“Lepuri” fle mbase te “axhustimi”, që iu duhet bërë financave publike, për t’i “shtrydhur”, për të gjetur as më shumë dhe as më pak se 38 miliardë lekë, sa i duhen qeverisë për dy vite, duke qënë se këto fonde, as që ishin planifikuar në këto nivele me rritjen më të madhe të tre dekadave” pagën e nëpunësve shtetërore!
Në mënyrë të papritur dhe pa ndonjë shpjegim bindës, një prej komisioneve më të rëndësishëm të Kuvendit të Shqipërisë, ka kërkuar shtyrjen e diskutimit për projektligjin, e dërguar me urgjencë nga qeveria, për rritjen e pagave! Ligji i ri, që ndryshonte pothuajse tërësisht ligjin e 17 viteve më pare, të firmosur nga qeveria e kohës dhe, të miratuar nga parlamenti i vitit 2006, nuk arriti të diksutohej në komision dhe u shty për një kohë të pëpërcaktuar. Ligji i ri detyronte autoritetet e financave shqiptare që, menjëherë pas miratimit të tij, të fillonin llogaritjen e rritjes së pagave, për të gjitha kategoritë e deklaruara nga kryeministri, pra për të 135 mijë dhe 826 të punësuar në organikën e qeverisë qëndrore dhe lokale dhe agjencitë në varësi të tyre. Duket se kjo është shtyrë dhe argument i përdorur të le një hije dyshimi lidhur me përgatitjen që ka bërë ekzekutivi, saktësisht ministria përgjegjëse për financat, për të siguruar zbatimin e këtij ligji, pra për të gjetur paratë, me të cilat do të rriteshin pagat, duke filluar nga data 1 prill! Kjo datë ka një histori groteske që lidhet me ditën e “gënjshtrave”. Nga hulumtimet tona në wikipedia “Dita e gënjeshtrave është dita e parë muajit Prill, ku falen gënjeshtrat që i bëjmë në këtë ditë. Ne të gjithë kemi dëshirë të relaksohemi pak, duke u tallur me të tjerët dhe, duke e ngritur humorin tonë dhe të shpresohet që të gjithë do të relaksohen mirë në këtë ditë”, thuhet në këtë portal. Por ne nuk synojmë që të besojmë se edhe qeveria ka pasur këtë humor, kur ka deklaruar se pagat do të rriten pikërisht në 1 Prill. Ne jemi duke lexuar edhe deklarimin zyrtar të Komisionit të Ekonomisë dhe të Financave, sipas të cilit kryetari Shalsi “propozoi shtyrjen e diskutimit për projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar”, për t’iu lënë kohë deputetëve që kanë kërkuar të paraqesin amendime, apo propozime për ndryshimin e tyre”. Rritja e pagave, edhe pse për një kategori të vetme, sikundër janë punëtorët e shtetit, si punëdhënësi më i madh në vend, ishin pritur me kërshëri! Ose më mirë ishin mirëpritur! Madje, për këtë rritje që, kryeministri i vendit, e quan rritja më e madhe e bërë ndonjëherë në 3 dekadat e fundit, edhe opozita shqiptare është shprehur me nota të theksuara optimizmi! Po tërheqja nga debati në komisione dhe madje edhe ndryshimi i planit të punës së Kuvendit të Shqipërisë, që është deklaruar edhe në faqen zyrtare, nuk na bën të besojmë se rritja do të fillojë në datën e caktuar! Sepse brenda këtij muaji Kuvendi i Shqipërisë nuk ka planifikuar asnjë seancë plenare me këtë tematike dhe duhet të pritet plani i muajit Maj për të pare, nëse vërtet do të kemi një ligj të ri të ndryshuar, që ka kaluar në filtrin e komisioneve përgjegjëse në kuvend dhe më pas edhe në seancën plenare! Edhe logjika e kohës së kërkuar nga Shalsi për t’iu dhënë mundësi deputetëve të paraqesin amendime apo propozime për ndryshimin e ligjit, bie pak “erë”! Kur Qeveria dërgon në kuvend një projektligj, gjykohet se i ka “kopsitur” ndryshimet edhe në grupin e saj kuvendor dhe, çfarëdo kërkesë që mund të kenë, ta zemë deputetët e opozitës, kartoni i mazhorancës nuk “thyhet” kollaj! “Lepuri” fle mbase te “axhustimi”, që iu duhet bërë financave publike, për t’i “shtrydhur”, për të gjetur as më shumë dhe as më pak se 38 miliardë lekë, sa i duhen qeverisë për dy vite, duke qënë se këto fonde, as që ishin planifikuar në këto nivele! Buxheti 2023, apo edhe buxheti afatmesëm 3 vjeçar, nuk e kishte parashikuar dot nismën e kryeministrit për të rritur “me rritjen më të madhe të tre dekadave” pagën e nëpunësve shtetërore! Pra, duhet parë se ku do të gjenden paratë, sepse “fondi i kontigjencës” nuk gjykohet se i përballon dot! Gjithsesi nuk do të ketë pagë të re në fillim të muajit maj, koha kur paguhet paga e muajit prill! Nuk do të ketë një të tillë, sepse nuk ka ligj të miratuar, nuk ka akte ligjore të miratuara dhe, THESARI, as që “lëviz” dot pa ligj dhe akte nënligjore! Shpresa vdes e fundit! Kështu thonë! Mbase do të na befasojnë edhe deputetët e Shalsit, kur të propozojnë amenamente, që mund të shtojnë oreksin për paga më të larta, apo për kategori të tjera përfituesisht, të ndryshme nga ato që ka paracaktuar kryeministri i vendit! Çfarë nuk bën vaki!