Edicioni I 31-te I Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, i organizuar nga Klik Ekspo Group, uli siparin pas katër ditësh aktivitete të pasura, duke vendosur theksin te zhvillimi i sektorëve kyç për Shqipërinë 2030 dhe integrimi në Bashkimin Europian. Në panair morën pjesë 250 kompani, përfshirë 170 ndërkombëtare nga mbi 20 vende, duke e kthyer këtë ngjarje në një platformë të rëndësishme për investime, bashkëpunim dhe partneritete rajonale dhe europiane.
Menaxheri i Përgjithshëm i Klik Ekspo Group, Luel Muhametaj, vuri në dukje rëndësinë e sektorëve strategjikë si infrastruktura, energjia, turizmi, bujqësia, arti kultura dhe teknologjia, duke përfshirë start-up-et inovative. Konferencat e panairit trajtuan projektet dhe strategjitë që do ta integrojnë Shqipërinë më thellë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, duke nxitur zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe investimet e huaja. Një moment i veçantë ishte mbledhja e Komitetit Drejtues të CEFA-s në Tiranë, që theksoi rolin e Shqipërisë si një qendër rajonale për panaire dhe zhvillim ekonomik ndërkombëtar. Ky edicion shënoi gjithashtu pjesëmarrjen e kompanive prestigjioze ndërkombëtare si Bonomi Group (Itali) dhe Bostock London (MB), duke treguar interesin në rritje për tregun shqiptar dhe bashkëpunimet rajonale. “Panairi e forcon imazhin ekonomik të Shqipërisë dhe e kthen Tiranën në një dritare drejt së ardhmes, duke nxitur integrimin europian dhe zhvillimin e sektorëve strategjikë”, tha Muhametaj.
Klik Ekspo Group pret në Tiranë Komitetin Drejtues të CEFA-s: Industria e Panaireve në qendër të strategjive të zhvillimit “Shqipëria 2030”
Klik Ekspo Group mbledh CEFA-n në Tiranë: Strategjitë e “Shqipëria 2030” dhe projekti gjigant “Expo-Albania” në qendër të diskutimeve
Komiteti Drejtues i CEFA-s (Aleanca e Panaireve të Evropës Qendrore dhe Juglindore) u mblodh në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës – Edicioni i 31-të, të organizuar nga Klik Ekspo Group.
Takimi mblodhi drejtues të rëndësishëm të panaireve nga vendet e rajonit dhe Evropës, ku u diskutuan projektet strategjike të programit “Shqipëria 2030”, investimet e huaja dhe zhvillimet e reja infrastrukturore në vend.

Muhametaj: Panairi, platformë për investime dhe diplomaci ekonomike
Në fjalën e tij, Luel Muhametaj, menaxher i përgjithshëm i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, theksoi rolin që Klik Ekspo Group ka luajtur për tri dekada në tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri. “Ky panair është kthyer në pikë takimi të qeverive, ndërmarrjeve dhe korporatave – një treg global i diplomacisë ekonomike, ku formësohen partneritete dhe investime,” – u shpreh Muhametaj.Ai nënvizoi se për pesë vitet e ardhshme, Panairi do të ripozicionohet për të mbështetur strategjitë e ‘Shqipëria 2030’, duke promovuar projektet kombëtare dhe orientuar investitorët drejt sektorëve prioritarë si energjia, turizmi, bujqësia, teknologjia dhe startup-et.

Haxhi: “Expo-Albania” – qendra më e madhe e panaireve në Ballkan
Një ndër prezantimet më të rëndësishme në këtë mbledhje ishte projekti “Expo-Albania”, i paraqitur nga Florensa Haxhi, CEO e Durana Tech Park.
Ajo bëri të ditur se ndërtimi i qendrës moderne të panaireve do të nisë në vitin 2026, në periferi të Tiranës, pranë liqenit, në një sipërfaqe prej 23 mijë metrash katrorë, me hapësira të brendshme dhe të jashtme për evente, si dhe parkim nëntokësor e ambiente hoteliere.“Expo-Albania do të jetë qendra më e madhe e panaireve në Ballkan. Projekti arkitektonik është realizuar nga studio e njohur Steven Holl, dhe synon të sjellë në Shqipëri ngjarje ndërkombëtare të nivelit më të lartë,” – deklaroi Haxhi.
Sipas saj, qendra do të bashkëpunojë ngushtë me Klik Ekspo Group dhe do të tërheqë marka e evente të mëdha nga Italia dhe vende të tjera evropiane.
Investime dhe inovacion digjital
Në panel mori pjesë edhe Thanasis Koutroumanos, përfaqësues i kompanisë Miratel Digital me bazë në Dubai, e cila prezantoi zgjidhje interaktive për ekspozita dhe evente në format virtual. “Ne sjellim teknologji që e transformon ekspozitën tradicionale në një përvojë digjitale tërësisht zhytëse, duke mundësuar ecje virtuale dhe përfshirje online të vizitorëve edhe pas mbylljes së eventit fizik,” – tha Koutroumanos, duke shprehur interes për investime në Shqipëri.
Përvoja e rajonit dhe bashkëpunimi ekonomik
Në takim foli edhe Emil Kuckovic nga kompania Poslovne Novine e Bosnjë-Hercegovinës, e cila operon në Shqipëri prej pesë vitesh në sektorin financiar. Ai ndau përvojën e suksesshme të projektit “100 Kompanitë më të mira” dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në fushën e panaireve dhe të dhënave ekonomike.“Ballkani dhe Evropa Qendrore janë tregje të vogla, por me potencial të madh. Bashkëpunimi dhe ndarja e përvojës janë çelësi i zhvillimit,” – u shpreh ai.
CEFA – platformë për bashkëpunim ndërkombëtar
Takimi i Komitetit Drejtues të CEFA-s në Tiranë u vlerësua si një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij edicioni të Panairit Ndërkombëtar, duke theksuar rolin e Shqipërisë si qendër rajonale për panaire, inovacion dhe diplomaci ekonomike. CEFA, Aleanca e Panaireve të Evropës Juglindore dhe Qendrore, është një rrjet bashkëpunimi ndërkombëtar që synon ngritjen e standardeve të përbashkëta të cilësisë, promovimin e marketingut ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave midis organizatorëve të panaireve të rajonit.
Tsaxirlis: Forcojmë bashkëpunimin me homologun tonë Klik Ekspo Group për të hapur perspektiva të bashkëpunimit europian në zhvillimin e ekonomisë

Alexander Tsaxirlis, kreu i Panairit Ndërkombëtar të Selanikut (TIF-Helexpo), theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe ndërtimit të besimit mes Shqipërisë dhe Greqisë gjatë Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, i organizuar nga Klik Ekspo Group. Në kuadër të takimeve të CEFA-s, Tsaxirlis u shpreh se panairet janë më shumë se ekspozita – ato janë ura që lidhin vendet dhe njerëzit, duke krijuar mundësi konkrete për investime dhe partneritete. Ai vuri theksin tek roli i besimit si themel i çdo bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe premtoi mbështetje për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Europës. “Partneriteti me Klik Ekspo Group është konsoliduar dhe është me potencial në rritje, duke hapur perspektiva për një bashkëpunim rajonal më të ngushtë dhe zhvillim të përbashkët ekonomik”, tha ai.

Cvetković: Panairi i Klikut në Tiranë- energji zhvillimore dhe qendër bashkëpunimi rajonal
CEO i Novi Sad Fair dhe ish-Ministër i Ekonomisë së Serbisë, Slobodan Cvetković, I pranishëm në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, vlerësoi dinamizmin urban dhe ekonomik të kryeqytetit shqiptar, që shpaloset më së miri permes projekteve dhe investimeve zhvillomore që prezantohen në panairin e organizuar nga Klik Ekspo Group.
Gjatë takimit të Komitetit Drejtues të CEFA-s, Cvetković theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes panaireve dhe bizneseve rajonale, duke evidentuar potencialin e Shqipërisë për investime, veçanërisht në ndërtim dhe turizëm bregdetar. Ai e përshkroi Panairin nderkombëtar një event kyç që e ka kthyer Tiranën si një qytet energjik dhe një qendër të re takimesh ekonomike për Ballkanin Perëndimor. “Shqipëria ofron mundësi reale për investitorët që kërkojnë tregje në zgjerim,” – tha Cvetković, duke shtuar se kontaktet e krijuara gjatë panairit mund të sjellin rezultate konkrete për bashkëpunim ekonomik dypalësh.

Vangjel Tavo promovon Himarën si destinacion turistik gjithëvit në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës
Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, vizitoi Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, i organizuar nga Klik Ekspo Group në Pallatin e Kongreseve, duke theksuar potencialin e Himarës si një destinacion turistik gjatë gjithë vitit. Gjatë vizitës, Tavo vlerësoi panairin si një mundësi të rëndësishme për të promovuar Himarën përballë më shumë se 250 kompanive dhe sipërmarrjeve vendase e të huaja pjesëmarrëse. “Synimi ynë është që Bashkia Himarë të ketë turizëm 365 ditë. Panairi është një hapësirë e shkëlqyer për të prezantuar potencialet tona turistike dhe historike, për të rritur bashkëpunimet dhe për të tërhequr investime të reja,” – tha kryebashkiaku. Ai bëri të ditur se përfaqësuesit e Himarës prezantuan gjatë panairit projektet e zhvillimit, trashëgiminë kulturore dhe bukuritë natyrore të zonës, duke synuar ta vendosin Himarën si një destinacion të veçantë në Rivierën Shqiptare. “U takova me vizitorë, partnerë dhe përfaqësues institucionesh, me të cilët shkëmbyem ide që do të na ndihmojnë të forcojmë bashkëpunimin dhe të rrisim vizibilitetin e komunitetit tonë,” – shtoi Tavo. Kryetari i Bashkisë nënvizoi se pjesëmarrja e Himarës në panairin ndërkombëtar do të krijojë mundësi të reja për zhvillim, investime dhe promovim, duke forcuar rolin e saj si një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të Shqipërisë.
Ekonomia në fokus të “Shqipëria 2030”: Korporata e Investimeve dhe AIDA prezantojnë projektet strategjike në Klik Ekspo Group
Edicioni i 31-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës (TIF 2025), i organizuar nga Klik Ekspo Group nga data 5 deri më 8 nëntor në Pallatin e Kongreseve, u zhvillua këtë vit nën moton “Windows into the Future”, duke reflektuar vizionin e qeverisë shqiptare për zhvillimin ekonomik të vendit në kuadër të objektivave të programit “Shqipëria 2030”.
Në qendër të këtij edicioni qëndroi koncepti i “dritareve drejt së ardhmes”, ku vizitorët patën mundësinë të përjetojnë përmes projeksioneve 3D dhe eksperiencave multisensoriale projektet që po transformojnë Shqipërinë në dekadën e ardhshme.
Korporata Shqiptare e Investimeve, Kokona: 70 projekte në proces, 20 në fazë të avancuar

Një ndër panelet më të rëndësishme të këtij edicioni ishte ai i prezantimit të reformave dhe nismave të qeverisë për forcimin e bashkëpunimit me investitorët vendas dhe të huaj, ku mori pjesë Elira Kokona, Drejtoreshë e Korporatës Shqiptare të Investimeve. Në fjalën e saj, Kokona theksoi se Korporata po menaxhon rreth 70 projekte, nga të cilat mbi 20 ndodhen në fazë të avancuar, ndërsa një pjesë tjetër janë në proces konceptimi.
“Këto janë projekte që kanë kaluar fazën e negociimit me partnerët publikë e privatë dhe po kalojnë në detajimin financiar. Të gjitha janë të aksesueshme në faqen tonë zyrtare,” – u shpreh ajo. Ajo solli në vëmendje projektin “Durana Tech Park”, si një ndër nismat më premtuese në fushën e teknologjisë dhe digjitalizimit, pjesë e vizionit për “Shqipëria 2030”.
“Durana do të jetë një hapësirë bashkëpunimi mes kompanive, startupeve dhe universiteteve, me synim zhvillimin e inovacionit dhe fuqisë punëtore,” – tha Kokona.
Durana Tech Park, që aktualisht operon në mënyrë virtuale, pritet të bëhet një qendër reale e bashkëpunimit mes aktorëve të teknologjisë, me projekte konkrete që kanë nisur të marrin formë.
AIDA: Shqipëria, partner i besueshëm për investitorët e huaj

Në të njëjtin panel, Laura Plaku, Drejtoreshë Ekzekutive e AIDA-s, solli një panoramë të gjerë të performancës ekonomike të vendit, duke nënvizuar faktin se investimet e huaja direkte në Shqipëri arritën një rekord prej 1.4 miliardë eurosh në vitin 2024. “Kjo rritje tregon qartë besimin e investitorëve dhe qasjen e re të qeverisë që e pozicionon Shqipërinë si një treg të qëndrueshëm dhe partner të besueshëm,” – theksoi Plaku. Ajo sqaroi se AIDA ka forcuar mbështetjen për investitorët përmes sektorit After Care, që ndihmon bizneset e huaja të orientojnë lehtësisht aktivitetin në Shqipëri. Një nismë tjetër e rëndësishme është “Investors Support Days”, e cila krijon një platformë dialogu mes komuniteteve të biznesit dhe institucioneve publike. “Kemi zhvilluar takime me bizneset zvicerane, amerikane dhe britanike, ku janë adresuar sfida konkrete dhe janë dhënë zgjidhje të drejtpërdrejta,” – shtoi Plaku.
Në panel mori pjesë edhe Elona Koçi, përfaqësuese e Raiffeisen Bank, e cila theksoi rolin e sektorit bankar në mbështetjen e projekteve të reja në teknologji dhe digjitalizim.
“Durana Tech Park është një nga projektet më interesante që po zhvillohen në Shqipëri. E shohim si një mundësi për partneritet, por edhe si klient që do ta ndihmojmë në rritje,” – deklaroi ajo. Koçi nënvizoi gjithashtu se Raiffeisen është një nga bankat më të avancuara në aspektin digjital në Shqipëri, duke ofruar shumicën e produkteve të saj në mënyrë online.
Klik Ekspo Group, urë mes inovacionit dhe zhvillimit ekonomik
Ky edicion i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës u konfirmua si një platformë strategjike ku bashkohen inovacioni, biznesi dhe zhvillimi ekonomik rajonal, duke reflektuar në mënyrë të qartë rrugën që Shqipëria po ndjek drejt objektivave të “Shqipëria 2030”.
FederCamera: Ura që lidh bizneset italiane me Shqipërinë dhe botën

FederCamera, rrjeti ndërkombëtar i dhomave të tregtisë dhe industrisë, shënoi një pjesëmarrje të rëndësishme në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, i organizuar nga Klik Ekspo Group, duke e kthyer ngjarjen në një pikëtakim strategjik mes bizneseve italiane dhe tregjeve ndërkombëtare.
Riccardo Bertinetti, Përgjegjës për Marrëdhëniet me Ndërmarrjet pranë FederCamera, theksoi rolin e organizatës si “urë bashkëpunimi” mes vendeve të ndryshme, përfshirë Italinë dhe Shqipërinë, si dhe rajone të tjera si Kolumbia dhe Azia e Jugut. Ai shtoi se FederCamera nuk përfaqëson vetëm institucione, por edhe sipërmarrës që kërkojnë zgjerim jashtë vendit, duke ofruar një model praktik bashkëpunimi ndërkombëtar. Gjatë vizitës në Shqipëri, Bertinetti zhvilloi takime intensive me përfaqësues të sektorit privat dhe publik, duke vlerësuar energjinë dhe potencialin e lartë të sipërmarrësve shqiptarë. “Shqipëria është një vend me potencial të jashtëzakonshëm, gjeografikisht, historikisht dhe ekonomikisht. Jam i bindur se vitet e ardhshme do të sjellin rezultate konkrete në marrëdhëniet tona ekonomike,” u shpreh ai.
Pjesëmarrja e FederCamera-s konfirmon interesin për tregun shqiptar dhe dëshmon angazhimin për ndërtimin e partneriteteve afatgjata rajonale dhe globale, duke e pozicionuar organizatën si një aktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm ndërkombëtar.

Mali i Zi forcon bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës 2025
Delegacioni malazez, i udhëhequr nga Ivana Paraca, Kryetare e Dhomës së Tregtisë së Malit të Zi, prezantoi 17 kompani nga sektorë të ndryshëm, përfshirë industrinë ushqimore, turizmin dhe prodhimin që marin pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës. Paraca theksoi rëndësinë e panairit si një hap përforcues për afrimin ekonomik mes dy vendeve:
“Këtë vit kemi 17 kompani nga Mali i Zi, të gjitha të hapura për bashkëpunim me tregun shqiptar. Panairizgjat katër ditë dhe presim më shumë kompani shqiptare të vizitojnë,” tha ajo.
Pjesëmarrja malazeze përkon me një periudhë rritjeje të qëndrueshme të tregtisë ndërkufitare Shqipëri–Mal i Zi, e mbështetur nga përmirësimi i infrastrukturës rrugore, lehtësitë doganore dhe politikat e përbashkëta rajonale. Kompanitë nga Podgorica, Nikshiqi dhe qytete të tjera malazeze synojnë të intensifikojnë bashkëpunimin në sektorë strategjikë si agroindustria, turizmi dhe logjistika. Panairi Ndërkombëtar i Klikut shërben si një platformë kyçe për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal, duke ofruar jo vetëm ekspozitë tregtare, por edhe mundësi për shkëmbim teknologjish dhe përforcim të lidhjeve ekonomike dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. “Jemi këtu për të forcuar lidhjet tregtare dhe për të krijuar ura të reja bashkëpunimi me Shqipërinë,” përfundoi Paraca, duke theksuar vizionin për një Ballkan më të lidhur dhe më konkurrues

“Shëndet ëmbël” debuton në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, Aulona Musta: Njohje dhe partneritete për të ardhmen
Marka shqiptare e ëmbëlsirave të shëndetshme “Shëndet ëmbël”, themeluar nga gazetarja dhe sipërmarrësja Aulona Musta, mori pjesë për herë të parë në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës (TIF 2025), të organizuar nga Klik Ekspo Group. Produktet e saj pa sheqer, pa gluten dhe pa laktozë tërhoqën vëmendjen e vizitorëve dhe partnerëve potencialë.
Musta theksoi se pjesëmarrja në panair ishte një mundësi për të njohur tregun, për të krijuar kontakte dhe partneritete që synon t’i zhvillojë në të ardhmen. “Ky panair më shërbeu për njohje dhe partneritete që mendoj për të ardhmen,” u shpreh ajo, duke shtuar se produktet e markës janë 100% të pastra dhe të përshtatshme për të gjitha grupmoshat.
“Shëndet ëmbël” nisi si një biznes online dhe më pas u zgjerua me dyqane fizike në Tiranë dhe Durrës, ndërsa kërkesa po vjen gjithnjë e më shumë edhe nga Kosova dhe komunitetet shqiptare jashtë vendit.

Panairi i 31-të i Tiranës mbyllet me gala festive dhe urime për Presidentin Luan Muhametaj
Edicioni i 31-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, i organizuar nga Klik Ekspo Group, uli siparin mbrëmjen e së shtunës me një gala muzikore dhe performanca artistike, si një buqetë lulesh për 31 vjetorin e Klik Ekspo Grup.
Mbrëmja festive përfshiu muzikë live nga grupi The Ritual, balet klasik dhe një ballo me maska, duke krijuar një atmosferë celebrimi për kompanitë pjesëmarrëse dhe vizitorët e shumtë teksa të pranishmit i shprehën urimet e tyre edhe presidentit të Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj, në ditëlindjen e tij me 8 nentor.
Që prej tre dekadash, Klik Ekspo Group është bërë një ambasador i diplomacisë ekonomike në Shqipëri, duke tërhequr kompani nga mbi 20 vende të botës dhe duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi dhe investimi. Pjesëmarrësit e rinj dhe ata të përhershëm e shohin Shqipërinë si një treg me potencial të lartë zhvillimi.
Organizatorët njoftuan gjithashtu edicionin e dytë të Panairit Muse-X, që do të zhvillohet në Piramidën e Tiranës më 7-9 prill 2026, duke ofruar një tjetër mundësi për të nxjerrë në pah artin dhe inovacionin shqiptar dhe ndërkombëtar.
Ky edicion i TIF 2025 shënoi jo vetëm një sukses organizativ, por edhe një festë të bashkëpunimit, kulturës dhe inovacionit në një hapësirë ku biznesi dhe arti takohen me vizionin e së ardhmes.


















