Mbetjet kanceroze të mafies “Kurum” në arrati shpërndahen edhe në Vrinë
102 kontejnerëve me mbetjet toksike zhvendosen nga Porto Romano drejt fshatit Vrinë. Rrezikohet shëndeti i banorëve
2800 tonë mbetje toksike të kompanisë“Kurum”, kanë përmbajtje të rrezikshme për shëndetin e qytetareve. Ato mund të shkaktojnë kancer dhe marrin jetë njerëzish, substancat e tyre janë vdekjeprurëse. Tashmë ato do të qëndrojnë pa afat në fshatin Vrinë duke e kthyer në landfill edhe pse detyrimi ligjor bie mbi ndotësin, “Kurum”, që duhet t’i dërgojë me paratë e veta në një vend-trajtimi jo t’ua lë shqiptarëve te dera sipas pazareve mafioze.
Mafia shqiptare e lidhur me shtetin ka të paktën dy vite që ka depozituar 2800 tonë me mbetje toksike, që kanë rrezikshmëri të lartë në Porto Romano. Ditën e djeshme nisi zhvendosja e 102 kontejnerëve me mbetje toksike të kompanisë “Kurum”, të cilat ndodheshin në Porto Roman duke rrezikuar shëndetin e banorëve pranë zonës. Kontejnerët me mbetjet e dyshuara toksike u zhvendosën në fshatin Vrinë, pranë Shënavlashit, në afërsi të bllokut të ri të pallateve të ndërtuara për të pastrehët e tërmetit. Procesi po kryhet me urdhër të Prokurorisë dhe nën mbikqyrjen e autoriteteve. Zhvendosja synon menaxhimin e sigurt të materialeve dhe vijimin e procedurave ligjore për trajtimin e tyre. Në operacion po asistoi edhe Policia e Durrësit për garantimin e sigurisë gjatë transportit dhe zhvendosjes. Për skandalin me mbetjet e dyshuara toksike, pak javë më parë, Gjykata e Durrësit firmosi 33 urdhër-arreste, jo vetëm për personel të kompanive përgjegjëse por edhe punonjës të institucioneve shtetërore. Sipas organit të akuzës, shkelje të rënda të legjislacionit mjedisor u konstatuan jo vetëm tek kompanitë “Kurum” dhe “Sokolaj”, por edhe pranë institucioneve shtetërore si Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Dogana e Durrësit. Nga këto masa, vetëm 20 u ekzekutuan, ndërsa në vendimin e gjykatës 8 u lanë në “arrest në burg”, 5 në “arrest shtëpie” dhe 7 të tjerë “detyrim paraqitjeje”, ku në kërkim, përfshirë administratorët turq të “Kurum” dhe pronaren e kompanisë “Sokolaj”, të cilët u kanë shpëtuar prangave të Policisë.
Mbetjet e rrezikshme mbeten në Shqipëri
Zhvendosja e mbetjeve toksike nga Porto Romano në fshatin Vrinë, pranë Shënavlashit nuk i garanton qytetarët se do të jenë të sigurtë. Paaftësia e autoriteteve shqiptare për t’i asgjësuar mbetjet ose t’i zhvendosin në një vend të sigurtë ku mund të mos rrezikojnë banorët, pothuajse është e pamundur. Jim Puckett drejtor ekzekutiv i Rrjetit të Bazelit ka dhënë një deklaratë për mediat pas mbërritjes të anijes “Molive” në portin e Durrësit. Ai tha se ngarkesa me mbetje toksike nuk duhet të ishte transportuar kurrë në Tajlandë, ndërsa theksoi se monstrat e ekzaminuara tregojnë se bëhet fjalë për mbetje toksike tepër të rrezikshme që shkaktojnë edhe kancer. “Niveli i mbetjeve toksike të dala nga Shqipëria është përtej niveleve të lejuara. Është ndotje për zonat e agrokulturës dhe mjedisit. Zgjidhja nuk është importimi në vende të tjera të botës, por të kërkohet zgjidhja aty ku bëhet industria” deklaroi Puckett. Sipas Puckett zgjidhja përfundimtare është që këto mbetje nëse rezultojnë të jenë ashtu siç dyshohet, të dërgohen në një landfill të Evropës Perëndimore.
“Zgjidhja përfundimtar është që t’i dërgojmë në një landfill në Evropën Perëndimore dhe përgjegjësia për këtë mbetet mbi qeverinë shqiptare. Autoritetet shqiptare janë përgjegjëse për këtë. Ato duhet të merren me dëmin e shkaktuar”- deklaronte kreu i Rrjetit të Bazelit.
Tajlanda ndaloi dhe ktheu mbrapsht dy anijet me mbetje të rrezikshme të Shqipërisë
Dy anijet e trustit tregtar ndërkombëtar “Maersk”, konkretisht “Compton” dhe “Candor”, që u raportua nga “Bloomberg” dhe mediat tajlandeze se po transportonin mbetje të rrezikshme furre elektrike shkrirjeje të çelikut (Kadmium dhe Krom) nga Shqipëria në Tajlandë, u ndaluan nga Rojat Bregdetare dhe Autoritetet Portuale.
Kush fshihet pas kompanisë “Sokolaj shpk”! Ja lëvizjet e pronësisë së firmave të përfshirë në skandalin e mbetjeve toksike, si nisi trafiku me firmën e re
Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se Gjovana Sokolaj është aksionere te 4 kompani, “Florester Metalik”, “SOKOLAJ” shpk, “S Corp” dhe “Scholz” shpk.
Kompania “S Corp” sh.a ka patur si veprimtari fushën e energjisë dhe e ka kryer aktivitetin për vetëm 3 vite pasi ka filluar procedurat e likuidimit. Kjo kompani rezulton në pronësi të Gjovana dhe Doni Sokolaj me qendër në qytetin e Lushnjes.
Familja Sokolaj ka aksione edhe te kompania “Scholz” shpk, të cilën e ka në bashkëpronësi me 50% të aksioneve me kompani gjermane, e cila ka pjesën tjetër të aksioneve dhe rezulton me pronarë fundorë kompaninë private kineze “Chiho Environmental Group Limited”. “Scholz” shpk ka si objekt veprimtarie grumbullimin, përpunimin, riciklimin, tranzitimin, transportimin dhe eksportimin e mbetjeve të ngurta dhe të vëllimshme me përmbajtje metalore, si edhe riciklimin e pjesëve dhe mbetjeve te hekurit.
Në vitin 2014, kjo kompani ka marrë licencën III.2.B nga Agjencia e Mjedisit dhe ka një pikë grumbullimi në zonën e Xhafzotaj në rrugën e Fllakës.
“Scholz” ka një histori të gjatë me ndryshimin e aksionerëve dhe administratorëve, ku disa prej tyre janë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Kjo kompani është themeluar në 4 shtator 2008 nga kompania gjermane “Scholz Internationale Handelsgesellschaft”, e cila në 2016 kaloi në pronësi të kompanisë kineze, me Drejtor të Përgjithshëm shtetasin malazez Branislav Pejovic dhe ky i fundit i përfaqësuar nga shqiptari Rado Brajoviq.
Në 14 nëntor 2012, Branislav Pejovic dhe Rado Brajoviq largohen për t’ia lënë vendin si administrator të kompanisë kroatit, Kruno Kovacevic dhe kosovarit Arsim Muja.
Një vit më pas, në nëntor 2013 emërohet administratore Gjovana Sokolaj duke zëvendësuar Arsim Mujën dhe Kruno Kovacevic, e cila është edhe pronarja e “SOKOLAJ” shpk. Në nëntor 2014, kompania gjermane emëron si administrator shtetasin maqedonas Blazhe Mitrevski dhe shkarkon Gjovana Sokolaj.
Një detaj i rëndësishëm do të shënonte historikun e kësaj kompanie, e cila paraprakisht, në 17 maj 2014 do të bënte një marrëveshje për transferimin e 50 % të aksioneve, përkatësisht 25% të Doni Sokolaj dhe 25% të Gjovana Sokolaj me vlerë 250 euro. Në kundërshtim me ligjin, kjo kompani nuk ka deklaruar bilancet e saj vjetore në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku mungojnë të dhënat për vitin 2014.
Duke parë vetëm të dhënat për bilancin e vitit 2012, është e habitshme se si një kompani që ka të ardhura 225 milionë lekë ose 2.2 milionë euro i shet aksionet me këtë vlerë, por një fakt interesant del në skenë. Për periudhën 2014-2023 kompania “SOKOLAJ” kishte transferuar 3.2 milionë euro te kompania “Hakliol Madencilik” në Turqi.
Ekskluzivisht “Vetting” zbulon se kjo kompani rezulton e përfshirë edhe në marrëveshjen midis gjermanëve dhe familjes Sokolaj, duke ndryshuar edhe emrin e operatorit nga “SCHOLZ” në “Scholz & Sokolaj”.
Konkretisht sipas kësaj marrëveshjeje, blerësit që janë Gjovana dhe Doni Sokolaj pranojnë për shitësin, kompaninë gjermane “SCHOLZ” se do t’i transferojnë jo më vonë se data 30 shtator 2014 në favor të kompanisë “SOKOLAJ” shpk, titullin e pjesës së saj prej 50% te kompania në Turqi “Hakliol Madencilik Tasimancilik Sanayi ve sicaret”.
Në kontratë parashikohet se nëse nuk arrihen këto pika, edhe marrëveshja nuk realizohet dhe secila nga palët ka të drejtën të shkëputet nga pakti. Por para dy muajsh, ortaku turk Serdar Can Hakliol i shet pjesën e vet Gjovana Sokolaj te kompania “SOKOLAJ” shpk.
Nga kërkimet e “Vetting” në regjistrin zyrtar të biznesit në Turqi, kompania me kodin e afishuar në dokumentet zyrtare që është bërë transaksioni në Shqipëri rezulton me statusin e fshirë dhe me emrin “REKOR PASTAHANESİ TANAŞ PERİFTİ VE LEONİDA YOTO ŞİRKETİ”.
Sipas të dhënave, kjo kompani ka patur si objekt veprimi fushën e pastiçerisë, por rezulton e fshirë nga regjistri zyrtar dhe nuk gjendet asnjë lloj informacioni për aksionerët dhe administratorët.






















