Librazhd, të rishikohet KEMP-i, në listë ka persona që kanë lokale e punojnë në shtet

603

Flet për “Telegraf”, kreu i Tetraplegjikëve, Zeqir Alliu: “I kërkojmë Kryeministrit të ngrihen komisione të reja”

Kryetari i Tetraplegjikëve, Zeqir Alliu në qytetin e Librazhdit kërkon të rishikohen KEMP-et e dhëna, sepse sipas tij, ka persona që nuk e meritojnë. Ai shprehet se, “aty përfitojnë persona të shëndoshë njëlloj si unë që jam në karrocë”. Si kryetar i kësaj shoqate ai kërkon që të shqyrtohen të gjitha dosjet një për një të personat që kanë dalë në KEMP.

Gjendja

Kryetari i Shoqatës së Tetraplegjikëve të Librazhdit, Zeqir Alliu në një prononcim për gazetën “Telegraf” thotë se prej vitesh ka persona që janë shëndoshë e mirë dhe marrin KEMP në mënyrë të padrejtë, duke bërë lloj- lloj dallaveresh nëpërmjet personave që i kalojnë në komisionet e KEMP-eve duke bërë   kështu të rëndohet xhepi i taksapaguesve shqiptarë dhe të abuzohet me buxhetin e shtetit. Në rrethin e Librazhdit sipas Alliut ka persona që janë të shëndoshë, vrapojnë, ngasin makina, kanë lokale, punojnë në shtet dhe marrin KEMP dhe këtë e bëjnë pa ju dredhur qerpiku fare, pasi miqtë e tyre janë të ngjitur me pushtetin. Sipas tij, duhet të ngrihet komisionet nga e para për të gjithë invalidët e këtij rrethi  dhe duhet të kalojnë në site pasi deri tani kanë bërë kredinë. “Ne kemi besim se qeveria “Rama” do ta marri parasysh këtë kërkesë tonën. Kryeministri duhet të nis hetimet, sepse nga KEMP-i duhet të përfitojë ai që vërtetë e meriton dhe jo njerëzit e shëndoshë që janë të aftë për punë. Këta persona e kanë marrë KEMP-in në rrugë korruptive dhe të padrejtë, ata kanë përfituar vetëm nga miqësia që kishin me ish-pushtetarët. Por përveç këtyre problemeve kjo kategori prej muajsh nuk ka marrë ndihmën që ju takon sipas ligjit pasi nuk ka fonde bashkia dhe nga mbingarkesa e shumë personave që i marrin kot këto lekë dhe fondet nuk janë të mjaftueshme. Po kështu dhe një qytetarë nga Përrenjasi thotë që ka njerëz të shëndoshë që marrin përfitime në mënyrë të padrejtë që as që ju takon fare, por vetëm e vetëm se kanë pasur miq në pushtet dhe i kanë bërë dokumentet në mënyrë korruptive. Ne i lutemi qeverise se re thotë ai që t’i shikoi këta persona dhe në mënyrë urgjente t’i heqin nga lista e invalidëve pasi boll përfituan tërë këto vite, ka ardhur momenti që drejtësia të vihet në vend.