Mafia shqiptare trafikon fëmijë në Angli, punojnë si skllevër në tregun e kokainës

957
Sigal

I detyruar të lypte në rrugë që në moshën 11 vjeç nga babai i dhunshëm, i trafikuar nga bandat shqiptare kur ishte 15 vjeç në Britani, ku provoi punën si skllav, u grabit e më pas u strehua në shtëpinë e fëmijës – jeta e Safet Matës ka qenë më traumatike nga sa mund ta marrin me mend shumë njerëz.

Tani 18-vjeçar dhe me rrezikun e rikthimit në Shqipëri, Sameti mbërriti në Bristol me kamion tre vjet më parë pasi u trafikua në Britani për të punuar në një nga industritë skllavëruese të kohëve moderne.

Fati i tij ndryshoi kur arriti t’ia mbathte nga trafikuesit dhe gjeti një strehë të sigurt te një familje e ngrohtë birësuese.

Por jo të gjithë të rinjtë shqiptarë që mbërrijnë në Britani janë kaq me fat. Shumë kanë hyrë në rrugën e errët të krimit.

 

Skllevër të trafikuar

Endrit Vishaj hyri ilegalisht në Britani në moshën 16 vjeç, i fshehur në një kamion që e çoi në Midlands. Tani, 18 vjeç, ai po shlyen dënimin katër vjet e katër muaj në burg për shitje kokaine.

Ai u kap në një parking makinash në drejtimin e një BMË-je ku policët gjetën dy kile kokainë të cilësisë së lartë, me vlerë 200 mijë sterlina, një çantë me 55 mijë sterlina, si dhe pjesën e tij prej një mijë sterlinash për punën e kryer.

Ashtu si Vishaj, edhe 20-vjeçari Klevis Drazhi u kap me 11 pako kokainë në Londër dhe u dënua me 18 muaj burg, duke deklaruar se ishte detyruar të shiste drogë nga një anëtar i një mafie shqiptare pasi kishte hyrë ilegalisht në Britani mbi karrocerinë e një kamioni.

Alfred Hamzaj, 22, u burgos tetë muaj për shitje droge në Deësbury, Ëest Yorkshire, ku u kap me katër kile kanabis.

Ai tha se i kishte hyrë rrugës së krimit pasi kishte humbur punën si larës makinash për shkak të statusit të imigrantit të paligjshëm.

Shumë të rinj shqiptarë si këta trafikohen ilegalisht në Britani me premtimin e fitimit të mijëra sterlinave nga shitja e trafikimi i drogës për llogari të bandave.

Para kokaine

Në mënyrë tronditëse, disa prindër në Shqipëri e rregullojnë që fëmijët e tyre adoleshentë të trafikohen në Britani për t’iu bashkuar bandave të krimit të organizuar që kontrollojnë pjesë të mëdha të trafikut të kokainës.

Tamara Barnett, nga Human Trafficking Foundation, thotë: ‘Në Shqipëri ekziston një ndjesi e vërtetë e të qenit i pashpresë. Një në dy gra përjeton dhunë në familje, dhe dhuna kundër fëmijëve është shumë e lartë. Familjet mund të jenë të përfshira, duke përdorur fëmijët për të fituar parà, ose mund të duan t’u japin të ardhme më të mirë fëmijëve duke i dërguar jashtë, por gjithçka shkon keq kur mbërrijnë këtu’.

Të dhëna nga gjykatat tregojnë adoleshentë shqiptarë, shumica të ardhur në mënyrë të paligjshme me kamionë në Britani, të përndjekur penalisht në qytete anembanë vendit pasi kanë kapur me drogë me vlerë 200 mijë sterlina.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), Shqipëria është burimi më i madh i huaj për trafikimin e njerëzve në Britani.

Më 2018 ishin 947 raste, me një rritje me mbi 50% krahasuar me 2015.

Specialisti ndërkombëtar i zbatimit të ligjeve Steve Harvey thitë se shumica e djemve dhe të rinjve shqiptarë trafikohen me miratimin e prindërve dhe me premtimin për shuma të mëdha parash nga ana e trafikuesve.

‘Trafikuesit dhe shfrytëzuesit iu premtojnë parà, shumë parà, iu premtojnë punë, ose kur djemtë janë të mitur iu premtojnë akomodim, rroba e gjëra të tjera të nevojshme’, tha një burim anonim për një hetim të Ministrisë së Brendshme britanike (Home Office).

Në disa raste, anëtarë të familjes janë direkt përgjegjës për rekrutimin dhe shfrytëzimin e viktimave meshkuj të trafikuara.

Disa vijnë të fshehur në kamionë, disa sigurojnë pasaporta false dhe vijnë me makina apo traget.

Mafia shqiptare

Burime nga policia kanë paralajmëruar se shqiptarët që hyjnë ilegalisht në Britani janë një forcë pune e gatshme për grupet e krimit. Mafia shqiptare punon sipas kodeve të besës e të kanunit.

Duzina lordë droge shqiptarë janë arrestuar e burgosur në Britani në vitet e fundit.

Shqiptarët përbëjnë numrin e dytë më të madh të të dënuarve të huaj në burgjet britanike, 760, me polakët në vendin e parë me 760, ndonëse vetëm pak dhjetëra mijë jetojnë në Britani, ndërkohë që polakët janë thuajse një milion. 433 prej tyre të burgosurve shqiptarë janë për krime të lidhura me drogën.

Bandat e armatosura promovojnë stilin e jetesës për adoleshentët në Shqipëri. Mes tyre është Hellbanianz, një bandë rrugësh në Londrën jugore.

Ata përdorin median sociale për të joshur rekrutë të rinj, duke shfaqur me mburrje paratë, makinat e shpejta, purot, femrat e stolitë.

Çdo javë anëtarë bandash shqiptare dalin në lajme pasi kapen me drogë apo duke trafikuar sasi të mëdha kokaine direkt nga Evropa.

Droga tashmë ka çmimin më të ulët që nga vitet ’90 dhe është më e pastër se ç’ka qenë për një dekadë. Mijëra shqiptarë mbërritën në Britani në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000, shumica me pretendimin se ishin kosovarë.

Tani ata kanë penetruar në tregun 5-miliardësh të kokainës duke krijuar lidhje direkt me furnizuesit në Amerikën e Jugut.

Disa familje shqiptare i dërgojnë fëmijët në Angli e vende të tjera me synimet më të mirë, ata duan t’u japin mundësi për arsimim dhe të ardhme. Por kjo ka krijuar një treg fitimprurës për bandat e trafikimit që marrin deri në 15 mijë paund nga familjet për t’u çuar fëmijët në Angli.

Një 23-vjeçar pagoi 5 mijë euro për të hyrë në Britani, ku donte të studionte e të punonte.

Duke mos qenë në gjendje të mbijetonte financiarisht, nisi të shiste kanabis dhe sasi të vogla kokaine për një bandë, por u kap dhe u dëbua.

Tani, me rekord kriminal dhe me kufizim të lirisë për të udhëtuar, e ardhmja e tij duket e trishtuar.

Ndryshe nga ai, Samet Mata arriti të krijonte një jetë të re në Britani pas moskujdesit, rrahjeve dhe abuzimeve gjatë fëmijërisë në Shqipëri, ndonëse edhe tani vuan nga çrregullimi i stresit post-traumtik (PTSD).

Tani studion tapiceri në kolegje dhe jeton më mirë se ndonjëherë më parë në vendin e tij. E megjithatë, meqenëse tani është 18 vjeç, Home Office synon ta kthejë në Shqipëri.

Babai i tij adoptues, John Stokes, ka marrë në shtëpinë e tij në South Gloucestershire mbi 60 fëmijë në 30 vitet e fundit dhe po bën një fushatë kombëtare për të ndaluar kthimin e detyruar të Sametit në Shqipëri.

‘Që kur Sameti erdhi në familjen tonë ai ka ecur shumë mirë’, thotë.

‘Tragjikisht, të gjitha ëndrrat e tij tani po shuhen. Është një situatë e dëshpëruar. Nëse kthehet në Shqipëri, do të bjerë drejt e në duart e atyre q e trafikuan këtu për të punuar. Ose do ta çojnë të punojë diku tjetër si skllav, apo më keq, do të zhduket, pasi nuk do të ketë asnjë që të kujdeset për të’.

The Sun