Maskat dhunuan dhe i grabitën të moshuarit dymbëdhjetë milion lekë, tre në pranga, një në kërkim

489
Sigal

Policia ka zbardhur grabitjen me dhunë që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Memaliaj, duke arrestuar tre të rinj, dhe duke shpallur në kërkim një tjetër.

Grabitja ndodhi në banesën e Hiqmet Ramadanit, 87 vjeç, ku u grabit me dhunë një shume prej 12 milionë lekësh të vjetra.

87-vjeçari ka rrëfyer  edhe momentin e tmerrshëm të grabitjes, ku tregoi se kanë qenë dy persona, ndërkohë që e kanë lidhur dhe goditur teksa i kanë grabitur paratë.

“Shqyen derën dhe hynë brenda. Isha bashkë më gruan. Dhe erdhi personi këtu. Njëri shkoi nga plaka dhe i lidhi buzën. Mendova se ishte nipi. Mu hodh për grykë dhe më kapi nga gryka. Dhe i gjuajta me një shkelm në bark.

U bënë dy, mua më lidhën kokë e këmbë. Më lidhën dhe gojën. Morën atë kabllin dhe ma lidhën për gryke për të më mbytur. Pasi më vunë poshtë, morën valixhet këtu. E hapën valixhen. Ishin dy persona.

Më lidhën këmbë, duar gojë. Unë po kundërshtoja, ato më lidhën. Më thanë do të vrasim, mos bëj zhurmë, kobure nuk u pashë.

Kisha 12 milionë lekë. Ra zilja dhe i bie të vëllait. Unë mezi u zgjidha vetë. Ika të vëllai dhe i thashë hajde se më vranë. Më erdhën dy veta për të më marrë lekët dhe ika pastaj. Më dhanë dy shkelma, më kanë gjuajtur dhe në nofull. Dorën ma kanë nxirë.”- u shpreh 87-vjeçari.

Njoftimi i policisë për të arrestuarit:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “ETALON”.

Operacioni nga DVP Gjirokastër në bashkëpunim me DVP Durrës.

Zbardhet dhe dokumentohet autorësia e vjedhjes me dhunë e banesës së shtetasit H. R., ndodhur në Memaliaj, mbrëmjen e datës 04.01.2020.

Vihen në pranga 3 nga autorët, si dhe 1 tjetër shpallet në kërkim.

Sekuestrohen 1 automjet, një pjesë e lekëve të vjedhura dhe 4 celularë.

Gjithashtu, në automjet u gjetën dhe u sekuestruan dy doza me lëndë narkotike kokainë.

DVP Gjirokastër, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, Stacionin e Policisë Memaliaj, Komisariatin e Policisë Tepelenë dhe DVP Durrës, pas një pune të mirëorganizuar hetimore për zbardhjen, dokumentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të vjedhjes me dhunë të banesës së shtetasit H. R., finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “ETALON”.

Si rezultat i operacionit u arrestuan shtetasit: E. A., 23 vjeç, A. R., 22 vjeç dhe F. R., 28 vjeç, banues në Durrës, si dhe u shpall në kërkim 1 shtetas tjetër dhe vijon puna për kapjen e tij.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datën 04.01.2020, kanë hyrë në banesën e shtetasit H. R., në Memaliaj, ku kanë vjedhur me dhunë një sasi lekësh.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet, një pjesë e lekëve të vjedhura dhe 4 celularë. Gjithashtu, në automjet u gjetën dhe u sekuestruan dhe dy doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Zbardhja e ngjarjes në kohë, si dhe kapja e autorëve, u bë falë një pune të mirëorganizuar nga një grup i posaçëm hetimor i DVP Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, si dhe bashkëpunimit mjaft të mirë me DVP Durrës.

Ky grup, me pseudonimin “Etalon”, dyshohet se ka kryer dhe një sërë vjedhjesh të tjera në qarqe të ndryshme, për të cilat vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitje e lëndëve narkotike”.