Mafia e insulinave grabit miliona me fatura fallco

759
Sigal

SKANDALI/ Lidhja  e depove, farmacive dhe mjekëve në grabitjen e milionave të  rimbursimit nga ISKSH-ja

Fushatat elektorale janë më të prirura për abuzime, por edhe më të prirura për tolerancën që i kalon kufijtë e tolerancës. Një veprim i tillë i përmasave të mëdha dhe tejet skandaloze ka përfshirë edhe sistemin shëndetësor shqiptar dhe sidomos atë farmaceutik në Shqipëri. Megjithëse, deklarimet dhe denoncimet vazhdojnë të bëhen prezente në institucionet e  ministrisë së linjës, krimit ekonomiko-financiar  dhe hetimit, përsëri askush nuk vepron, por kërkojnë me çdo kusht dhe çmim ta mbyllin këtë çështje. Arsyeja dihet. Në këtë histori trafiku, hajdutllëkun dhe banditizmi janë të përfshirë funksionarë të lartë të sistemit shëndetësorë, deputetë, depo grosiste dhe farmacistë. Përfundimi, hajdutët hanë e pinë me paratë e taksapaguesve që i vodhën ditën me diell,  ndërkohë që, spitalet janë bosh dhe pa ilaçe.

Po si qëndron e vërteta e këtij skandali që mbahet i fshehur dhe ka njollosur me blozën e zezë të turpit një numër politikanësh dhe të afërm të tyre? Në muajin qershor 2013, janë futur në doganën shqiptare 10 mijë insulina. Duke ditur nevojën e madhe të qytetarëve për insulina si dhe garancinë që këto para i RIMBURSON shteti, kontrabandistët dhe batakçinjtë u hodhën në sulëm për të zhvatur sa më shumë para nga fondi i ISKSH-së, gjatë gjithë kësaj periudhe. Përfundimi është se, nga 10 mijë insulina, papritur shteti rimburson në bazë të recetave të lëshuara 16 mijë insulina.  Por si ka mundësi që në doganë futen 10 mijë dhe ISKSH-ja na rimburson 16 mijë?! Vetë qytetarët paguajnë për 1 insulinë 400 lekë të vjetra, ndërsa 6800 lekë të vjetra i paguan shteti shqiptar. Kjo do të thotë që, ai që shet insulinën përfiton në dorë 7200 lekë. Sipas kësaj llogarie nga Arka e Shtetit kanë dalë dhe janë përvetësuar nga hajdutët e bluzave të bardha të poliklinikave dhe depove farmaceutike jo pak, por 115 milionë lekë 16 000 x 7200= 115.200.000 lekë). Pra vetëm për një artikull shteti ka harxhuar këtë sasi lekësh, ndërkohë që, duhet të harxhonte  10 000 x 7200=7 2000 lekë. Lind pyetja, ku shkuan dhe kush i grabiti rreth 50 milionë lekë?! Këtu bëhet fjalë vetëm për një artikull dhe për një sasi të vogël. Po të llogarisim mijëra artikuj që rimbursohen do na duhet të kërkojmë llogari për 150 milionë euro, që shteti harxhon për ilaçet (ISKSH), pa  llogaritur ato që harxhon Ministria e Shëndetësisë. E interesuar në këtë histori është edhe firma, e cila ka sjellë insulinën, pasi kjo e fundit, deklaron se, “nën emrin e insulinës sime janë prerë fatura fiktive dhe janë lëshuar receta, të cilat janë të dokumentuara. Ministria e Shëndetësisë, ISKSH, organet e hetimit duhet të mos heshtin, por kanë shansin të bëjnë shembull këdo qoftë  që fshihet pas emrave të zyrtarëve kontrabandistë”. E vetmja gjë që verifikohet është pikërisht ky skandal i insulinës që përdoret nga të sëmurët diabetikë. Sipas specialistëve të kontaktuar, thuhet se, organet e specializuara duhet të marrin recetat që ekzistojnë në ISKSH dhe të shohin se, cili mjek dhe nga cilat poliklinika janë lëshuar. Pastaj, në cilën farmaci janë ekzekutuar si receta dhe në fund, ata që i kanë likuiduar lekët, pasi në sistem thuhet se janë futur 10 mijë insulina dhe t’i do të paguash lekë për 10 mijë jo për 16 mijë. Mekanizmi, -vazhdojnë dhe shpjegojnë ekspertët e farmaceutikës -është i thjeshtë. Faturat lëshohen nga depot te farmacisti, por pa çuar insulina sepse nuk kanë ku t’i gjejnë dhe farmacisti në bazë po të recetës fiktive të mjekut bënte sikur e shiste dhe i merrte lekët si RIMBURSIM shtetit nëpërmjet ISKSH-së. Ky veprim mafioz nuk ndëshkohet sepse trafikantët kanë marrë peng sistemin farmaceutik në Shqipëri. Këtë gjë e dinë edhe europianët, por e dinë edhe amerikanët, kompania e të cilëve skandalizohet, kur konstaton se me insulinat e saj -që duhet të jenë në shërbim të pacientëve -fryhen të babëziturit e lidhur me pushtetin. Ata dhe të gjithë shqiptarët nuk besojnë kollaj tek kjo reformë e ministrit Beqaj, kur ky i fundit shkon në QSUT dhe deklaron se janë kapur 1 milion dollarë ilaçe të skaduara dhe shefin e farmacisë që i priti dhe i mori në dorëzim, apo më keq po ti ketë “freskuar” e emëron Drejtor për të kontrolluar ilaçet në të gjithë vendin dhe për të gjithë shqiptarët. Ky është turp i madh dhe maskarallëku i tyre po zhgënjejnë shqiptarët, duke diskretituar Rilindjen e votuar masivisht. Ka edhe skandale të tjera me programet e blera nga Ministria e Shëndetësisë që kanë dalë jashtë funksioni, por me to do merremi në ditët në vijim. Ndaj i mbetet  Kryeministrit Edi Rama t’u tregojë vendin këtyre mostrave dhe ordinerëve që vjedhin pa shpërndarë dhe pa çuar tek qytetarët qoftë edhe një insulinë të vetme.

Ilir Beqja, ministër i Shëndetësisë

Barnat futen në tregun farmaceutik nëpërmjet regjistrimit dhe me leje importimi. Duhet të marrim një vendim përfundimtar për pullën, procedura e mëparshme nuk mund të vazhdojë. Një bar bllokohet ndërsa një bar tjetër tregtohet. 10 % nuk do të hiqet nga 1 janari, kemi rënë dakord dhe me Ministrinë e Financave që në ditën që do vihet në zbatim do të jetë efektive dhe lista e rimbursimit. Brenda 300 ditëve do ketë stabilizim dhe rënie të çmimit dhe mund të jetë efektive nga 1 prilli i 2014-s.

 Arjan Jaupllari, ish-kreu i Urdhrit të Farmacistëve:

Ligji ekzistues duhet bërë nga e para. Kryesore është se nuk është ky problemi. Farmacia ofron shërbim dhe për nevojë duhet bërë aty, ku qytetari ka nevojë për këtë shërbim.

Si specialist i fushës, si ish- drejtues i shërbimit farmaceutik, Jaupllari rendit tre shqetësimet e sistemit farmaceutik.

1-Rreth 200 mjekë të ISKSH-së kanë nga një farmaci të vetën që vetë i lëshojnë recetat, vetë shkruajnë, vetë i ekzekutojnë, kanë marrë nga një diplomë te “Kristali”, kanë marrë provimin e shtetit dhe bëjnë dy punë edhe mjekë edhe farmacistë, pra kemi të bëjmë me një “biseksualizëm” profesional. Kështu që këto janë problemet sepse mbyllin ciklin. ISKSH duhet të merret me këto.

2- Një kompani farmaceutike ka deklaruar te ISKSH-ja dhe te Ministria e Shëndetësisë se ka futur 10 mijë insulina dhe i janë rimbursuar 16 mijë dhe e ka rimbursuar “x” depo dhe ende asgjë për këtë. Kjo sepse ka humbur identiteti i farmacistëve. Farmacist mund të bëhet kushdo, kur do dhe si do. Ka rënë garancia e shërbimit farmaceutik.

3- Një nga arsyet pse spitalet nuk kanë barna është sepse sistemi farmaceutik nuk funksionon. Asnjëherë të vetme në tetë vjet, një farmacist nuk është pyetur për të bërë listën e barnave spitalore, kjo edhe për faktin e thjeshtë sepse në spitalet tona farmacistin e bëjnë mjekët, veterinerët, por jo farmacistët.

 Astrit Beci, Drejtori i ri i ISKSH-së

Meqë kam qenë vetë drejtor në spital rajonal në të gjitha shkresat zyrtare, ku duhej nevoja e farmacistit ka qenë prezent, kjo nga eksperienca ime. Më shumë se gjysma e komisioneve që tenderojnë ilaçe kanë farmacistë në komisione. Si pjesë e programit qeverisës jemi të përqendruar në luftën kundër kancerit dhe të sëmundjeve kardiovaskulare. Do rrisim listën e rimbursimit jo vetëm me barna traditë, por dhe për sëmundje që kapin grupe më të rinj pavarësisht kostove si dhe do të shtojmë numrin e alternative të barnave në listë.

 Dr. Sazan Çeliku (Farmacisti): OBSH ka thënë se, nëse vetëm një hallkë të mos funksionojë, kriminaliteti bën punën e tij. Pas drogës dhe armëve, farmaceutika është biznesi më fitimprurës dhe më i rrezikshëm. Ne kemi gjithë këto hallka që nuk funksionojnë.