Lulzim Basha: Garë e hapur, qarkullim i sigurt i elitave

580
Sigal

Kuvendi zgjedhor i Sarandës, Hariz Mema zgjidhet në krye të degës së PD-së

Kryetari i Partisë Demokratike deklaron në Kuvendin zgjedhor të Sarandës se, kriminalizimit të qeverisë do i përgjigjemi me intelektualët më të mirë. Kryetari i PD-së Lulzim Basha mori pjesë në kuvendin zgjedhor të PD, dega Sarandë. Në fjalën e tij në këtë Kuvend, zoti Basha ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike, ata me teserën e dhjetorit  të vitit 1990 si dhe ata me teserën e majit të vitit 2014, që morën pjesë dhe dhanë kontributin e tyre të çmuar.  Këtë fushatë, zoti Basha, e ka konsideruar vendimtare për ringritjen dhe të ardhmen e Partisë Demokratike si alternativa politike kryesore e qendrës dhe qendrës së djathtë në Shqipëri. Kryetari i PD ka bërë të ditur se, qëllimi i tij për një kufizim dhe papajtueshmëri të mandateve, sanksionuar në udhëzim, ka për qëllim një garë të hapur, qarkullim të elitave politike drejtuese dhe mbi të gjithë, delegimin e vendimmarrjes së anëtarësisë të PD. “Duke nxjerrë udhëzimin që ju të gjithë e njihni, qëllimi kryesor i të  cilit  është  kufizimi  dhe papajtueshmëria e mandateve për të lejuar një shpërthim me të lirë të ambicieve, për një pasurim më të madh të alternativave  për anëtarët dhe për një qarkullim më të sigurt të elitave politike drejtuese në parti, unë kam zgjedhur  garën e hapur me pjesëmarrjen e  gjithë kandidatëve të propozuar që nuk bien ndesh me kërkesat e udhëzimit. Kuvendim i lirë, zgjedhje  të  lira, pushtetin votës- kjo është platforma, kjo është deviza ime”,- tha Basha. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, duke sjellë në vëmendje faktet tronditëse të emërimit në poste drejtuese të personave me precedent kriminal, ka theksuar se sot Shqipëria ka nevojë për një alternative të përfaqësuar nga njerëz me vlera qytetare, intelektuale dhe morale. Këtë alternativë, tha z. Basha, shqiptarëve do t’ua japin demokratët, duke zgjedhur sot qytetarët më të mirë për të drejtuar PD-në në çdo qelizë të saj. “Kudo ku Edi Rama dhe kundërshtarët tanë politik të së majtës ngulin tashmë apo ka ndërmend të ngulin flamurin e zi të kriminalizimit të qeverisjes me njerëzit e ardhur apo të përzgjedhur nga malavita, ne, kundërshtarët e tyre, do t’u përgjigjemi me intelektualët më të mirë, më demokratët  më popullorë me bindjen se qytetarët shqiptarë janë me ne e do të jenë me ne,  në këtë mision dhe asgjë nuk mund ta mposhtë forcën e bashkimi tonë”,- tha Basha.

 Hariz Mema, kreu i shoqatës “Labëria”, Kryetar i ri i PD-së

 Në një pjesëmarrje të gjerë dhe garim të shumtë e të fuqishëm është zhvilluar konferenca e 12-të e degës së PD-së së Sarandës, ku ka marrë pjesë vet kreu i PDSH-së, z.Lulzim Basha dhe deputetja Elmazi. Konferenca është përfshirë nga fryma e debatit, analizës dhe respektimit mes delegatëve dhe garuesve, duke e parë garën si vlerë të PD-së, ku natyrisht gara ka edhe rregullat e sajë me fitues një. Fryma e mirëkuptimit ka udhëhequr procesin garues mes katër kandidatëve, të cilët kanë paraqitur edhe platformën e tyre para delegatëve të konferencës. Ajo që ka ngjallur më shumë emocione, ka qenë diskutimi i një prej themeluesve të degës së PD-së, intelektualit, Skënder Bajrami .Ovacione dhe duartrokitje ka patur ngjitja në foltore e vet kreut të PDSH-së, z.Lulzim Basha, ardhja e të cilit shënon vizitën e parë mes demokratëve të Sarandës, që pas zgjedhjes së tij në krye të PDSH-së. Basha fillimisht ka shprehur mirënjohjen për gjithë themeluesit e degës së PD-së së Sarandës dhe ka ftuar konferencën në një minutë heshtje në nderim të kujtimit të njërit prej kandidatëve të kreut të degës së PD-së, Fatmir Bajrami, larguar nga jeta vetëm pak ditë më parë. Basha i ka mëshuar fort domosdoshmërisë së organizimit dhe riorganizimit, ngritjes dhe ringritjes së PD-së pas tronditjes dhe rrënimit që pësoi me humbjet përtej parashikimeve të zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit 2013. Basha ka ftuar delegatët dhe garuesit për frymë mirëkuptimi përtej sekteve dhe krahinizmave, por duke e parë procesin si një sfidë e domosdoshme e kohës, pavarësisht se është sfida më e vështirë, por PD-ja është e gatshme me potencialet e sajë ta përballojë. Pasi ka bërë edhe një ekspoze të situatës brenda vendit, përsëri ka theksuar heqjen dorë nga gjuha e urrejtjes dhe e konfliktit dhe nga një politikë aluçinante, pasi mesazhi që duhet përcjell është ai i betejës me këtë maxhorancë dhe jo i betejës me njëri-tjetrin në mënyrë që të përçohet shpresë dhe besim tek shqiptarët dhe këto zgjedhje duhen parë si gur themeli i kësaj beteje. Vetëm kështu njerëzit do të na besojnë, ka theksuar z.Lulzim Basha

Më tej ka filluar procesi i votimit mes katër kandidatëve, Hariz Mema, Matilda Qurku, Ilir Nikolla dhe Shpëtim Ahmeti, proces që ka kaluar në balotazh mes dy kandidatëve Ilir Nikola dhe Hariz Mema, ku kandidati Hariz Mema ka rezultuar fitues me 6 vota plus ndaj kandidatit tjetër Ilir Nikolla. Z.Mema ka falënderuar delegatët për besimin që i dhanë, duke u premtuar besim tek ndershmëria dhe kauza morale dhe ky do të jetë edhe shërbimi i parë ndaj demokratëve të Sarandës, për të qenë së bashku në betejën politike për të sotmen dhe të ardhmen, të cilën do ta fitojmë së bashku.

Myslym Murrizi shpallet fituesi për kreun e ri të degës së Lushnjës

 Shpallet fituesi i ri për kreun e Partisë Demokratike në qytetin e Lushnjës. Mësohet se, nga tre kandidatë që morën pjesë në garën për kryetar partie, fitues është shpallur Myslym Murrizi. Ndërsa, dy kandidatët e tjerë ishin Pandi Boci dhe Nevila Bami. Pas votimit të Kuvendit të PD-së, për degën e Lushnjës, Myslym Murrizi mori 211 vota, ku nga 360 delegatë, votuan 331. Rreth 20% e anëtarësisë ishin nën 24 vjeç.

Kuvendini i XI zgjedhor i degës së Matit

  Partia Demokratike ka nisur mbajtjen e kuvendeve zgjedhore në mbarë vendin për të kulmuar në fund me Kuvendin Kombëtar. Fillimisht zgjedhjet kanë nisur ditën e premte në Mat dhe kanë vazhduar dhe në Sarandë e Lushnjë. Kryetari i PD-së Lulzim Basha ishte i pranishëm në Kuvendin e XI zgjedhor të degës së Matit, ku u zgjodh dhe Kryetari i PD për këtë degë. Ky proces është paraprirë nga regjistrimit dhe riregjistrimi i anëtarësisë së PD-së, të cilin Kryetari i demokratëve e ka cilësuar jetike për një parti që ka, e do të ketë në themel të organizimit dhe sistemit të saj të karrierës votën e lirë të anëtarëve të saj. Zgjedhjet në PD, theksoi zoti Basha, po sjellin forca të reja, energji të reja, frymëzime të reja, synime të reja.