Ligji i ri për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë

697
Koha kur gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe funksionarët e tjerë të drejtësisë, gjykonin, hetonin dhe inspektonin gjithkënd, por nuk kontrolloheshin për vete ka marrë fund. Shumë shpejt të gjithë këto subjekte do të kalojnë në filtrin e ligjit të ri të sapo përfunduar për “Rivlerësimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Sipas ekspertëve të së drejtës, qëllimi i këtij ligji është rivlerësimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet një procesi të rregullt, me qëllim që të garantohet një sistem gjyqësor i pavarur, i hapur për të gjithë, i drejtë dhe pa korrupsion, që funksionon me eficiencë dhe me standardet më të larta të ndershmërisë, integritetit, profesionalizmit dhe transparencës, dhe se ky projektligj është i bazuar në projekt-amendamentet kushtetuese të paraqitura në datën 04 Maj 2016, nga ekspertët e Euralius dhe Opdat në Komisionin e Posaçëm të Kuvendit. Ky dokument është elaboruar nga grupi i punës, i përbërë prej përfaqësuesve të Projektit EURALIUS, Misioni OPDAT dhe Ekspertët e Nivelit të Lartë, bazuar në rekomandimet e Opinionit të Komisionit të Venecias 824/2015, pasi është marrë opinioni i grupit Think Tank, i cili u mblodh disa herë, si dhe mendime të tjera gjatë konsultimit në tryeza të rrumbullakëta. Nga grupi i punës është bërë një kontroll fillestar i përmbajtjes së këtij projektligji, në veçanti me projektligjin për strukturën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe projektligjin për statusin dhe ligje të tjera, megjithatë kontrolle dhe përshtatje të mëtejshme do të nevojiten, sapo versioni përfundimtar i amendamenteve kushtetuese dhe versioni përfundimtar, në veçanti i projektligjeve të sipërpërmendura të jenë në dispozicion. Zgjedhjet e mundshme politike, lidhur me ndryshimet kushtetuese mund të ndryshojnë dukshëm përmbajtjen e këtij projektligji, objekt i të cilit është përcaktimi me ligj i rregullave për: Parimet e organizimit të procesit të rivlerësimit për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, Metodologjinë, procedurat dhe standardet e rivlerësimit; Organizimi dhe funksionimi i organeve, Operacioni Monitorues Ndërkombëtar, si dhe roli i publikut në procesin e rivlerësimit. Në ushtrimin e funksioneve të tyre, organet e rivlerësimit respektojnë parimin e procesit të rregullt ligjor dhe japin vendime brenda një afati të arsyeshëm, bazuar veçanërisht në ligjshmërinë, barazinë para ligjit dhe proporcionalitetin. Po kush janë objekt i rivlerësimit dhe cilët janë tre komponentët e procesit të rivlerësimit: 

a) Vlerësimi i pasurive; 
b) Kontroll i figurës;
c) Vlerësimi i aftësive profesionale;
Komisioni fillon vlerësimin duke ndjekur radhën si më poshtë: a) Gjyqtarët në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe Prokurorin e Përgjithshëm; b) Subjektet e rivlerësimit ndaj të cilëve ofrohen prova që në dukje e bëjnë të mundshme dhënien e një mase disiplinore. c) Gjyqtarët dhe prokurorët që ushtrojnë funksionin e tyre pranë gjykatës së apelit, që kanë deklaruar më shumë se 100. 000. 000 ALL; d) Gjyqtarët dhe prokurorët që ushtrojnë funksionin e tyre pranë gjykatës së shkallës së parë, që kanë deklaruar më shumë se 100. 000. 000 ALL; e) Gjyqtarët, prokurorët dhe inspektorët e tjerë; f) Këshilltarët ligjorë, ndihmësit ligjorë dhe subjektet e tjerë të rivlerësimit. Procesi i rivlerësimit të subjekteve të rivlerësimit dhe subjekteve të tjera të rivlerësimit kryhet nga Komisioni, Kolegji i Apelimit, Komisioneri Publik, në bashkëpunim me vëzhguesit ndërkombëtarë. 
– Anëtar i Komisionit dhe Kolegjit të Apelimit zgjidhet shtetasi shqiptar që plotëson kërkesat e përgjithshme si më poshtë: 
(a) Ka përfunduar studimet në drejtësi, në nivelin e dytë të studimeve ose studime të barasvlershme me të; 
b) Zotëron shumë mirë gjuhën angleze; 
c) Nuk ka ushtruar funksion politik në administratën publike ose nuk ka mbajtur pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 viteve të fundit; 
c) Ndaj tij të mos ketë nisur një hetim penal, të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje; 
d) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, apo ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e aplikimit; 
e) Ka kaluar me sukses kontrollin e deklarimit të pasurisë së tij, ose të personave të lidhur me të; 
f) Nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish- Sigurimi i Shtetit para vitit 1990 dhe nuk ka qenë bashkëpunëtor, informant ose agjent i ndonjë shërbimi sekret. 
– Procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të organeve kryhen nga Avokati i Popullit, i cili shpall vendet e lira për pozicionet e të gjithë anëtarëve të organeve brenda 10 ditëve pune nga hyrja në fuqi e këtij ligji, në faqen zyrtare të internetit, si dhe në 2 (dy) gazeta me tirazh më të lartë në vend. 
Organizimi i brendshëm i organeve ka të bëjë me zgjedhjen dhe shkarkimin e tyre
– Trupi gjykues në Komision dhe në Kolegjin e Apelimit kryesohet nga Kryetari, i cili zgjidhet nga radhët e anëtarëve të tij për një periudhë 1 – vjeçare me të drejtë rizgjedhje. 
Procedurat e shkarkimit 
1. Në rast se ka të dhëna të mjaftueshme nga burime të besueshme se anëtari i organeve ka kryer një shkelje disiplinore ndaj tij mund të fillohet hetimi disiplinor. Subjektet që mund të kërkojnë fillimin e hetimit disiplinor janë: 
a) Çdo komisioner për komisionerët; 
b) Çdo gjyqtar për gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit; 
c) Çdo vëzhgues ndërkombëtar për Komisionerin Publik, Komisionerin dhe gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit. 
Paga e anëtarëve të organeve 
Komisionerët, Gjyqtarët dhe Komisionerët Publikë marrin një pagë bruto, sipas dispozitave të Ligjit për Statusin dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Ata përfitojnë një pagesë mujore shtesë për shkak të vështirësisë në vlerën e 100 000 (njëqind mijë) ALL. 
Objekti i vlerësimit pasuror
Objekti i vlerësimit pasuror është deklarimi dhe kontrolli i pasurive, i ligjshmërisë së burimit të krijimit të tyre, i përmbushjes së detyrimeve financiare, duke përfshirë interesat private për subjektin e rivlerësimit dhe për personat e lidhur të tij. 
Objekti i kontrollit të figurës
Objekti i kontrollit të figurës është verifikimi i deklarimeve të subjektit të rivlerësimit për identifikimin e atyre subjekteve që kanë kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar sipas parimeve dhe kushteve të parashikuara në nenin DH të Aneksit të Kushtetutës. 
Barra e provës 
1. Komisioni dhe Kolegji i Apelimit në shqyrtimin e çështjes udhëhiqen nga parimi i objektivitet dhe proporcionalitet pa kaluar kufijtë e kompetencave tyre. 
2. Nëse relatori arrin në përfundimin se provat kanë nivelin e provueshmërisë sipas nenit 43 të këtij ligji, subjekti i rivlerësimit ka barrën e provës për të paraqitur prova ose shpjegime të tjera për të provuar të kundërtën. 
Dorëheqja 
1. Subjekti i rivlerësimit ka të drejtën të dorëhiqet gjatë seancës dëgjimore, por jo më vonë se shpallja e vendimit të komisionit të parashikuar në nenin 48, pararagrafi 8, i këtij ligji. Dorëheqja paraqitet me shkrim. Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit. 
2. Procedura e rivlerësimit përfundon në datën e nënshkrimit të dorëheqjes. Dorëheqja publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit. 
3. Në rast dorëheqjeje, subjekti i rivlerësimit përfiton një pension të veçantë të barabartë me 50 për qind të pagës së referencës, deri në arritjen e moshës së pensionit të përcaktuar me ligj. 
-Shkarkimi nga detyra i subjektit të rivlerësimit jepet si masë disiplinore në këto raste:
a. Kur rezulton me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës sipas nenit 33, paragrafi 3 i këtij ligji, që bën të pamundur vazhdimin e detyrës;
b. Kur rezulton se ka deklaruar më shumë se 200 % të ardhura të paligjshme gjatë vlerësimit të pasurisë, përfshirë edhe personat e lidhur me të sipas nenit 28 paragrafi 4, 5. 
c. Kur rezulton se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për komponentin e kontrollit të figurës, dhe pasurisë sipas neneve 33 dhe 28 të këtij ligji. 
d. Kur rezulton si i papërshtatshëm nga rivlerësimi i aftësive profesionale sipas nenit 38 pika c. 
Të drejtat e subjektit të rivlerësimit, pas dhënies së vendimit të Komisionit
1. Subjekti i rivlerësimit, i cili ka ushtruar të drejtën e ankimit ndaj vendimit të Komisionit për masën disiplinore, pezullohet nga detyra e tij në pritje të vendimit të Kolegjit të Apelimeve. 
2. Gjatë periudhës së pezullimit subjekti i rivlerësimit nuk ka të drejtë të shqyrtojë dhe të gjykojë çështje. Ai ka të drejtë të vizitojë/ rregullisht zyrën e tij, përfshirë adresën e tij elektronike zyrtare. 
Sigal