‘Mendja kujton atë që zemra nuk harron’, të afërm i japin lamtumirën Verës që u vra nga ish-bashkëshorti

111
Sigal

Të paktën 300 persona morën pjesë në varrimin e Vera Myrtajt, gruas shqiptare e cila u vra nga ish-bashkëshorti në shtëpinë e saj në Itali, 2 javë më parë. Viron Karabollaj vrau edhe partnerin e ri të gruas, Flonino Mërkurin, po shqiptar e më pas i dha fund jetës.

Ngjarja tragjike ndodhi në shtëpinë e 37-vjeçares në Spinea të Venecias. Vera u përcoll për në banesën e fundit mëngjesin e kësaj të mërkure. 37-vjeçarja u përcoll mes dhimbjes, nga dy vajzat e saj, familja e miq të shumtë. Mbi varrin e saj u vendosën kurora me lule e dedikime, ndërsa në një fotografi të Verës shkruhej: “Mendja kujton atë që zemra nuk harron”.

Në varrimin e shqiptares nuk mungoi as kryetarja e qytezës ku jetonte, ashtu sikurse edhe fqinje të saj. “Nuk mund të mos vinin, duhet të bëjmë gjithçka që ngjarje të tilla të mos përsëritën”, u shprehën disa prej tyre, shkruajnë mediat italiane.

Të dielën e 20 Nëntorit, 41-vjeçari Viron Karabollaj shkoi në shtëpinë e ish-bashkëshortes, me të cilën kishte dy vajza dhe e goditi atë për vdekje me thikë së bashku me partnerin e saj 23-vjeçar Flonino Mërkuri. Më pas, 41-vjeçari i dha fund jetës në magazinën ku punonte.

Me Viron Karabollajn, Vera Myrtaj, e lindur në Vlorë kishte mbi 1 vit e divorcuar. Së bashku kishin ardhur nga Greqia në Itali prej 2015-s dhe ishin vendosur në banesën ku ndodhi tragjedia. Por me të ardhur në Itali, marrëdhënia e tyre u ftoh dhe Vironi ishte larguar nga shtëpia.

Prokurorët në Venecia thanë se ai e kishte planifikuar krimin, pasi nuk e pranonte lidhjen më shumë se 1 vjeçare të ish-bashkëshortes dhe nënës së fëmijëve të tij. E gjendur në vështirësi financiare, vitet e fundit Vera punonte si estetiste në shtëpi./