Mashtronin të huajt përmes call center-it, në pranga dy persona, shpallen në kërkim dy të tjerë

44
Sigal

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona përgjegjës dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë pasi dyshohen se mashtronin shtetasit e huaj përmes telefonit për të investuar në bursa fiktive.

Raportohet se gjatë ndërhyrjes së policisë janë sekuestruar 68 mijë euro, njësi kompjuterike, celularë, tabletë, mandate pagesash dhe blloqe me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Mësohet se u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve B. K., 27 vjeç, dhe M. K., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë, ndërsa u shpallën në kërkim shtetasit J. K., 51 vjeçe, dhe E. K., 32 vjeç.

Njoftimi i policisë:

DVP Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar “Momentum”.

Mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet telefonit, për të investuar në bursa fiktive, vihet në pranga 2 shtetas, shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, të katërt admininstratorë të një subjekti call center.

Sekuestrohen 68 000 euro, njësi kompjuterike, celularë, tabletë, mandate pagesash dhe blloqe me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Momentum”.

Si rezultat i këtij operacioni:

– u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve B. K., 27 vjeç, dhe M. K., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë;

– u shpallën në kërkim shtetasit J. K., 51 vjeçe, dhe E. K., 32 vjeç.

Këta 4 shtetas kishin në administrim një call center në Rrugën e Zallit, në të cilin ishin të punësuar rreth 60 punonjës, të cilët, së bashku me administratorët, telefononin shtetas të huaj, kryesisht italianë, iu prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.