Masakra e Reçakut, Bajram Begaj: Zgjoi botën për reflektim ndaj masakrave barbare që kryheshin në Kosovë

30
Sigal

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka përkujtuar masakrën e Reçakut, të ndodhur më 15 janar të vitit 1999 në Kosovë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Begaj thotë se kujtesa për masakrën e Reçakut, është motiv i fortë për të mbrojtur paqen, sigurinë, lirinë e dinjitetin njerëzor nga çdo makineri dhune që ushqehet nga racizmi, ekspansioni dhe armiqësia ndaj tjetrit.

Begaj ka nderuar edhe ish-shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, që i dha jehonë asaj që ndodhi më 1999.

“Sot një çerekshekulli nga masakra e Reçakut, të lutemi për shpirtin e civilëve të pafajshëm, viktima të gjenocidit dhe të krimeve kundër njerëzimit të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviç në Kosovë. 15 janari 1999, zgjoi botën për reflektim ndaj masakrave barbare që kryheshin në Kosovë. Kjo kujtesë sot është motiv i fortë për të mbrojtur paqen, sigurinë, lirinë e dinjitetin njerëzor nga çdo makineri dhune që ushqehet nga racizmi, ekspansioni dhe armiqësia ndaj tjetrit”, shkruan Begaj në Facebook.