Lufta kundër krimit / Ministri Lleshaj akuzon pushtetin lokal për neglizhencë

218
Sigal

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj e ka drejtuar gishtin nga pushteti lokal për neglizhencë në luftën kundër krimit dhe kontrollit të territorit. Sipas tij, Policia e Shtetit është lënë e vetme në luftën kundër krimit dhe për këtë ai kërkon angazhimin e 61 kryetarëve të bashkive të vendit.

Strategjia ndërsektoriale e Ministrisë së Brendshme për sigurinë në komunitet për 5 vitet e ardhshme vlerëson se situata e rendit në Shqipëri gjatë 4 viteve të fundit ka patur përmirësim rrënjësor. Por nga ana tjetër aty ngrihet alarmi se policia është lënë e vetme në luftën ndaj krimit pasi aktorët vendorë nuk ushtrojnë përgjegjësitë që i ngarkon ligji.

 Pavarësisht përcaktimeve ligjore në fuqi, bashkëpunimi ndërmjet strukturave vendore të policisë, pushtetit vendor dhe degëve vendore të institucioneve publike, nuk ka qenë në nivelin e duhur dhe të pritshmërive. Policia e Shtetit është struktura që ka qenë e angazhuar maksimalisht, por ka pasur një reagim të vakët të institucioneve të tjera për të thelluar bashkëpunimin ndërinstitucional. Strategjitë vendore të Sigurisë në Komunitet janë konsultuar rrallë me partnerët lokale edhe në shumë pak raste partnerët lokalë kanë ndërmarrë hapa konkretë për rritjen e sigurisë publike, duke koordinuar veprimet me Policinë e Shtetit”, thuhet në raport.

Strategjia kërkon ndër të tjera edhe një rikonceptim të rolit të Policisë Bashkiake.

Masat kyçe do të lidhen me rishikimin e ligjit për Policinë Bashkiake, i cili do të mundësojë kërkesa dhe standarde më të larta për këto struktura në funksion të sigurisë publike, si dhe përmirësimin e kuadrit rregullator dhe fuqizimin e bashkëpunimit të strukturave të Policisë Bashkiake me strukturat e Policisë së Shtetit”.

Sipas raportit, mungesa e kontrollit mbi territorin ka ardhur si pasojë e mos funksionimit të Këshillave Vendore të Sigurisë Publike dhe jo nga ndonjë problematikë në lidhje me Policinë e Shtetit.

Një vëmendje të veçantë në raport merr policimi në komunitet, i cili pritet të jetë një strukturë e veçantë e mirëpaguar dhe e pajisur me mjete e uniformë të dedikuar. Risi të tjera që propozohen janë futja e teknologjisë së patrullimeve me dronë dhe zyra policie në çdo bashki për koordinimin e kontroll të territorit.