Mbetet në burg, gjykata e Fierit rrëzon kërkesën e Safet Bajrit

195
Sigal

Gjykata e Fierit ka rrëzuar kërkesën për liri të anëtarit të bandës së Shkodrës, Safet Bajri. Gjykata e ka rrëzuar kërkesën e Bajrit me argumentin se nuk plotëson kriteret ligjore.

Po ashtu mësohet se Drejtoria e Burgjeve ka dërguar në gjykatë raportin negativ për Bajrin, ndërsa kundër lirimit të tij nga burgu ka qenë edhe prokurori. Safet Bajrit i kanë mbetur edhe 6 muaj burg, që lidhet me një vendim të drejtësisë belge.

Safet Bajri u arrestua në vitin 2018 në kuadër të operacionit “Oazi” dhe kjo është hera e dytë që ai kërkon liri me kusht, pasi i është refuzuar.

Mësohet se veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, deri në goditjen e plotë të gjithë grupit kriminal “Bajri” kanë zgjatur mbi 6 muaj.

Burime zyrtare thanë se hetimet u bazuan te dhjetëra orë përgjime, mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, u analizuan mijëra faqe të dhëna, si edhe u kryen veprime proaktive në terren, përmes kontrollit nga ajri (dron) dhe vëzhgimit intensiv.

Në kohën kur u arrestua Bajri zyrtarisht u tha se: Oficerë të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerë të kontaktit të vendeve të përfshira në operacion, kanë kryer veprime në terren për evidentimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve anëtarë të grupit, që vepronin jashtë Shqipërisë, e kryesisht në Holandë. Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë:

“Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i lotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Po ashtu, Policia tha se ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e ndodhura në Shkodër. Grupi “Bajri”, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në shtete europiane dhe më pas paratë e përfituara nga ky aktivitet investoheshin brenda vendit.

Operacioni policor për arrestimin e pjesëtarëve të grupi Bajri u tha se u zhvilluan njëkohësisht në Tiranë, Shkodër dhe në Roterdam të Holandës.