këtyre institucioneve të pushtetit vendor se do të ketë reagime të shpejta  e penalizime për të bllokuar çdo ndërtim që nuk plotëson kriteret  ligjore. Tashmë organet e hetimit kanë gati dosjet e abuzimeve me trojet e paligjshme në bregdetin e Prefekturës së Durrësit.