Mbi 35 mijë shqiptarë janë betuar para trengjyrëshit italian gjatë vitit 2015

518

Gazeta Telegraf/


Janë dhjetëra e mijëra në vit
shqiptarët e Italisë që nuk kanë më nevojë për lejen e qëndrimit, sepse betohen
t’i jenë besnikë edhe Republikës italiane dh të marrin pasaportën e këtij
vendi. Shumë pak janë ata që e hedhin këtë hap për arsye martese, gjithnjë e më
të shumtë në numër janë ata që e ndërmarrin këtë hap, sepse jetojnë këtu prej
shumë e shumë vitesh dhe bijtë e tyre janë lindur e rritur këtu

Sigal

Betohen, 35.134 shqiptarë, të cilët, që nga vjet janë edhe
italianë. E thënë ndryshe, shqiptarët janë 22% e jokomunitarëve që vjet u bënë
italianë. E thotë ISTAT që me raportin “Shtetasit jokomunitarë: prania, hyrjet
e reja dhe marrja e shtetësisë” jep shifrat më të fundit edhe rreth komunitetit
shqiptar, që tashmë konsiderohet (bashkë me marokenët) si një komunitet
“historik” në Itali, i ngulitur dhe i integruar, e që së fundi, ka rritje të
përvitshme të njohjes së shtetësisë italiane. Edhe pse ligji mbi
shtetësinë është akoma një garë me pengesa për imigrantët dhe bijtë e tyre,
gjatë vitit 2015 kanë marrë shtetësinë 158.891 jokomunitarë (sipas një raporti
tjetër, rreth 178 mijë të huaj, po të merren parasysh edhe rumunët, bullgarë
etj,) 32% më shumë se një vit më parë. Nga rreth 160 mijë jokomunitarët që janë
betuar para flamurit italian, thuajse gjysma kanë lindur shqiptarë apo
marokenë, që janë edhe dy komunitetet “historike të të huajve në Itali: në
fakt, pas 35.134 shqiptarëve renditen 32.448 marokenë. Menjëherë pas tyre, por
në distancë, renditen indianët me 6.176 shtetësi të marra gjatë vitit të
shkuar. Për sa i përket komunitetit tonë, ritmet vjetore të rritjes së numrit
të shqiptarëve që bëhen italianë janë të larta: 66% më shumë se gjatë vitit
2014 kur 
u betuan para flamurit italian 21 mijë vetë. Ndërsa në vitin 2014 u bënë
italianë 55% më shumë se gjatë vitit 2013 kur shtetasit shqiptarë që u betuar
para trengjyrëshit ishin 13.671. Çka vërehet gjithashtu është edhe rënia e
numrit të shtetësive të dhëna për martesë, qoftë në peshë (në përqindje) e
qoftë në vlera absolute dhe rritja gjithnjë e më shumë, jo vetëm e numrit të
shtetësive të dhëna për rezidencë (78.168) por edhe numri i shtetësive që u
jepet automatikisht të miturve, kur e marrin prindërit apo që zgjedhin të
lindurit në Itali, kur mbushin 18 vjeç (66.056). E njëjta tendencë vërehet edhe
për komunitetin e shqiptarëve: vjet e kanë marrë shtetësinë për martesë me
shtetas italian/e vetëm 1.743 persona (numëroheshin 1.980 në vitin 2014); kanë
zgjedhur shtetësinë italiane në moshën 18 vjeçare apo e kanë marrë
automatikisht me prindërit 11.923 fëmijë e të rinj (7.272 në vitin 2014); janë
bërë italianë sepse kanë qëndruar këtu mbi dhjetë vjet plot 21.468 shqiptarë
(nga 11.896 në vitin 2014). Siç është vërejtur edhe vjet, marrjet e vazhdueshme
të shtetësisë italiane, mungesa e flukseve të mirëfillta të punës kanë sjellë
një tkurrje të numrit të shqiptarëve me leje qëndrimi. Sipas të dhënave të
ministrisë së Brendshme, më 1 janar 2016 numri i lejeve të qëndrimit të
lëshuara shtetasve shqiptarë është 482.959, ose 15.460 më i ulët se një
vit më parë. Por nuk mund të themi në asnjë mënyrë që është zvogëluar
komuniteti shqiptar në Itali: janë mbi 110 mijë që kanë marrë tashmë shtetësinë
italiane, pra nuk kanë më leje qëndrimi (vetëm në vitet 2013-2015 kanë marrë
edhe pasaportën italiane 70 mijë shqiptarë).