Maksim Rushi: Kandidati Lefter Maliqi, një zë i fuqishëm për aftësinë e kufizuar në parlamentin e ardhshëm

25
Sigal

Nga Maksim Rushi, kryetar kombëtar i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë

Aftësia e kufizuar në Shqipëri në vazhdimësi është përballur me sfida të forta, të cilat e kanë bërë më të vështirë jetesën e tyre dhe arritjen e një standardi dinjitoz për ta dhe familjet me të cilat ndajnë hallet, vështirësitë e sëmundjet. Ndërkohë që fushata elektorale është në pikën e saj më të nxehtë, grupet e aftësisë së kufizuar janë mendje hapur për të analizuar me kujdes alternativën më të mirë, e cila do t’iu japë mundësinë të dalin nga vorbulla ku kanë hyrë prej kohësh. Ata kërkojnë një alternativë të re, ndryshe nga premtimet boshe, që kanë marrë 12 vite me rradhë nga qeverisja aktuale, duke synuar të gjejnë dritën në fund të “tunelit të errët të pritjes”. Personat me aftësi ndryshe, të Qarkut të Beratit, duket se e kanë gjetur njeriun që do t’i përfaqësojë denjësisht në parlamentin e ardhshëm të 2025-2029. Në takimet e tij me grupe të aftësisë ndryshe, kandidati për deputet i këtij qarku, Lefter Maliqi i cili përfaqëson alternativën e djathtë, dhe bën pjesë në listat e hapura të Pd-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, ka shprehur qartazi angazhimin e tij të pandalshëm për të qënë një zë i fuqishëm në parlamentin e ardhshëm shqiptar, duke marrë mbështetje besimplotë nga komuniteti i personave me aftësi të kufizuar. Z.Maliqi nuk është një emër i panjohur për ta, sepse edhe më herët ai ka ngritur denoncime publike në rastet e cënimit të të drejtave dhe integritetit të personave me aftësi ndryshe.

Komuniteti i personave me aftësi ndryshe, është një grup i margjinalizuar, i cili çdo ditë e konsideron si një ditë lufte për mbijetesën. Në bisedat me kandidatin për deputet, ata ndihen të gatshëm për të besuar shqetësimin dhe problemin e tyre, për të ndarë zhgënjimin dhe dhimbjen. Shpesh, në sytë, që mundohen të fshehin lotët, duket qartazi se janë të lodhur nga diskriminimi e keqtrajtimi, nga mungesa e kushteve, e arritjes së standardeve për një jetë dinjitoze e trajtim të barabartë. Nga ana tjetër, z.Maliqi u kujton të sëmurëve se programi politik i Partisë së Lirisë është shpresëdhënës dhe garant i të drejtave të barabarta. Ai nënvizoi se do të rritet pagesa që marrin individët, për shkak të aftësisë së tyre të kufizuar. Në takimet dhe bisedat me personat me aftësi ndryshe, Maliqi, shprehu empatinë, mbështetjen, respektin dhe përkrahjen e pakursyer që e ardhmja të flasë ndryshe, që politikat, të cilat do të ndërmerren do të jenë vetëm në të mirë të këtij komuniteti njerëzish.

“Njerëzit, ndihen të lodhur nga kjo qeverisje e dështuar 12-vjeçare, e cila është kthyer në sistemin narkoshtet, ku për njerëzit e thjeshtë, të përvuajtur dhe ata të sëmurë, e kanë zhytur në rrezik vazhdimësinë e jetës”. E vetmja rrugëzgjidhje sipas tij, është të bëhemi bashkë kundër partisë në pushtet, dhe se koha për ndryshim ka ardhur. Ai premtoi përpara pjesëmarrësve në takim, se do të mbetet zëri i tyre, pa asnjë kompromis me krimin. “Çdo premtim do të kthehet në realitet me vepra”, ishin disa nga fjalët e tij.

Personat me aftësi ndryshe, janë të veçantë, ata e njohin konceptin e vuajtjes e kjo i bën ata më njerëzore, i largon nga lakmia për para, emër e pushtet duke e njohur mirë vlerën e shëndetit e të jetës. Për këtë arsye tek ta shihet qartazi dëshira e paepur për të ndikuar në vendimmarrjen e parlamentit të ardhshëm duke u shprehur entuziastë se do të votonin pa asnjë hezitim kandidatin që i dëgjonte me interes, njeriun që u ngjante me veten, kandidatin me guxim, kurajo, të drejtpërdrejtë, fisnik e rebel kundër padrejtësisë dhe të keqes.

Duket se z.Maliqi i plotëson më së miri këto standarde, duke u sprovuar si njeriu i fjalës, kërkues, pasionant, transparent e koherent që nuk e shiti kurrë shpirtin dhe veten për të përfituar ndonjë kockë, nga qokat e partisë në pushtet. Këto janë disa cilësi të personalitetit që personat me aftësi ndryshe, të qarkut të Beratit ia vënë në dukje plot krenari. Në bisedë me ta, ndihet padurimi i fitores së madhe, fitores mbi korrupsionin, manipulimin, keqtrajtimin që alternativa e majtë udhëhoqi në 12 vite të lodhjes e pritjes me shpresën se çdo gjë do të ndryshojë. Ndryshimi nis nga ky komunitet- u shpreh z.Maliqi, sepse personat më aftësi ndryshe nuk mashtrohen nga fjalët boshe, fasadat miliona euroshe, apo nga tallavaja e ahengu me të cilat organizatorët e partisë mbushin karriket me punonjës administrate që i shantazhojnë duke i kërcënuar me bukën e gojës.”

Ai u shfaq besimplotë se Berati do të dijë të kthejë faqen e historisë, duke mos besuar më tek e majta pa vision, por duke kërkuar alternativën ndryshe, përmes së cilës, qytetari i thjeshtë, personat me aftësi ndryshe, pensionistët, të rinjtë, të papunët etj do të rigjejnë dritën jeshile të shpresës dhe të së ardhmes më të mirë.

Mandatin e deputetit, z.Maliqi nuk e konsideron një sukses personal, por një mision për të ngritur zërin, për të përfaqësuar shtresat e ndryshme, për të kumbuar fort në parlamentin e ardhshëm, mbi të vërtetat, shqetësimet, faktet që nuk duhet dhe nuk mund të manipulohen nga askush. Ky është deputeti që duam-shprehet Skënder Guri, një përfaqësues i SHSHPP-së sepse tek ai shihet vrulli i punës së palodhur, dashuria për njerëzit e thjeshtë e veçanërisht për personat me aftësi ndryshe duke i konsideruar ata si prioritet në marrjen e vendimeve të dobishme, të mirëmenduara e të suksesshme.

Nuk ndalet uragani opozitar deri në fitoren e 11 Majit! Ky është perceptimi që kandidat Maliqi, ka për fushatat që zhvillon në çdo qelizë të qarkut të Beratit. Në takimet me ta vëren entuziazmin e ndryshimit të madh, por edhe gjendjen e vështirë ekonomike, sociale. Në vizitat nëpër shtëpitë e tyre trishtohet kur sheh vatrat e boshatisura, rrugët pa njerëz, shkollat e mbyllura pa fëmijë, të moshuarit, që kanë vite pa takuar fëmijët e tyre larguar në diasporë.

Këto janë copëza të realitetit të vështirë, rikthimit të një epoke “migjeniane”e cila nuk kursen askënd, por veçanërisht moshën e tretë, personat me aftësi ndryshe dhe shtresat më të varfëra të shoqërisë tonë. Nëse duam ndryshimin, rikthimin e fuqisë dhe dinjitetit tonë nuk ka vlerë të kritikojmë nëpër rrjete sociale apo në kafenetë e lagjeve, por gadishmëria që në ditën e votimit të dimë t’i themi “JO” të keqes, mashtrimit, korrupsionit, braktisjes dhe pa asnjë hezitim të mbështesim alternativën më të mirë të ndryshimit dhe përmbysjes me votë të një sistemi të ashpër që po na vret çdo ditë.

Kandidatë dinjitozë, me energji të pashtershme si z.Maliqi, i gjejmë edhe në listat e qarqeve të tjera, Tiranë, Korçë e gjetkë, dhe të gjithë ata kanë një emërues të përbashkët. Dëshirojnë të rindërtojnë Shqipërinë Madhështore, Shqipërinë e vlerave, traditës, kulturës, arsimit, figurave të rëndësishme të kombit, heronjve të vërtetë duke ç’rrënjosur të keqen me rrënjë e duke mbjellë shpresën se e ardhmja na takon të gjithëve ne. Shqipëria e ka një shans, shqiptarët do të dinë të ringrihen, sepse në vendin e shqiponjave, çakenjtë e maskarenjtë nuk mund të jenë të përjetshëm.