Më 21 shtator 2014 Papa Françesku do bekojë Shqipërinë

767
Sigal

Vizita historike e Papa Gjon Palit II-të në Shqipëri më 25 Prill 1993

Një lajm shumë domethënës u transmetua dje nga Rai2: Papa Francesco ka lajmëruar se më 21 shtator do të jetë në Shqipëri, duke theksuar se: “Dëshiroj të konfirmoj besimin e Kishës në Shqipëri dhe të dëshmoj inkurajimin tim dhe dashurinë në një vend që ka vuajtur gjatë si rezultat i ideologjive të së kaluarës. Ky njoftim u dha gjatë meshës së ditës së diel  mes mijëra besimtarëve. Ishte një lajm surprizë për të gjithë. Disa kohë më parë pikërisht më 24 prill Papa Françesku priti Kryeministrin Edi Rama, i cili më pas tha për mediat se e kishte ftuar Papën për një vizitë në Shqipëri, “një vend që Ati i Shenjtë e njeh dhe dashuron”.

 Ipeshkëvia shqiptare

Po ju përcjellim fjalët me të cilat Papa Françesku shpalli udhëtimin e tij në Shqipëri:

“Dua t’ju kumtoj që, duke pranuar ftesën e Ipeshkëvinjëve dhe Autoriteteve civile shqiptare, dëshiroj të shkoj në Tiranë me datë 21 shtator 2014. Me këtë udhëtim të shkurtër  dëshiroj të përforcoj në besim Kishën në Shqipëri e të dëshmoj inkurajimin dhe dashurinë time ndaj një vendi që ka vuajtur gjatë pasojat e një ideologjie të së kaluarës” (Papa Françesku 15 qershor 2014)”

 Edi Rama-Kryeministër

Papa Françesku i është përgjigjur pozitivisht  dhe tanimë dhe zyrtarisht, ftesës sime për të vizituar Shqipërinë, së shpejti. Vizita do të bëhet në 21 shtator, ndërkohë që, mes Qeverisë sonë dhe Selisë së Shenjtë, ka nisur puna për përgatitjen e saj mbi bazën e kësaj date. Por, unë dua të ndaj me ju kënaqësinë e jashtëzakonshme për faktin se kjo do të jetë vizita e parë zyrtare e Papës së ri në Europë.

 Sali Berisha-deputet i PD-së

Kjo është një vizitë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në një akt të veçantë miqësor, respekti dhe dashurie për shqiptarët, 18 muaj pas inaugurimit, me 19 mars 2013, si shenjtëria e tij Papa Françesku dhe ftesës që pata kënaqësinë t’i bëj ditën e inaugurimit, Ati i Shenjtë do të vizitojë Shqipërinë.

  Gjon Pali i II – Papa më i rëndësishëm i Vatikanit

Papa u zgjodh në krye të Vatikanit në vitin 1978, edhe pse ishte një kardinal polak pak i njohur. Gjatë drejtimit të tij, Vatikani bëri fushatë ndaj të gjithë teologëve që mendonin ndryshe për kishën. “Kisha nuk mund të jetë një shoqatë e mendimtarëve të lirë”,- ka thënë papa në 1981. Ai mbikëqyri rishikimin e katekizmit katolik (përmbledhjes së besimit fetar) pas 462 vitesh. Dokumenti i 1992-shit riafirmoi doktrinën bazë katolike dhe përfshiu të gjitha ndryshimet e botës moderne, si qëndrimet ndaj inseminimit artificial etj..

Shenjtëria e jetës

Papa qortoi atë që e quajti “kultura e vdekjes”, duke dënuar ashpër abortin dhe eutanazinë. Abortim- shkruante ai – gjithnjë përbën një çrregullim të rëndë moral, përderisa flitet për vrasjen e një qenie të pafajshme njerëzore. Ai, -gjithashtu, -kundërshtoi dënimin me vdekje.

Morali seksual

Papa ka afirmuar qëndrimet e kishës kundër kontrollit të lindjeve artificiale, inseminimit artificial, divorcit, seksit jashtë martese dhe marrëdhënieve homoseksuale, pavarësisht se ka bërë thirrje për tolerancë ndaj homoseksualëve.

Priftërimi

Papa nuk ka lejuar që gratë të caktohen në urdhër, pasi kisha duhet të ndjekë shembullin e Jezusit, që zgjodhi vetëm burrat për të qenë apostujt e tij. Ai, gjithashtu, nuk ka pranuar që të këmbëngulte në kërkesën e kishës që priftërinjtë të mbeteshin të pamartuar.

Antikomunizmi

Papa ishte kundër komunizmit, duke ndihmuar edhe në rënien e shpejtë të Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij në Europën Lindore. Vizita e parë e tij në vendin e lindjes në Poloni në 1979, tërhoqi turma prej miliona njerëzish, dhe ata u bënë edhe kundërshtarët e qeverive të tyre. Papa ka ndërhyrë edhe në shumë mosmarrëveshje ndërkombëtare. Ndërmjetësimi i tij në konfliktin mes Argjentinës dhe Kilit ndihmoi në shmangien e luftës në fillim të viteve ‘80.

Lidhjet e kishës shqiptare me Vatikanin pas përmbysjes së komunizmit

– 8 korrik 1991: Imzot Nikollë Troshani, i vetmi ipeshkëv katolik që kishte shpëtuar gjallë nga hierarkia e para-diktaturës, asokohe 76 vjeç, vjen në Vatikan, pritet në audiencë nga Papa Gjon Pali II dhe e fton Shenjtërinë e Tij të vizitojë Shqipërinë. Merr përgjigjen se kjo vizitë do të bëhej e mundur në të ardhmen e se vijon t’i lutet Zotit për fatet e Shqipërisë.
– 28 tetor 1991:- Rivendosen marrëdhëniet diplomatike në rang nunciature apostolike për Selinë e Shenjtë dhe ambasade për Shqipërinë.
28 nëntor 1991: – Kisha katolike e Shqipërisë përfaqësohet nga dom Zef Simoni (më vonë ipeshkëv-ndihmës i Shkodrës) në Sinodin e posaçëm të ipeshkvijve për Evropën
Më 7 maj 1992 Papa Gjon Pali II priti në audiencë në Vatikan presidentin e parë të Shqipërisë demokratike, dr. Sali Berishën
– 22 prill 1993: Ambasadori i parë Vvilly Kamsi paraqet letrat kredenciale pak ditë para shtegtimit të Papës Gjon Pali II drejt Shqipërisë; Nunc i parë apostolik emërohet prelati indian, Imzot Ivan Dias.
– 25 prill 1993 – Papa Gjon Pali II viziton Shqipërinë, duke u ndaluar në Shkodër dhe Tiranë: gjatë vizitës i dhuron Kishës së martirizuar hierarkinë e re të pasdiktaturës- katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Illinë, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin.
2 nëntor 1994 – Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë lajmëroi se Kolegji i Kardinalëve do të pasurohej me 30 kardinalë të rinj. Ndërmjet tyre do të ishte edhe kardinali i parë shqiptar, Mikel Koliqi, krijuar kardinal në Konçistorin VI.
– 26 nëntor 1994 – Ati i Shenjtë krijon kardinalin e parë shqiptar, Hirësinë e tij, Mikel Koliqin.

 Minutë pas minute me vizitën e Papa Gjon Pali II në Shqipëri

– Vizita e Papa Gjon Palit II-të në Shqipëri më 25 Prill 1993, mbetet një dit historike për shumë arsye. Kryesorja është se ai e bëri këtë vizitë menjëherë pas daljes së vendit prej izolimit të gjatë nën sistemin komunist, ndaj u vlerësua si një moment historik. Më poshtë renditen momente nga takimet në Tiranë dhe mesha që Ati i Shenjtë mbajti në Shkodër:

 25 PRILL 1993

– Ora 08: 00 – Papa Gjon Pali II-të mbërrin në Aeroportin e Rinasit, ku u prit nga autoritetet zyrtare. Pasi përshëndeti të pranishmit me dorë, Ati i Shenjtë u ul dhe puthi tokën shqiptare.

– Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali II-të, iu drejtua popullit shqiptar me fjalët: “I dimë të gjitha ngjarjet e trishtueshme që të është dashur të përballosh veçanërisht në 25 vjetët e fundit, vite të një mundimi të vërtetë, pasojat e të cilit koha me vështirësi do të arrijë t’i fshijë”.

– Disa minuta më vonë, Ati i Shenjtë u nis drejt qytetit të Shkodrës.

– Ora 10: 45 – Papa hyri në rrethin e Shkodrës, ku u prit përzemërsisht nga banorë të Komunës së Bushatit e të zonave përreth.

– Ora 11: 25- Papa Gjon Pali II-të mbërrin në Katedralen e Shkodrës, i pritur nga mijëra besimtarë katolikë e të besimeve të tjera fetare.

– Ora 11: 40- kori i këngëtarëve nga Tirana, Durrësi dhe Kosova, nis këngën e hyrjes, një rit për pritjen e Papës në Katedrale.

– Ora 11: 45- Papa Gjon Pali II-të hyn në Katedrale dhe shkon para Altarit për fillimin e meshës.

– Ora 12:00. Pas përshëndetjes së Nuncit Apostolik, Ivan Dias, nis mesha në Katedralen e Shkodrës. Në vazhdim pas ceremonisë së Alelujës, Nunci apostolik i paraqiti Papës, emrat e kandidatëve për Ipeshkëv. Ati i Shenjtë i bekon ata në emër të Zotit si udhëheqës të Kishës Katolike Shqiptare.

Ati i Shenjtë në mesazhin e Tij vuri në dukje përvojën tronditëse të kishës, në vitet e regjimit komunist në Shqipëri. Më pas shuguroi katër ipeshkvët e rinj, Monsinjor Frano Ilia, Monsinjor Zef Simoni, Monsinjor Rrok Mirdita dhe Monsinjor Robert Ashta. Nën tingujt e muzikës kishtare filloi kungimi. E para që u kungua nga Papa Gjon Pali II-të ishte Nënë Tereza. Ati i Shenjtë u dhuroi besimtarëve të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, figurën e Zonjës së Këshillit të Mirë dhe bekoi gurin e themelit të këtij kulti, që do të rindërtohej për të tretën herë në Kalanë e Rozafatit në Shkodër. Prej këtej Papa shkoi në Arkipeshkopatë, përballë Katedrales dhe nga dritarja e saj përshëndeti gjithë besimtarët që kishin mbushur rrugët dhe sheshet e Shkodrës. Papa Gjon Pali II- të prezantoi drejtuesin e ri të Arkidioqezës së Shkodrës, monsinjor Frano Ilia dhe ndihmësin e tij, Monsinjor Zef Simoni. Ati i Shenjtë kaloi një drekë së bashku me peshkopët dhe anëtarët e shpurës papale.

 25 PRILL në mbrëmje – Papa Gjon Pali II-të kthehet në Tiranë. Fillimisht shkon ne Pallatin e Brigadave, ku u prit nga Presidenti i Republikës dhe personalitetet më të larta të shtetit dhe komuniteteve fetare në Shqipëri.

Në vazhdim Shenjtëria e Tij, shkoi në Nunciaturën Apostolike dhe prej këndej u nis me makinën e Tij, për një shëtitje nëpër Tiranë, ndërkohë që në sheshin “Skënderbej” ishin mbledhur mijëra vetë nga e gjithë Shqipëria për të pritur Atin e Shenjtë.

Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali i Dytë, zuri vend në podiumin e vendosur para Muzeut Historik Kombëtar. Në mitingun madhështor të organizuar me këtë rast Ati i Shenjtë mbajti fjalimin e lamtumirës duke i’u drejtuar gjithë popullit shqiptar me fjalët: “Vëllezër dhe motra shqiptare dhe fort të dashur! Zoti e ruajtë atdheun tuaj. Zoti e mbrojtë popullin shqiptar në mbarë botën. Në emër të Zotit ju përqafoj dhe ju bekoj të gjithëve!”

25 PRILL – Në mbrëmje, Ati i Shenjtë niset për në Romë

 26 PRILL – Ati i Shenjtë u dërgon autoriteteve shqiptare një mesazh ku thuhej se, “në përfundim të vizitës në Shqipëri dhe tek komuniteti katolik që munda të takoj, sot ndihej detyrën për t’u falënderuar për mikpritjen dhe i lutem Zotit të plotfuqishëm t’i japë popullit tuaj një jetë më të mirë dhe t’i kthehet paqja dhe zhvillimi social sipas traditave njerëzore e fetare të kësaj toke”.