Tanush Kaso: Tufa s’përfaqëson të burgosurit politikë, është dënuar për prostitucion!

585
Sigal

Skënder  Tufa  nuk  përfaqëson  ish  të  burgosurit  politikë

 Reagim i 48 të përndjekurve pas botimit në “Telegraf”, të draftit të përgatitur nga Skënder Tufa e një grupi të burgosurish politik

 Pas botimit në gazetën “Telegraf” të datës 16 janar 2014 të një drafti të një grupi ish-të dënuarish politikë për Parlamentin shqiptar lidhur me afatet e kompensimit të kësaj kategorie nga qeveria, ka reaguar një grup prej 48 ish-të përndjekurish politik të përfaqësuar nga Tanush Kaso. Ai kundërshton nismën e kolegëve lidhur me draftin, duke theksuar se: “Skënder Tufa nuk përfaqëson të përndjekurit politik”. Nisur nga misioni i gazetës sonë, nga paanësia, ne po e botojmë të plotë deklaratën Kasos e kolegëve të tij, duke qenë të hapur dhe për palën tjetër…

          *   *    *

Gazeta “Telegraf” e dt. 16 janar 2014, botonte me shkronja të mëdha, njoftimin befasues “Ligji i ri për dëmshpërblimin e të përndjekurve”, nga i cili mësohet se, Skënder Tufa paska sajuar një “projektligj”, i cili i është dorëzuar Kryesisë së Kuvendit dhe pritet të kalojë për miratim në seancë parlamentare! U pyetën kryesitë e shoqatave të ish të dënuarve politikë si dhe mjaft ish të burgosur e të përndjekur, por askush nuk kishte dijeni për atë “draft”, që Tufa e ka hartuar me kokën e tij ose me udhëzimin e dikujt tjetër. As drejtori i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, ish i burgosuri politik, z. Bedri Blloshmi, nuk ishte njoftuar paraprakisht, për këtë nismë të njëanshme të S. Tufës.
Ky veprim i papërgjegjshëm dhe i dënueshëm, ka shkaktuar një indinjatë të përgjithshme, sepse askush nuk ka të drejtë të bëjë pazare me vitet e burgut dhe vuajtjet e të tjerëve, pa qenë i autorizuar prej tyre. Aq më tepër nuk e ka këtë të drejtë një person si S. Tufa, i cili nga viti 2004 e deri më 2010 ka qenë në burg, i akuzuar dhe i dënuar me shtatë vjet heqje të lirisë, për “shfrytëzim prostitucioni”, i kapur në flagrancë tek kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës dhe i fotografuar e i filmuar nga mediat e shkruara dhe ato televizive. Me një figurë morale të tillë, atë nuk e pranon as si anëtar, statuti i çdo shoqate dhe partie, e jo më të përfaqësojë mijëra njerëz të ndershëm, të grupuar në shoqatat e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë. Ky është një fakt i njohur botërisht tanimë, i mjaftueshëm që mediat të mos i lejonin hapësira mediatike atij, për të folur e dërdëllitur në emër të një shtrese sa të përvuajtur aq edhe të nderuar. Mirëpo, me sa kuptohet, prapa disa mediave qëndrojnë forca politike të caktuara, që i përdorin elementë të tillë , për denigrimin e figurës së ish të burgosurve politikë. Nga ana tjetër, qëllimi i atij “drafti” me dy-tri
kërkesa të pamotivuara mirë, është që çështja e dëmshpërblimit të ish të dënuarve politikë, të futet në vorbullën e Kuvendit për kalim kohe dhe që të dalë andej vetëm në “kalendrat greke”, me aktet ligjore e nënligjore, të cilat mund të zgjaten pambarimisht.
Skënder Tufa nuk ka autorizimin dhe kapacitetet e duhura për të hartuar projekt ligje dhe amendamente, por duket qartë se është dora e tjetërkujt që ka hyrë në lojë. Mirëpo, një gjë e tillë  mund të jetë me pasoja, për Tufën dhe për ata që fshihen pas tij.
Ish të dënuarit politikë të Shqipërisë, kërkojnë zbatimin me korrektesë të ligjeve që kanë të bëjnë me dëmshpërblimin  dhe me integrimin real të tyre. Qeveria Rama-Meta të mbajë premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale, për fillimin e dëmshpërblimit me të sëmurët dhe të moshuarit e për të vijuar me të tjerët që janë gjallë, për dëmshpërblimin e tyre brenda vitit të parë të qeverisjes. Dhe brenda dy vjetëve, të shlyhet krejtësisht llogaria me ish të dënuarit politikë, me të pushkatuarit dhe të internuarit për motive politike. Ky është një detyrim moral dhe ligjor, që ka shteti dhe shoqëria shqiptare ndaj kësaj shtrese, e cila me forma e mjete të ndryshme, guxoi t’i kundërvihej sistemit diktatorial dhe që u sakrifikua për një Shqipëri të lirë, demokratike, të bashkuar e të qytetëruar, si gjithë Europa dhe bota e qytetëruar.

  Firmosin

Tanush Kaso

Vijojnë dhe 47 firma