Lidhën dhe grabitën familjen në Zall-Herr, ja çfarë vendosi gjykata për organizatorin dhe dy shokët e tij

294
Sigal

Tre autorët e dyshuar të grabitjes së ndodhur në fshatin Qinam, në Zall-Herr të Tiranës, janë lënë sot nga gjykata e Tiranës në “arrest me burg”.

Pas hekurave do të qëndrojnë Ndriçim dhe Durim Bami, si dhe i akuzuari si organizator i grabitjes, Jani Aruçi.

Ata u arrestuan gjatë ditës së shtunë nga Policia e Tiranës, që sekuestroi edhe armë e një makinë, që dyshohet të jenë përdorur gjatë grabitjes. Menjëherë pas marrjes së informacionit për ngjarjen e ndodhur, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë u ngrit grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Falë reagimit në kohë, veprimeve të shpejta dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kamzë u bë i mundur identifikimi i autorëve të kësaj ngjarjeje.

Pas identifikimit të autorëve të dyshuar u organizua puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre dhe pas disa orë krehjeje të zonës në fshatrat Grec dhe Tapizë u kapën dhe u arrestuan tre autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve, u bë arrestimi i shtetasve: Jani Aruçi, 29 vjeç (organizatori i vjedhjes, i cili u kap në fshatin Grec); Ndriçim Bami 20 vjeç dhe Durim Bami 26 vjeç (vëllezër), të cilët u kapën në fshatin Tapizë, Nikël.