Damian Gjiknuri: Punësimi, prioritet i PS për Elbasanin

118
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, njëkohësisht drejtuesi politik i PS-së për qarkun, Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, vizituan kompaninë e hapur së fundmi në zonën industriale (ish-Metalurgjiku). Kompania “El Packing 22” merret me përpunimin e letrës, produkt ky i cili shkon i gjithi për eksport në të gjithë Evropën, kryesisht në Itali dhe Francë. Kompania e cila është hapur në muajin prill të vitit 2022 ka punësuar 115 punëtorë, të cilët realizojnë 30.000 paketime në ditë. Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja duke e cilësuar si një nga shumë bizneset e mira që janë hapur në Elbasan, shtoi se, “kemi pasur edhe një ulje të ndihmës ekonomike gjatë kësaj periudhe, pasi në Elbasan janë hapur shumë mundësi punësimi. Vetëm gjatë kësaj pranvere e në vijim ne kemi pasur shumë kompani të reja që janë hapur, përfshi edhe kompaninë më të re, atë afër Bradasheshit për kërkimin gjeologjik të naftës në fushën e Elbasanit”. Kompania italiane “Eni Gas Italia” tashmë ka nisur dhe po kërkon punëtorë me paga shumë të larta. Gjithashtu edhe shumë fasoneri në Elbasan kanë pasur kërkesa të shumta për punëtorë, duke ndikuar drejtpërdrejtë në uljen e skemës ekonomike në Elbasan dhe rrethinat e tij. Nga ana e tij drejtuesi politik, Damian Gjiknuri vlerësoi faktin që kjo kompani është hapur së fundmi. “Elbasani ka një avantazh të madh strategjik, pasi është më lirë se Tirana, është i pozicionuar nga pikëpamja logjistike, ka rrjet të mirë energjetik, ka lidhje të mira rrugore, është afër portit dhe kryeqytetit, por ka edhe bazën industriale”, tha Gjiknuri.