Maskat vënë në ‘shënjestër’ një tjetër banesë në Vaun e Dejës, grabitja e dytë brenda pak ditësh

122
Sigal

Një banesë është grabitur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Ashtë të Vaut të Dejës.

Policia tha se ngjarja u regjistrua rreth orës 04:00 të mëngjesit, ku persona të panjohur kanë marrë një shumë parash brenda banesës dhe më pas janë larguar prej andej me një automjet tip “Benz” që ishte i parkuar në oborr.

Dyshohet se personat që kanë kryer grabitjen, kanë qenë të maskuar.

“Më datë 5.10.2022, rreth orës 04:25, në fshatin Ashtë, Vau i Dejës, persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur me dhunë në banesën e shtetasit Z. P., një shumë parash dhe automjetin tip ‘Benz’, i cili ka qenë i parkuar në oborrin e kësaj banese. Është ngritur menjëherë grupi hetimor dhe vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin e zonës, me qëllim kapjen e autorëve”, sqaroi Policia.

PRECEDENTI

Ky është rasti i dytë i grabitjeve brenda pak ditësh në qarkun e Shkodrës, ndërsa i treti brenda javës në vendin tonë, përveç rasteve sporadike të vjedhjeve. Pak ditë më parë, në media doli lajmi se në një banesë në fshatin Kosmaç të Vaut të Dejës ishte vjedhur një banesë ku ishte marrë një shumë prej rreth 1 mijë eurosh. Vetëm pasi lajmi doli në media, reagoi Policia e Shkodrës, e cila sqaroi edhe kronologjinë e ngjarjes.

“Në lidhje me një lajm të publikuar në media, në të cilin pretendohet për vjedhjen me armë të një shume parash, në një banesë, në fshatin Kosmaç, Vau i Dejës, sqarojmë se: Në fshatin Kosmaç nuk ka ndodhur vjedhje me armë, por më datë 25.9.2022 ka pasur një vjedhje që është denoncuar nga vetë i zoti i banesës, i cili ka deklaruar se në momentin që ka ndodhur vjedhja, në banesë nuk ka qenë asnjë person.

Gjithashtu, ai ka deklaruar se autorët e vjedhjes i ka parë në momentin që janë larguar nga banesa dhe nuk ka vënë re që të kenë pasur armë me vete. Grupi hetimor ka kryer të gjitha veprimet procedurale dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për hetime të mëtejshme. Policia e Shkodrës kërkon mirëkuptimin e mediave që para se të publikojnë informacione që kanë të bëjnë me punën e Policisë, të kërkojnë informacion zyrtar, me qëllim përcjelljen e informacionit të saktë dhe të vërtetë te qytetarët”, thuhej në reagim.

Ndërkohë, gjatë së shtunës së javës që lamë pas, një tjetër banesë u grabit në fshatin Dom të Matit. Persona të maskuar dhe të armatosur, pasi dhunuan dhe lidhën një të moshuar dhe djalin e saj, vodhën një shumë prej 8 mijë eurosh dhe një milionë lekë të vjetra të ardhura nga emigracioni. Hajdutët hynë nga pjesa e pasme e ndërtesës. Sot e asaj dite, ngjarja ende nuk është zbardhur. Vila trekatëshe kishte çaktivizuar përkohësisht kamerat e sigurisë për shkak të rikonstruksionit të fasadës.